Aktakuzë ndaj Ramiz Merkos, emëroi drejtor shkolle në kundërshtim me dispozitat ligjore

Prokuroria Themelore Publike Strugë ka ngritur aktakuzë kundër kryetarit të Strugës, Ramiz Merko për veprën penale – Punë e papërgjegjshme në shërbim nga neni 353-c paragrafi 1 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.

“I akuzuari si zyrtar – kryetar i komunës së Strugës, më 31.01.2022, me rastin e emërimit të ushtruesit të detyrës së drejtorit në një shkollë fillore komunale në fshatin Llabunishtë, ka shkelur dispozitat ligjore për veprim të ndërgjegjshëm. Me këtë ka marrë vendim dhe ka emëruar një person i cili nuk ka qenë punëtor, siç parashikohet në nenin 118 të Ligjit për arsimin bazë dhe nuk ka pasur përvojë adekuate të punës në punë edukativo-arsimore siç parashihet në nenin 109 të Ligjit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. 

Kështu, siç njofton Prokuroria, i akuzuari ka bërë të mundur që personi të emërohet në detyrë dhe t’i paguhet paga si ushtrues detyre drejtor për 19 muaj, i cili i ka shkaktuar shkollës dëm në shumën totale të pagave dhe kontributeve të paguara në mënyrë të pabazuar.

Kujtojmë se Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion (PThP NKOK) së fundmi ka ngritur padi kundër kryetarit të Komunës së Strugës, Ramiz Merko, për blerjen e veturës luksoze “Audi” në kurriz të Komunës, dhe me iniciativë të Komisionit Kundër Korrupsionit.

Aktakuza ndaj Merkos i referohet veprës penale të keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga neni 353 paragrafi 4 në lidhje me paragrafin 1 të KP, i cili parasheh dënim me burg nga një deri në pesë vjet.

Merko, para 4 vitesh në lidhje me blerjen e kësaj veture luksoze për “24 Analiza” tha se i nevojitet vetura sepse Struga është larg.