BDI dështoi me premtimin më të madh parazgjedhor, “vetingun” për politikanë, gjykatës e prokurorë

Partia shqiptare BDI e cila pas vitit 2001 është në kohë rekorde në pushtet dhe që është pjesëmarrëse në përgjegjësinë për ndërhyrjet politike në sistemin gjyqësor dhe si rrjedhojë rrënimin e besimit të qytetarëve në drejtësinë e korruptuar, në zgjedhjet e fundit parlamentare, premtoi, por, nuk e realizoi projektin e “vetingut”. Ky projekt parashihte kontrollin e politikanëve, prokurorëve, gjykatësve dhe punëtorëve të uniformuar. Madje, BDI, e premtoi vetingun, në kohën kur Bashkimi Evropian zyrtarisht njoftoi se nuk është i nevojshëm një projekt i këtillë, shkruan Portalb.mk.

Në parim, “vetingu”, është proces që shërben për kontrollin e zyrtarëve publik, për të vërtetuar integritetin në përmbushjen e detyrës, ndërkaq qëllimi i tij është të rikthehet besimi i publikut në punën e institucioneve shtetërore. Procesi i vetingut, si rregull, kryhet duke kontrolluar figurën e dikujt përpara se t’i ofrohet një vend pune ose të risihikohen rezultatet pas dyshimeve eventuale për keqpërdorim. Në varësi të vendit të punës ose të projektit, procesi i vetingut mund të bazohet në kontrollin e aftësive, personalitetit, pasurisë ose të ndonjë faktori tjetër që lidhet me qëllimin e vetingut.

Thuajse në këto korniza e ka premtuar vetingun edhe Bashkimi Demokratik për Integrim, e cila është partia me kohën më të gjatë në pushtet në 24 vitet e kaluara.

programin parazgjedhor për mandatin 2020-2024, BDI këtë çështje e vendosi si një ndër 5 prioritetet e saja, e cila do të duhej të përfshinte kontrollin e politikanëve, gjyqtarëve, prokurorëve dhe punëtorëve të unfiromuar.

Nëse shihet programi, në 30 vende përmendet fjala “veting”, në kontekst të kontrollit të aftësisë dhe integritetit të personave të emëruar në poste publike dhe lë përshtypje se zbatimi i saj do të bënte që të lulëzonte drejtësia në vend. Por, ky premtim mbeti vetëm fjalë në letër, pasi në shtet gjatë kësaj periudhe nuk u realizua ky proces, ndërkaq u ndërmorën disa masa tjera alternative, të cilat nuk e përmbushin realizimin e këtij projekti, ashtu siç premtoi kjo parti.

“Bashkimit Demokratik për Integrim do të imponon Vetingun si politikë që nënkupton kontrollin e dyfishtë të gjithsecilit që merr rolin e shërbyesit publik, çdo politikani, prokurori dhe gjykatësi në vend sepse integriteti i individit udhëheqës dhe i institucionit që udhëheq janë baza e një shoqërie të shëndoshë”, thuhet në programin zgjedhor.

Sipas programit zgjedhor, vetingu do të duhej të zbatohet në dy nivele, njëri për pretendentët për poste publike, ndërkaq tjetri nëpërmjet marrjes së masave institucionale pas konstatimit të parregullsive.

“Në nivelin e parë, sigurohet integritet dhe transparencë për çdo pretendent post publik “duke mbledhur, analizuar dhe botuar të gjitha nformacionet dhe të dhënat për secilin pretendt dhe bartës aktual të funksionit publik në mënyrë që qytetarët ose organi që e propozon, zgjedh apo emëron bartësn e funksionit, të vlerësojë integritetin dhe digjitetin e bartësit ose kandidatit duke ulur mundësinë për korrupsion, krim, keqpërdorim të detyrës dhe rrënim të autoritetit dhe imazhit të institucionit. Kontrolli i dytë nënkupton zbatimin e vetingut nëpërmjet marrjes së masave institucionale pas konstatimit të parregullsive, mospërputhjes midis të ardhurave dhe pronës si dhe diskrepancave në karrierë gjatë kontrollit të parë ndaj kandidatëve dhe bartësve të funksioneve publike, prokurorëve dhe gjykatësve”, thuhet në program.

