ART DHE ERUDICION

Shkrimtari nuk mund të ndërhyjë në “vullnetin e lirë” të lexuesit nga çasti kur botohet libri i tij. Libri bën jetë të pavarur nga autori. Këtë e thotë me gjuhën e letërsisë edhe shkrimtari Bajram Kosumi në librin Enciklopedia imagjinare.

“Krijuesi e krijon botën e përfytyruar dhe lexuesi duhet ta jetojë”. Si lexues “mund të ndërhyni dhe të shtyni tutje mijëra vizione”…

Për shkrimtarin nuk është e njëjtë as kënaqësia e shkrimit me kënaqësinë e botimit të një libri. Të shkruarit, sipas Floberit, është mënyrë tjetër e të jetuarit…

“Unë po ua jap këtë Enciklopedi… dhe asgjë nuk kërkoj në kthim: më mjafton lumturia e pafundme për krijimin e saj”

Bajram Kosumi është shkrimtar, pedagog universitar dhe kryeministri i dikurshëm i Republikës së Kosovës. Ai është mendimtari mendjemprehtë, mendjehapur, dijeshumë, shpirtlirë, me qasje unike për probleme të ndryshme letrare, shkencore, politike dhe socio-kulturore. Është shkrimtari që luan bukur me violinën e gjuhës. Ai i ka kryer të gjitha ciklet e studimeve, por edhe universitetin që Stefan Cvajgu, në librin Bota e Djeshme, e quajti Universiteti i Jetës.

Ideja për librin Enciklopedia imagjinare i lindi në burgun e Nishit. Meditimi brenda burgut është mundësi mbijetese. Të mbron nga ligështimi, trishtimi dhe nga fati i keq, që, sipas Bodlerit, shpesh i ka fshikulluar poetët. Nëpërmjet meditimit arrijmë në yjësi të tjera, të paprekshme nga dhunuesit.

Shkrimtari Filip David, në romanin Shtëpia e kujtesës dhe harresës, flet për misticizmin si mundësi mbijetese në rrethana të pashpresa. Pra, t’i mbyllësh sytë, të kalosh në përmasë tjetër, të çlirohesh nga bota e trishtë dhe ta ruash vetveten nëpërmjet simboleve.

Në burg Bajram Kosumi shkroi poezi. Poezitë e para të tij i kam lexuar te Libri i lirisë (Zëri, 1991), bashkë me poezitë e poetëve: Merxhan Avdyli, Ismail Syla, Hydajet Hyseni dhe Jonuz Jonuzaj. Libri u përgatit për botim nga profesori Agim Vinca…

Këtë herë Bajram Kosumi ka botuar një libër të veçantë, i cili në titull e ka fjalën “enciklopedi”.

Ta lexosh një enciklopedi është sikur të lëvizësh nëpër kujtesën e njerëzimit.

Enciklopeditë, si libra të domosdoshëm për një kulturë, ofrojnë të dhëna të thukëta, të besueshme, objektive, neutrale për fusha të ndryshme të dijes. Por, ka edhe enciklopedi të shkruara për motive politike, ku autorët i kanë mbivendosur paragjykimet e tyre për popuj të caktuar.

Për enciklopeditë, atlaset, librat, bibliotekat, muzetë dhe labirintet kanë shkruar shumë shkrimtarë të shquar të shekullit XX, të cilët krijuan letërsi të frymëzuar nga letërsia.

Roli i enciklopedive, sipas Umberto Ekos, nuk është vetëm ruajtja e kujtesës, por edhe hedhja e gjërave që një kulture nuk i duhen. Nëse s’do të hidhnim asgjë, atëherë do t’i ngjanim Funesit nga një tregim i Borges-it. Funesi ka kujtesë totale, por pasi nuk mund të harrojë asgjë dhe nuk mund t’i filtrojë informacionet e dobishme nga të padobishmet, ai nuk është i aftë t’i analizojë dhe t’i arsyetojë dukuritë. Funesi sot krahasohet me Internetin, ku kemi fluks të madh informacionesh të paverifikuara që i pranojmë pa gjykim kritik.

Pati edhe autorë që i përçmuan enciklopeditë, sepse nuk flasin për dhembjen njerëzore. Për dhembjet njerëzore flet letërsia. Flet edhe post – romani Enciklopedia imagjinare, ku autori s’ka renditur vetëm fakte. Në këtë vepër gërshetohen fakti me fiksionin. Aty ngjizen historia, mitologjia, teologjia, antropologjia, etnografia, imagologjia, fizika e metafizika, profania dhe sakralja, filozofia, estetika, etika e politika, e vetëdijshmja, e vetvetishmja, e nënvetëdijshmja dhe e pavetëdijshmja. Kemi poezi në prozë, intertekst dhe erudicion që nuk e mbyt letërsinë.

Librin Enciklopedia imagjinare, ku autori e ka përdorur teknikën e miksazhit, si veçanti e postmodernizmit, mund ta krahasojmë me krijimet artistike të Robert Rauschenbergut (1968 – 2008), i cili vendosi objekte të ndryshme në veprat e tij dhe duke luajtur me kontekstet, krijoi njëfarë, ta quajmë, palimpsesti…

Bajram Kosumi shpesh i mënjanon emërtimet e njerëzve dhe vendeve. Kështu e ka universalizuar veprën, e cila mund të receptohet nga çdo sistem kulturor. “Ishulli imagjinar” mund të jetë Kosova, Shqipëria, Ballkani, por edhe çdo hapësirë gjeografike ku mbizotëron filozofia e pallangës.

