Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor ka rrezik të ngecë nga qeveritë rajonale, por ka vendosmëri për t’u realizuar

Deklarata e përbashkët e liderëve të Ballkanit Perëndimor që u miratua në Konferencën BE-Ballkani Perëndimor, tregon vendosmërinë e shteteve të rajonit për të hyrë në një treg të përbashkët. Takimet janë të shpeshta përkundër asaj që pritej. Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor mbetet një sfidë nëse rritja do të jetë e mundshme deri në vitin 2030. Gjithashtu zbatimi i tij mund të ngecë nga qeveritë rajonale, si pasojë e problemeve historike, që mund të jenë faktor për ngadalësimin e bashkëpunimit, vlerësojë ekspertët, transeton Portalb.mk.

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Selim Ibraimi, vlerëson se deklarata e liderëve, është mjaft më rëndësi për arsye se tregon vendosmërinë e shteteve të rajonit për të hyrë në një treg, dhe përpjekjet gjithashtu të BE-së për ta integruar këtë pjesë të Evropës. Këtu, sipas tij, duhet parë nëse zotimet do të përmbushen në kohë nga të dyja palët.

Selimi shton se Planin e Rritjes, qeveritë e rajonit tonë duhet të shfrytëzojnë për krijimin e vendeve të reja të punës, aftësimin e punëtorëve dhe së fundi rritjes së vërtetë ekonomike duke u bërë shtete që eksportojnë më shumë.

Selim Ibraimi, foto nga arkivi personal

“Mbetet sfidë nëse rritja do të jetë e mundshme deri në 2030, pasi shumica e shteteve të rajonit kanë mungesë infrastrukture, dhe rritja ekonomike në këto kushte është tepër e rëndë. Po ashtu zbatimi i Planit do të thoja se mund të ngecë nga qeveritë rajonale, sepse problemet historike mund të jenë faktor tjetër që do të ngadalësojë bashkëpunimin ekonomik pra rritjen. Mbetet të shihet nëse gjatë këtij procesi afatgjatë do të ketë keqpërdorime që janë një pika të zeza për sinqeritetin dhe përkushtimin e qeverive rajonale. Nëse si shembull do të mirret Plani Marshall (1948), ku shtetet e Evropës Perëndimore e shfrytëzuan si plan jo vetëm për rimëkëmbje ekonomike, por edhe rritje ekonomike, atëherë shtetet e WB-6 janë në rrugë të drejtë,dhe nismat ndërkombëtare ekonomike do të kenë sukses”, thotë për Portalb.mk Ibraimi.

Edhe Malinka Ristevska Jordanova, nga Instituti për Politika Evropiane vlerëson se nuk mund të ankohemi se liderët e rajonit nuk takohen shpesh. Pas takimit për Planin e Rritjes muajin e kaluar në Shkup, shton Jordanova, kryeministrat dhe presidentët e Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi u takuan sërish javën e kaluar për dy takime. “I pari ishte takimi vjetor i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). I dyti ishte samiti “dypjesësh” në Tiranë me Ukrainën dhe sërish, për Planin e Rritjes”.

“Takimet e fundit vetëm e konfirmojnë tendencën e ngjarjeve që lidhen me rajonin që nga shpallja e Paketës së Zgjerimit në nëntor të vitit 2023. E  para është fokusi i vazhdueshëm te Plani i Rritjes. Ajo që shohim deri më tani është se përfaqësuesit nga rajoni janë në rolin e “realizuesve të mirë”, që e përsërisin angazhimin e tyre për reformat. Ata, me “agjenda reformuese” tashmë të shkruara e presin miratimin e Rregullores që duhet t’i mbështesë ato agjenda. Kohëve të fundit kryeministrat e disa vendeve anëtare të BE-së kanë ndërhyrë tek institucionet evropiane që ta përshpejtojnë procedurën, në mënyrë që Rregullorja e “rëndë” prej4 miliardë euro në kredi dhe 2 miliardë euro në grante të mos lihet për pas zgjedhjeve evropiane”, thotë Jordanova.

E dyta sipas saj, është lidhja e fortë dhe kushtëzimi i integrimit në BE me integrimin rajonal.

Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal
Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal

“Siç kemi konstatuar tashmë, Plani ofron një qasje të fragmentuar dhe mjaft të kufizuar në disa pjesë të tregut të BE-së me qëllim të “integrimit të avancuar ekonomik me BE-në”. Ajo që po paralajmërohet është  përgatitja e planeve dhe udhërrëfyesve të ri, bashkë ose në mënyrë komplementare me ato rajonale. Ose, siç thuhet shprehimisht në Deklaratën e fundit të përbashkët bisedojmë për iniciativa konkrete në fusha të veçanta dhe identifikojmë veprime kryesore që duhet të ndërmerren”, nënvizon Jordanova.

Kujtojmë se me 29 shkurt, liderët e shteteve të rajonit, gjatë Konferencën e nivelit të lartë kushtuar Planit të rritjes së Ballkanit Perëndimor në Tiranë, Republika e Shqipërisë, ku u miratua Deklarata e përbashkët e liderëve, në drejtim të bashkëpunimit të mëtutjeshëm institucional ndërmjet shteteve, duke specifikuar hapat dhe nismat konkrete për realizimin e këtij qëllimi të rëndësishëm për cilësinë e jetës së qytetarëve në gjithë rajonin tonë.

Liderët nga Ballkani Perëndimor u obliguan në Deklaratë për të filluar një dialog të strukturuar, së bashku me Komisionin Evropian dhe vendet anëtare të BE-së, me qëllim të zbatimit të Planit të rritjes, në një mënyrë që do të sjellë përfitime individuale dhe mund të nxisë prosperitetin rajonal dhe afrimin socio-ekonomik me BE-në.

Në deklaratë  vlerësohet se Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor paraqet një mundësi të shkëlqyer për avancimin e integrimit të rajonit në tregun e vetëm, si dhe në mekanizmat dhe instrumentet e BE-së, derisa përshpejtohen reformat në fushat strategjike dhe thelbësore, duke përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me sundimin e të drejtës dhe të drejtave themelore.

Plani i ri për rritje ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023, i njëjti bazohet në katër shtylla. E para, forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së. E dyta, forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal. E treta, përshpejtimi i reformave fundamentale. E katërta, rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.

Rikujtojmë që samit i ngjashëm për këtë plan u mbajt më 22 janar në Shkup.