Me 8 milionë denarë (rreth 130,000 euro) që do të sigurohen nga ribalanci i buxhetit, dy muzetë e Kalasë në Shkup do të rindërtohen dhe do të punohet në sanimin e saj për t’u bërë një atraksion turistik, tha sot Ministri i Kulturës dhe Turizmit Zoran Lutkov. Në konferencën për media në Kala, së bashku me Vesela Çestoevën, drejtore e Administratës për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, kryetarin e Shoqatës së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL) dhe kryetarin e Komunës së Kisella Vodës Orce Gjorgievski, si dhe kryetarë të tjerë të komunave të Shkupit, transmeton Portalb.mk.
Ministri Lutkov tha se Kalaja ka qenë e lënë pas dore dhe e shkatërruar për 10 vjet.
“U përpoqëm disa herë të kontaktojmë Qytetin e Shkupit dhe Ndërmarrjen Publike ‘Parqe dhe Gjelbërim’ për të ndihmuar në procesin e pastrimit, por nuk morëm asnjë përgjigje. Kjo është arsyeja pse iu drejtuam ZELS-it dhe puna tashmë është duke u zhvilluar për pastrimin dhe peizazhin e Kalasë së Shkupit”, tha Lutkov.
Në vitin 2011, filloi ndërtimi i tre muzeve – për parahistorinë, periudhën osmane dhe periudhën mesjetare, por deri më sot ato nuk janë hapur dhe as hapësira nuk është rregulluar.
Në tetor të vitit të kaluar, Çestova tha se muzetë e ndërtuara plotësisht të destinuara për shfaqjen e objekteve arkeologjike nga periudhat parahistorike dhe osmane janë lënë pas dore plotësisht dhe dëmtimet e pjesshme janë të dukshme. Muzeu i destinuar për shfaqjen e objekteve arkeologjike nga periudha mesjetare, i cili nuk është zgjeruar, është plotësisht i mbuluar me bimësi.
Lutkov shtoi se të dy muzetë janë në gjendje shumë të keqe dhe do të kenë nevojë për një zëvendësim të plotë të mekanizimit dhe ajrit të kondicionuar. Do të shpallet një prokurim publik për riparimin e këtyre hapësirave. Objekti duhet të vihet në funksion në vitin 2026, dhe tashmë në vitin 2028, siç tha ministri, kur Shkupi do të jetë Kryeqyteti Evropian i Kulturës, duhet të jetë një nga më të përdorurit.
Kujtojmë që Kalaja e Shkupit vazhdimisht është lënë pa përkujdesjen adekuate.
Punimet në Kalanë e Shkupit nxitën probleme ndëretnike në dekadën e kaluar, kur partia në pushtet VMRO DPMNE incioi ndërtimin e tre objekteve, të cilat u kontestuan nga shqiptarët sepse ishin objekte monetnike dhe monofetare. Për shkak të tensioneve që u krijuan nga protestat asokohe, Kalaja si hapësirë historike dhe turistike mbeti e mbyllur me vite.