Libra të këtillë janë shkruar edhe nga autorë të tjerë. Martianus Capella e krijoi në shekullin V veprën enciklopedike Satyricon. Borges-i shkroi tregime që duken si ese ose studime. Danilo Kishi e shkroi Enciklopedinë e të vdekurve, me tregime mbi dashurinë dhe botën e të vdekurve. Janë shkruar edhe vepra letrare në formë fjalorësh që ndonëse duken si mozaikë copëzash të shkëputura e kanë një bosht kur lexohen si tërësi.

Zakonisht në kësi librash përzihen zhanret. E tillë është edhe vepra Enciklopedia imagjinare, ku, siç kanë vërejtur studiuesit, kemi ligjërim letrar, eseistik, shpjegues dhe argumentues…

Çfarë e dallon një enciklopedi reale nga një enciklopedi imagjinare?

Enciklopeditë reale i përdorim gjithë jetën dhe aty kërkojmë të dhëna që na duhen, por nuk e marrim mundimin që ato t’i lexojmë nga fillimi deri në fund. Enciklopedia imagjinare e Bajram Kosumit, pavarësisht se çfarë rekomandon narratori, lexohet nga fillimi deri në fund. Ky libër duhet edhe të rilexohet. Sipas Emil Sjoranit, shkrimtari ekziston vetëm nëse e rilexojmë.

Post – romanin Enciklopedia imagjinare mund ta lexojmë në mënyra të ndryshme. Narratori sugjeron disa lloje leximesh. Mund ta lexojmë nga fillimi deri në fund, nga mesi, të bubërrojmë nëpër tekstin letrar ose ta lexojmë pa ndonjë sistem.

Librin mund ta hapim kudo. Për shembull, te “zëri enciklopedik” ku flitet për imazhin e poetit në shoqërinë tonë përgjatë periudhës 1970 – 2010. Poeti herë shihej si profet, herë si i parëndësishëm, madje si qyqar dhe së fundmi shihet si njeri të cilit i mungon serioziteti dhe pragmatizmi. Pra, shihet si budalla.

Te një zë tjetër e kemi dilemën e frikshme, veçanërisht për ne që i përkasim më shumë Galaktikës Gutenberg sesa Galaktikës Digjitale.

“Nuk e di a do të marrin pjesë fëmijët tanë në varrimin e librit. I lumtur jam që nuk do të marr pjesë unë”.

Kemi shumë fragmente nga historia, që nuk rrëfehen nga fituesi, por edhe nga humbësi. Historia ndodh që të rrëfehet në mënyrën më të pazakonshme: nëpërmjet humorit.

Flitet edhe për “ishullarët” që besojnë se jetojnë në qendër të botës, por janë në margjinat e vëmendjes së botës dhe të historisë.

Në këtë libër, ku përzihen imagjinarja me realen dhe ku kemi qindra personazhe, mund të lexojmë edhe për Maqedoninë, e cila nga autorët paraardhës është quajtur sallatë popujsh, kulturash, gjuhësh, religjionesh, por edhe “mollë sherri” ose “mollë Eride”. Atë mund ta krahasojmë edhe me një grua fatale, të cilën e deshën shumë mëtues dhe e lënduan rëndë. Pastaj ndryshuan raportet dhe i vuajturi filloi ta dhunonte bashkëvuajtësin…

Enciklopedia imagjinare nuk është libër ku vetëm eksperimentohet me formën, por një libër që të mahnit me mënyrën si është shkruar, një libër që të shtyn të mendosh dhe të vë përpara dilemave të shumta, si çdo libër i mirë.

I lexon më shumë se 700 faqe dhe nuk mërzitesh asnjë çast. Kur përfundon së lexuari këtë libër, të duket sikur ke qenë në një nga festat më të pazakonshme që na i rezervon letërsia e mirë. Pas kësaj feste je i bindur se këtë libër do ta rilexosh…

Më lejoni ta bëj një ftesë, e cila i bezdis ata që merren me letërsi: lexojeni këtë libër, qoftë disa pjesë, qoftë nga fillimi, nga mesi ose nga fundi!

Si lexues tradicional, që besoj se fjala “modë” dhe “letërsi” nuk shkojnë bashkë, këtë libër e kam lexuar nga fillimi deri në fund, madje duke nxjerrë shënime. Me kalimin e kohës i lexoj pjesët e nënvizuara ose mbivendosjet e mia përmbi tekst, që janë si forma palimpsesti. Gjatë rileximeve ndodh të lexoj nga mesi ose nga fundi, ashtu siç sugjeron narratori…

Si përfundim, libri Enciklopedia imagjinare është shkruar me mendje, shpirt, dhembje dhe me doza humori. Është libër që nuk shërben si referencë për studime shkencore dhe as për të bërë karrierë akademike. Ky është libër për ata që e duan diçka pa interes, ashtu sikurse Kanti e përkufizoi të bukurën…

Pas leximit të librit Enciklopedia imagjinare mund të them se tani e kam edhe një shkrimtar të preferuar dhe ai është Bajram Kosumi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.