ASH-ja e Taravarit: Punimet rrezikojnë tjetërsimin e identitetit të Kalasë së Shkupit, VLEN nuk mund ta mbron
Pas reagimit të Aleancës së Ziadin Selës dhe BDI-së së Ali Ahmetit, ka reaguar edhe Aleancë e Arben Taravarit në lidhje me punimet që janë paralajmëruar për në Kalanë e Shkupit, transmeton Portalb.mk.
“Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësim të thellë dhe dënim të prerë ndaj skemave të fundit korruptive ku janë përfshirë drejtuesit e grupimit politik VLEN, veçanërisht në dritën e paralajmërimeve për ndërtime të reja në hapësirën historike të Kalasë së Shkupit – një veprim që rrezikon të tjetërsojë identitetin kulturor dhe arkitektonik të këtij lokaliteti me rëndësi të veçantë për qytetarët dhe për historinë shqiptare”, deklaruan nga ASH-ja e Taravarit.
Ata vlerësojnë se VLEN-i i Izet Mexhitit nuk mund të mbrojë shqiptarët, pasi është i zhytur në bixhoz e ndërtimet të egra në Çair.
“Shembulli më skandaloz është Monopoli i Tetovës, simbol i historisë kolektive shqiptare, i kthyer në një kantier të betonit, përmes një pazari të pistë ku prona u ble për vetëm 7 mijë euro dhe më pas u shit për 5 milionë euro. Ky është krim ekonomik dhe kulturor që meriton hetim dhe ndëshkim, jo heshtje dhe justifikim”, deklaruan nga ASH-ja, duke përmendur edhe donacionin prej 800 mijë euro nga kompania serbe UNIPROMET.
Në lidhje me këto punime, dje (26 korrik) ka reaguar edhe Aleanca për Shqiptarët e udhëhequr nga Ziadin Sela, ndërsa sot (27 korrik) BDI-ja.
Ndryshe, kryetarët e disa komunave të Shkupit që udhëhiqen nga kuadri i VMRO-DPMNE, kanë marrë pjesë në nismën e Ministrisë së Kulturës për pastrimin e hapësirave në Kalanë e Shkupit. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe ministri Igor Filkov.
Ministria e Kulturës ka ndarë 8 milionë denarë për investime në Kalanë e Shkupit, punime që do të zgjatin deri në vitin 2026-të, kur do të lëshohet për shfrytëzim.
Punimet në Kalanë e Shkupit nxitën probleme ndëretnike në dekadën e kaluar, kur partia në pushtet VMRO DPMNE incioi ndërtimin e tre objekteve, të cilat u kontestuan nga shqiptarët sepse ishin objekte monetnike dhe monofetare. Për shkak të tensioneve që u krijuan nga protestat asokohe, Kalaja si hapësirë historike dhe turistike mbeti e mbyllur me vite.