Për funksionimin e vetingut, do të duhej të miratohet Ligji për veting dhe rrjedhimisht të formohet Agjencia e Pavarur për Zbatimin e Vetingut, “duke përfshirë rolin për parandalim dhe kontroll të korrupsionit, me qëllim të rritjes së besueshmërisë së posteve dhe detyrave publike”.

BDI premtoi veting edhe pse BE ishte kundër

Në vitin 2019-të, Bashkimi Demokratik për Integrim, njoftoi se kanë propozim-ligj për veting, por të njëjtin, pavarësisht kërkesës së Portalb.mk, nuk e publikoi. I njëjti, madje dhe zyrtarisht nuk është dorëzuar, por është dhënë në mënyrë joformale te deputetët. Opozita shqiptare, asokohe deklaroi se nuk janë të njoftuar se për çfarë propozim-ligji bëhet fjalë pasi atyre nuk iu është dorëzuar.

VMRO-DPMNE-ja, asokohe doli kundër një propozim-ligji të këtillë, ndërkaq LSMD-në ishte pa qëndrim.

Nga na tjetër për Portalb.mk, në korrik të vitit 2019-të, Bashkimi Evropian deklaroi se BE-ja kërkon që Maqedonia e Veriut t’i zbatojë reformat në gjyqësor, ndërkaq “vetingu” i gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk është i domosdoshëm, pasi që ata kanë dhënë rekomandimet janë të qarta në raportin e Komisionit, në pjesën për gjyqësorin.

Skepticizmi i BE-së ishte për shkak të zbatimit të vetingut në Shqipëri, i cili la gjykatat pa gjykatës.

Të njëjtën e konfirmoi dhe kryeministri i atëhershëm Zoran Zaev, duke theksuar autoritetet evropiane i kanë rekomanduar që të mos e bëjnë vetingun pasi që nuk ka kuadër të mjaftueshëm për t’i plotësuar vendet nga të përjashtuarit eventual nga procesi i vetingut.

Komisioni Evropian foto nga: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Komisioni Evropian foto nga: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Por pavarësisht qëndrimit të qartë nga BE për çështjen e vetingut, BDI e vendosi në programin zgjedhor për zgjedhjet e ardhhsme të vitit 2020, si një prej 5 prioriteteve.

Të njëjtën e konfirmoi dhe ambasadori i atëhershëm i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar, duke theksuar se “për momentin nuk sheh nevojë për veting të gjykatësve dhe prokurorëve” dhe se “ka mënyra tjera që gjyqësori të përmirësohet, para se gjithash prej brenda”.

Menjëherë dhe Zaevi doli në mbështetje të euroambasadorit Zhbogar duke theksuar se ““Në të vërtetë nuk është një moment për veting, sepse veting e pasqyron situatën në Shqipërinë mike, e cila ishte me të vërtetë në një situatë të ndryshme nga ajo në gjyqësorin tone”.

Por, pavarësisht këtyre deklaratave, BDI nuk u tërhqon nga propozim-ligji për veting. Në shkurt të vitit 2020, BDI njoftoi se grupi parlamentar i tyre në Kuvendin e Republikës ka dorëzuar propozim Ligjin për veting në procedurë të përshpejtuar. Ndërkaq, më pas e vendosën në programin zgjedhor të titulluar “Koha për kryeministrin e parë shqiptar”, si një ndër 5 prioritetet, me të cilin do të garonin në zgjedhjet e 15 korrikut të vitit 2020.

Para zgjedhjeve “veting”, pas zgjedhjeve “pastrim”

Zgjedhjet i fituan LSDM dhe BDI, ndërkaq gjatë bisedave prë formimin e Qeverisë, krerët e LSDM-së dhe BDI-së, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti, u morën vesh që gjyqësori t’i nënshtrohet “pastrimit”, ndërkaq poltiika “vetingut”. Kjo do të përfshihej më pas edhe në programin qeveritar.

