U liruan tre të rinjtë e përfshirë në përleshjen gjatë protestës në Shkup, por ndaj tyre u paralajmërua kallëzim penal
Policia e Maqedonisë së Veriut ka paralajmëruar kallëzim penal ndaj tre të rinjve të përfshirë në rrahjen që ndodhi para objektit të Ministrisë së Drejtësisë, dje gjatë kohës së protestës, transmeton Portalb.mk.
Tre të dyshuarit nga Shkupi janë lëshuar nga Policia, por ndaj tyre do të ketë kallëzim penal.
Policia e Maqedonisë së Veriut menjëherë sqaroi që të rinjtë nuk janë shtetas të Maqedonisë së Veriut, ndërsa zëvendësministri Astrit Iseni theksoi se dy të arrestuarit janë shqiptarë, ndërsa tjetri maqedonas.
Bëhet fjalë për 28 vjeçarin B.Xh., 27 vjeçarin R.A. dhe 22 vjeçarin S.D., të akuzuar për prishjen e rendit dhe qetësisë publike.
Kujtojmë se me thirrje e pankarta për mundësimin e mbajtjes së provimit të jurisprudencës në shqip përveç maqedonishtes, studentët shqiptarë filluan marshin protestues në Shkup nga Ura e Gurit drejt Ministrisë së Drejtësisë. Ata kërkuan që institucionet shtetërore ta zbatojnë Ligjin e gjuhëve dhe zëri i tyre të dëgjohet.
Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, ka reaguar ndaj protestave dhe debatit publik për kërkesat që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe, duke i cilësuar ato si përpjekje për presion politik dhe nxitje të konfrontimit etnik. Sipas tij, provimi i jurisprudencës nuk është çështje politike, por proces profesional i bazuar në ekspertizë dhe respekt për rendin juridik të shtetit. Filkov theksoi se përpjekjet për ta paraqitur përdorimin e gjuhës maqedonase si diskriminim janë “manipulim i rrezikshëm i opinionit publik” dhe, sipas tij, goditje ndaj rendit kushtetues.