ASH krahu i Selës thotë se gjykata vendosi që ai të jetë kryetar i partisë, Taravari: Vulat ia japin BDI-së

Aleanca për Shqiptarët krahu i Ziadin Selës për Portalb.mk ka konfirmuar se kanë pranuar vendimin e Gjykatës së Tetovës që Ziadin Sela do të jetë kryetar i partisë. Nga ana tjetër, Arben Taravari ka thënë se nëse kjo është e vërtetë do ankimohen.

Nga zyra për informim e Aleancës për Shqiptarët (krahu i Selës) për Portalb.mk theksuan se gjykata ka vendosur se është pranuar kërkesa e tyre për regjistrimin e Ziadin Selës për kryetar të Aleancës për Shqiptarët.

“Me këtë vendim janë njoftuar të gjitha palët dhe tanimë zyrtarisht, kryetar i ASH është Ziadin Sela”, thanë nga ASH krahu i Selës.

Nga ana tjetër, reagoi Arben Taravari ai tha se krahu i Selës thotë që sot i ka marrë vulat e Aleancës për t’ia dhënë BDI-së.

“Edhe sikur të jetë e vërtetë ne do të ankimohemi por edhe sikur t’i marrin me sistemin e kapur që e kanë në dorë, kam një pyetje…po Popullin?! Jo besa, popullin nuk e fiton dot me asnjë gjykatë”, tha Taravari.

Avokati i Taravarit, Abidin Abduli në një deklaratë për TV21 theksoi se zyrtarisht nuk ka pranuar dokument nga gjykata dhe se nuk është mbajtur seancë por që vendimi është sjellë pa seancë. Ndërkaq theksoi se për këtë rast janë ndryshuar katër gjykatës, kurse akuzoi për presion. Nënvizoi se do bëjnë ankesë.

Ndërkaq edhe Taravari paraprakisht ka theksuar se ndaj Gjykatës së Tetovës është bërë presion për ndryshimin e gjykatësve në lidhje me këtë proces, me qëllim që të sillet vendim kundër tyre.

Kujtojmë se Arben Taravari dhe Ziadin Sela hynë në konflikt të hapur për koalicionin e mundshëm parazgjedhor me opozitën shqiptare.

Me këtë Aleanca u përça në dy fronte, në krahun e Taravarit i cili në zgjedhje do shkojë bashkë me opozitën shqiptare VLEN (Lëvizja Besa, Alternativa Lidhja Demokratike) dhe në krahun e Ziadin Selës i cili në zgjedhje do të garojë me “Frontin Evropian(Bashkimi Demokratik për Integrim, Partia Demokratike Shqiptare, Lëvizja Populli, Partia Demokratike Europiane, Partia Demokratike Turke Unioni i Romëve, Lëvizja e Turqve të Maqedonisë për Drejtësi dhe Demokraci, Unioni Demokratik Boshnjak).

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare. Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.