Propozohet Ligji që funksionarët e listës së zezë mos të kenë të drejtë për funksione dhe para publike, Gjykata vendos për masat

Ministri për Punë të Jashtme në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani, sot njoftoi që ndryshimet e fundit në Ligjin për masat kufizuese, pra ligjit që përfshin personat e listës së zezë, janë harmonizuar dhe janë dërguar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Me ndryshimet që Qeveria sot i miratoi dhe i ka dërguar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, theksojmë që qëllimi i këtij ligji është edhe lufta kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare si dhe kërcënimet hibride në shtet”, deklaroi Osmani.

Ai tha që në ndryshimet e fundit janë marrë parasysh të gjitha vërejtjet e Ministrisë së Drejtësisë, duke shtuar që bazë për marrjen e masave kufizuese do të jenë edhe listat e zeza nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe.

“Kryesorja tani në këto ndryshime është inicimi i procedurës ligjore deri te Prokuroria dhe pastaj Prokuroria në bazë të ligjit detyrohet që të nisë procedurë, nëse do të ketë fakte të mjaftueshme do të bën edhe padi. Nëse Gjykata e pranon atë padi, Gjykata në bazë të ligjit do të duhet t’i përgjigjet prokurorit për dy instrumente të reja që i instalojmë në këtë ligj: pezullimi i detyrës publike dhe pamundësimi i prokurimeve publike për subjektet juridike”, sqaroi Osmani.

Ministri Osmani kërkoi nga deputetët që të votojnë propozim-ndryshimet e këtij ligji.

“Do të doja shumë të shihja kush do ta bllokojë. U debatua se pse u tërhoq, nëse ishte për arsye politike apo jo. Ka pasur një qeveri të re, por qeveria e re duhet ta mbrojë ligjin në Kuvend. Dhe sigurisht që duhet vërtetuar edhe një herë, dhe ka pasur harmonizim shtesë”, tha dje Osmani në një intervistë në Studio 10 në TV 24.

Në seancën e 16 janarit, qeveria me konsensus shprehu vullnetin politik që propozim-amandamentet ligjore të Ligjit për Masat Kufizuese t’i dorëzojë në Kuvend, por kryeministri i ri Talat Xhaferi e tërhoqi propozimin, për arsye të pretenduara administrative.

Ndryshimet në Ligjin për masat kufizuese u përditësuan pas zgjerimit të të ashtuquajturës “lista e zezë” e Shteteve të Bashkuara. Muajin e kaluar, Ministria e Punëve të Jashtme filloi një debat publik për ndryshimet në Ligjin për Masat Kufizuese, me të cilat si “lista e zezë” amerikane dhe lista e ngjashme e Mbretërisë së Bashkuar do të jenë bazë për futjen e masave shtetërore kundër individëve dhe kompanive.

Amendamentet e propozuara, siç njoftoi atëherë ministri Bujar Osmani, parashikojnë futjen e dy instrumenteve të rëndësishme, institucioni propozues të kërkojë dhe dorëzojë të gjitha provat materiale në Prokurori për fillimin e procedurës, përfshirë konfiskimin e pasurisë, e nëse përfundon me aktakuzë, parashihet ndalim i përkohshëm i kryerjes së funksionit publik dhe ndalim i pjesëmarrjes në prokurim publik, nëse ka të bëjë me persona juridikë.

Në lidhje me kritikat ndaj gjyqësorit dhe luftës kundër korrupsionit, drejtuar nga ambasadori holandez Dirk Jan Kopp, Osmani vlerësoi se ndonjëherë kritikat ndaj gjyqësorit keqinterpretohen si dobësi e Qeverisë.

“Ose kërkojmë një gjyqësor të pavarur, ose jo! Nëse kërkojmë një gjyqësor të pavarur, atëherë mos i bartni konfliktet dhe problemet brenda, tek ne në Qeveri, as si faj, sepse ne, apo jo, nuk duhet të ndërhyjmë. Kemi një ndryshim me ambasadorin holandez. Unë them, le të hapim kapitujt 23 dhe 24 për shtetin e së drejtës, ne nuk mund të reformojmë vetëm drejtësinë. Ai thotë, ne nuk mund t’i hapim kapitujt, por ju detyroni një gjyqësor evropian. Kjo nuk është e mundur, po të mundeshim nuk do të kishim bërë kaq shumë kompromise për të hapur rrugën evropiane”, tha Osmani.

Edhe zëvendëskryeministri i parë për çështje evropiane në Qeverinë teknike, Bojan Mariçiq, dje konfirmoi se nesër ligji do të kalojë në Qeveri.

“Pritet që të martën të ketë ndoshta më shumë se një seanë dhe të miratohet ligji për masa kufizuese”, theksoi Mariçiq pas vendosjes së luleve në varrin e Goce Dellçevit në kishën “Sveti Spas” në Shkup.

Kjo iniciativë erdhi pasi vitin e kaluar, SHBA zgjeroi “listën e zezë”, duke futur në të, ish- zëvendëskryeministri Koço Angjushev, kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, biznesmeni kundërthënës, Orce Kamçev, për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion të profilit të lartë. Në “listën e zezë” amerikane janë edhe ish-drejtori i policisë sekrete, Sasho Mijalkov, dhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ish deputeti Xhevat Ademi, ish ministri i punëve të brendshme, Lube Boshkovski dhe të tjerë.