Kjo është një lëvizje e BDI-së nga qëndrimi për veting të gjyqësorin, ashtu siç premtohet në programin e tyre. Praktikisht, BDI shkeli premtimin që ua dha qytetarëve në programin zgjedhor, madje ende pa u formuar qeveria, gjegjësisht që në bisedimet me mandatarin Zaev.

“Pastrimi”, do të nënkuptonte që Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve, të cilët kanë mungesë besueshmërie nga qytetarët dhe mungesë kontrolli të punës së tyre, të bëjë kontrollë të punës së gjykatësve dhe prokurorëve.

Zoran Zaev - Ali Ahmeti, Foto arkiv: Fejsbuku i Zoran Zaev
Zoran Zaev – Ali Ahmeti, Foto arkiv: Fejsbuku i Zoran Zaev

“Vetingun do ta zbatojnë tërësisht te politikanët, me kontrollim të pronës dhe kapitalit të tyre, ndërkaq në gjyqësor bëjmë pastrim – jo veting. Procesi i pastrimit është ndryshe nga vetingu dhe atë e premtuam ashtu, pasi që në vetë procesin e pastrimit vetë institucionet bëjnë kontroll të parave, pronës dhe kapitalit të gjykatësve, prokurorëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në sistemin gjyqësor”, sqaroi asokohe mandatari Zaev.

Procesi i pastrimit apo filtrimit, sipas qeverisë, por edhe përfaqësuesve të Këshillit Gjyqësor dhe të Prokurorëve do të duhej të kthente besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

Sipas metodologjisë, gjykatësit do të vlerësohen në bazë të plotësimit të kritereve cilësore për punën e tyre.

“Vlerësimi i kualitetit të udhëheqjes së procedurës gjyqësore do të kryhet nëpërmjet kontrollit në 10 lëndë të gjykatësit të vlerësuar, prej të cilave 5 i zgjedh vetë ai, ndërkaq 5 të tjera zgjedhen në mënyrë të rastësishme nëpërmjet sistemit të automatizuar kompjuterik. Kontrollin e bëjnë komisionet e përbëra prej 5 anëtarëve të gjykatave të Apelit, gjegjësisht gjykatës më të lartë, a e informon Këshillin sipas mënyrës së rastësishme”, thuhet në metodologji.

Si rezultat i këtij “pastrimi”, u shkarkuan disa gjyqtarë të cilët ishin të njohur në opinion nga përgjimet, apo nga “defteri” i ish ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska, e cila në kohën e qeverisjes së Nikolla Gruevskit, bashkë me drejtorin e atëherhshëm të Policisë Sekrete mbante evidencë për emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve se kush është i përshtatshëm dhe jo i përshtatshëm për të kryer detyrën.

“Vetingu”, temë që nuk mbaron

Tema e vetingut ka vazhduar të “përtypet” nga thuajse të gjitha partitë, përfshirë dhe BDI-në, çdoherë që gjyqësori ka shkaktuar skandale. Për shkak të humbjes së thellë në zgjedhjet lokale, kryeministri Zoran Zaev dha dorëheqje dhe në vend të tij erdhi Dimitar Kovaçevski, i cili gjithashtu ka deklaruar më pas nevojën për veting.

Vetingu, në vazhdimësi është trajtuar si “shkopi magjik”, me të cilin do të vihej barazia e munguar në sistemin gjyqësor, të cilit qytetarët i besojnë në përqindje njëshifrore.

Rast i tillë ishte në nëntor të vitit 2022 me zgjedhjen e Islam Abazit në krye të Prokurorisë kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Abazi, përndryshe bashkëfshatar i liderit të BDI-së Ali Ahmeti, ishte në qendër të kritikave për shkak se në opinion rrodhën disa fotografi të Abazit me funksionarë të lartë dhe njerëz të afërt me BDI-në.

Ambasadorja amerikane në vend, Angela Ageler tha se, SHBA është e habitur nga zgjedhja e Abazit, posaçërisht pas miliona dollarëve të harxhuara për trajnim të prokurorëve.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti menjëherë komentoi deklaratën e Agelerit dke theksuar se reagimi i saj është “parimor dhe për këtë çështje BDI tash me vite kërkon veting të përgjithshshëm, duke filluar nga pushteti lokal në atë qendror.

