Bota është më e trishtë

Thuhet se kur shuhet një poet, bota bëhet më e trishtë. Pas ikjes në amshim të poetes, studiueses dhe përkthyeses Linditë Ahmeti, bota është edhe më e trishtë.

Ajo shkoi drejt një yjësie tjetër, drejt një përmase tjetër ekzistenciale, pasi e krijoi një vepër madhështore poetike, e cila do të lexohet përgjithmonë.

Ikja e papritur e Linditës, e cila na befasonte me libra të shkëlqyer, na la pa frymë. Ne, miqtë, jemi të trishtuar. Nuk duam të flasim për ikjen e Saj. Duam vetëm të heshtim. Kur dhembja është shumë e madhe, atëherë na mbetet vetëm heshtja…

Më nuk do ta dëgjojmë zëëmblën Lindë si ligjëronte me shumë mençuri për të bukurën, por tani e përgjithmonë Ajo do të jetë në mendimet tona…

Lindita Ahmeti është fati i madh për letërsinë shqipe. Ajo është ndër poetet më të mira që kemi pasur. Ndër më të kulturuarat. Ndër më shpirtbardhat. Ndër më të sinqertat. Një shpirt i mbushur me mirësi.

Nëse ne të tjerët kishim edhe prioritete të tjera përveç letërsisë, për Linditën letërsia ishte frymëmarrje dhe mënyrë jetese…

Lindita luajti mjeshtërisht me harpën e gjuhës. Ajo i ledhatoi telat e kësaj harpe me shumë delikatesë.

Lindita kishte shumë plane për të ardhmen, por e shkruara në qiell nuk mund të korrigjohet në tokë. Në qiell shpirti, kurse në tokë dhembja, trishtimi, mungesa dhe kujtimet për Lindën që krijoi vepër të përjetshme.

Muza e Lindës ligjëroi jo vetëm për lexuesit e sotëm, por edhe për lexuesit e së nesërmes…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.