Empatia për të përçmuarit

Të jesh me fituesit është e lehtë, por është virtyt dhe akt i madh njerëzor të jesh me humbësit, me të pafuqishmit, me të përvuajturit, me të përçmuarit…

Le të mendojmë për fëmijët që në acar ose në zhegun përvëlues bredhin rrugëve duke kërkuar lëmoshë. Si do të ishim ndjerë nëse fëmijët tanë do të ishin në pozitën e tyre?

Të reflektosh për gjendjen e tyre do të thotë të kesh empati…

Përse romët nuk i shohim si gjithë të tjerët? Përse përherë janë “të tjerë”? Përse nuk tentohet që ata të integrohen në shoqëri? Përse në mesin e tyre ka shumë të pashkolluar? Përse shoqëritë dhe shtetet nuk merakosen për këtë dukuri? A nuk kanë edhe ata ëndrra, dëshira, iluzione, dhembje, mall, dashuri, trishtim? A nuk duan edhe ata të jetojnë më mirë?

Ata kudo janë populli më apatrid, më i paintegruari, më i pazhvilluari, më i varfri, më i paragjykuari, me jetëgjatësinë më të shkurtër në të gjithë vendet europiane.

Vëmendja tek ata rikthehet vetëm gjatë 8 Prillit, në Ditën Ndërkombëtare të Romëve – një ditë kushtuar kulturës, artit, gjuhës dhe traditave të tyre. Në këtë ditë theksohet se shumica e tyre jetojnë në varfëri, pa strehë dhe pa kushte elementare jetësore.

Romët përçmohen çdo orë, çdo ditë, çdo stinë. Edhe kur këndojnë dhe janë të lumtur. Edhe kur duan ta jetojnë çastin.

Ata kanë një thënie të bukur: “Turpi i të pasurve dhe vdekja e të varfërve nuk dëgjohen larg”. Mjerisht, vuajtjet, vdekjet dhe trishtimet e tyre nuk dëgjohen larg.

Ata njihen edhe si popull që e duan këngën… Prandaj, le ta përmbyllim këtë shkrim me një këngë popullore rome: “Endem, blej./ Blej, shes. / Gjithçka mund ta blej / Gjithçka mund ta shes / Veç sytë e tu s’mund t’i blej / Sytë e tu si rrushi./ Endem, blej./ Blej, shes. / Gjithçka mund ta blej/ Gjithçka mund ta shes / Veç fytyrën tënde s’mund ta blej / Fytyrën tënde si hëna.”

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.