Ali Ahmeti - Angela Aggeler. Foto: BDI
Ali Ahmeti – Angela Aggeler. Foto: BDI

Me rikonstruimin e Qeverisë në vitin 2023, ministri i Drejtësisë nga radhët e ASh-së, Krenar Lloga, tha se “vendit nuk i duhet një zhgënjim i qytetarëve siç ndodhi me ish Prokurorinë Speciale Publike. Nëse nuk ka mbështetje nga BE dhe SHBA, ministri Lloga tha se nuk mund të ketë proces të vetingut”.

Në nëtor të vitit 2023, DASH publikoi raportin për situatën në RMV, i cili përmbante kritika të ashpra për korrupsion nëpër burgje, gjykata dhe qeveri. Me këtë rast, Kovaçevski kërkoi veting.

“Unë do ta theksoja procesin e vetingut, që duhet të përfshijë të gjithë funksionarët e emëruar dhe të zgjedhur. Ky proces duhet bërë në bashkëpunim me SHBA-të dhe BE-në”, tha Kovaçevski.

Por, BE dhe SHBA deri më tani nuk kanë dhënë dritë jeshile për një proces të tillë.

Në mars të vitit 2023, ministri Lloga, theksoi se kur ka ardhur në Ministrinë e Drejtësisë, nuk ka gjetur asnjë dokument për vetingun dhe se pa faktorin ndërkombëtar nuk do ta nis këtë proces.

“Në Ministrinë e Drejtësisë s’ka asnjë dokument për çështjen e vetingut. Unë në çdo takim me ambasadorë e them që duhet patjetër të ketë veting. Pa mbështetjen e faktorit ndërkombëtar nuk e nisim vetingun”, shtoi Lloga.

Derisa, BDI kërkon veting për funksionarët e vendit, Departamenti i Shtetit Amerikan, e futi në listën e zezë funksionarin e lartë të BDI-së dhe kryetarin e Komunës së Strugës, Ramiz Merko.

Arsye për shpallje nongrata është se Merko, sipas DASH, është i përfshirë në korrupsion të konsiderueshëm. Në njoftimin e Departamentit të shtetit thuhet se kryetar i komunës së Strugës, ka shpërdoruar fondet dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut.

Nga ana tjetër, në Kuvend ndodhen ndryshimet e Ligjit për Masat Kufizuese, pra ligji që përfshin personat e listës së zezë. Miratimi i këtij ligji do të krijonte hapësirë që futja e ndonjë funksionari në listë të zezë, do të nënkuptonte aktivizim të masave shtetërore kundër individëve dhe kompanive.

Me këto ndryshime parashihet inicim i procedurës ligjore deri te Prokuroria, ndërkaq Prokuroria në bazë të ligjit detyrohet që të nisë procedure. Nëse do të ketë prova të mjaftueshme do të dorëzohet aktakuzë. Nëse Gjykata e pranon atë aktakuzë, Gjykata në bazë të ligjit do të duhet të vendos për pezullim nga detyra publike dhe pamundësim të furnizimeve publike për subjekte juridike të përfshira në listën e zezë.

Në ndërkohë, mandati për disa javë BDI-së dhe partnerëve të saj në qeveri po u mbaron, ndërkaq drejtësia dhe besueshmëria në sistemin gjyqësor vazhdon të jetë ndër më të ulëtat. Mungesa e besueshmërisë së qytetarëve në sistemin gjyqësor dhe ekzistenca e korrupsionit të lartë, është derivati kryesor që partitë të vazhdojnë me retorika dhe narrative për gjoja kthimin e drejtësisë me “shkopin magjik” të quajtur “veting”.

Mbetet të shihet nëse në programin e ri për zgjedhjet e këtij viti, BDI do ta rivendos sërish këtë temë, edhe pse fushata e BDI-së, sipas paralajmërimeve do të jetë e fokusuar rreth temës “Jo Rusisë, pro Evropës”.