U rikthye projekti për falsifikimin e historisë në Kalanë e Shkupit, alarmoi ASH-ja
Aleanca për Shqiptarët e udhëhequr nga Ziadin Sela, ka akuzuar Qeverinë e Maqedonisë së Veriut se po tentojnë të falsifikojnë historinë e vendit, përmes projekteve në Kalanë e Shkupit, transmeton Portalb.mk.
“Për një vit VMRO-DPMNE po rikthen të gjitha projektet nacionaliste dhe diskriminuese. Vendimi i fundit për “revitalizimin” e dy muzeve në Kalanë e Shkupit nuk është asgjë tjetër, vetëm se vazhdim i projektit famëkeq për ndërtimin e muzeve për falsifikimin e historisë dhe të vërtetës për Kalanë”, reaguan nga Aleanca për Shqiptarët.
Ata akuzojnë pushtetarët shqiptar të VLEN-it se po heshtin gjatë realizimit të këtij projekti, duke i quajtur edhe “vasalët shqiptarë në Qeveri”.
“Tendencat e këtilla kalojnë çdo kufi të tolerancës, prekin rëndë ndjenjat kombëtare të shqiptarëve si dhe historinë tonë shekullore. Kujtojmë se një projekt i tillë që në fillim pati nxitur tensione ndëretnike me pasoja afatgjate”, deklaruan nga ASH-ja, duke kërkuan nga Qeveria të heqin dorë nga ky “plan ogurzi”, ndërsa për vlerësojnë se partitë shqiptare në Qeveri as i pyet dikush.
Ndryshe, kryetarët e disa komunave të Shkupit që udhëhiqen nga kuadri i VMRO-DPMNE, kanë marrë pjesë në nismën e Ministrisë së Kulturës për pastrimin e hapësirave në Kalanë e Shkupit. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe ministri Igor Filkov.
Punimet në Kalanë e Shkupit nxitën probleme ndëretnike në dekadën e kaluar, kur partia në pushtet VMRO DPMNE incioi ndërtimin e tre objekteve, të cilat u kontestuan nga shqiptarët sepse ishin objekte monetnike dhe monofetare. Për shkak të tensioneve që u krijuan nga protestat asokohe, Kalaja si hapësirë historike dhe turistike mbeti e mbyllur me vite.