Gjykata e Tetovës vendosi për fatin e ASH-së: Taravari kryetar legjitim i partisë (Dokument)
Gjykata Themelore e Tetovës ka vendosur në lidhje me përplasjet brenda Aleancës për Shqiptarët, duke i dhënë të drejtë krahut të udhëhequr nga Arben Taravari dhe duke refuzuar kërkesat e paraqitura nga Zijadin Sela. Këta të fundit kanë paralajmëruar ankesë në Gjykatën e Apelit, transmeton Portalb.mk.
Sipas vendimit të marrë pas seancës dëgjimore të mbajtur më 3 mars 2026, gjykata ka pranuar kërkesën e Taravarit për ndryshime në statutin e partisë. Me këtë vendim, shfuqizohet statuti i miratuar në Kongresin e jashtëzakonshëm të 24 dhjetorit 2022, ndërsa në fuqi rikthehet statuti i miratuar më 27 mars 2022, në përputhje me vendimin e Kongresit të jashtëzakonshëm të mbajtur më 16 shkurt 2024 në Shkup.
Në të njëjtën kohë, gjykata ka refuzuar si të pabazuara kërkesat e paraqitura nga Zijadin Sela, i cili kishte kërkuar që të regjistrohej si kryetar i ri i partisë në vend të Arben Taravarit, si dhe të miratoheshin ndryshime të reja në statut.
“Miratohet kërkesa e partisë politike Aleanca për Shqiptarët Tetovë e paraqitur nga Arben Taravari (e datës 07.03.2024) për regjistrim në Regjistrin gjyqësor të partive politike që mbahet në Gjykatën Themelore të Tetovës, duke ndryshuar statutin e Aleancës për Shqiptarët, si vijon: Statuti i miratuar në Kongresin e 3-të të jashtëzakonshëm të mbajtur më 24.12.2022 shfuqizohet dhe Statuti i miratuar në Kongresin e 2-të të partisë politike Aleanca për Shqiptarët të datës 27.03.2022 regjistrohet në Regjistrin gjyqësor të partive politike në përputhje me vendimin nr. 86-02/2024 të Kongresit të 4-t të jashtëzakonshëm të mbajtur më 16.02.2024 në Shkup. Kërkesa për regjistrim në Regjistrin gjyqësor të partive politike që mbahet nga Gjykata Themelore e Tetovës për ndryshimin e kryetarit të partisë politike Aleanca për Shqiptarët me seli në Tetovë në rrugën V.S.Bato nr. 1, e paraqitur nga Zijaden Sela, dhe kërkesa për ndryshimin e Statutit të partisë Aleanca për Shqiptarët e paraqitur nga Zijaden Sela, REFUZOHEN SI E PABAZUARA”, thuhet në vendim.

Rasti kishte të bënte me dy kërkesa të kundërta nga brenda të njëjtës parti, të cilat gjykata i bashkoi në një procedurë të vetme për shqyrtim. Pas analizimit të dokumentacionit dhe dëgjimit të palëve, gjykata vendosi të njohë si të vlefshme vetëm propozimet e paraqitura nga Taravari.
Ky vendim nënkupton se Arben Taravari mbetet kryetar i njohur ligjërisht i Aleancës për Shqiptarët dhe se partia do të vazhdojë të funksionojë mbi bazën e statutit të vitit 2022.
Në lidhje me këtë vendim, ka reaguar Aleanca për Shqiptarët e udhëhequr nga Ziadin Sela.
“Vendimi i sotëm i sistemit gjyqësor vetëm se konfirmoi atë që ne kemi thënë vazhdimisht, që Arben Taravari është shërbetor i këtij sistemi të kapur që punon kundër shqiptarëve dhe kundër Aleancës për Shqiptarët. Ne zhvilluam një betejë gjyqsore të bindur në të drejtën tonë edhe statutare edhe ligjore, por gjithmonë të vetëdijshëm se po përballemi me një sistem dhe një shërbetor të rëndësishëm të këtij sistemi”, raportoi ASH-ja e Selës.
Ata paralajmëruan se do të ankohen në Gykatën e Apelit.
Fillimisht Gjykata e Tetovës vendosi që vulat e partisë t’i takojnë Ziadin Selës por krahu i Taravarit ankimoi vendimin në Apel. Shkalla e dytë e ktheu lëndën në rigjykim. Edhe vendimi i dytë i Gjykatës së Tetovës, përsëri ishte në favor të Selës. Në shkurt të vitit 2025, për herë të dytë Gjykata vendosi se kryetar legjitim i Aleancës është Ziadin Sela por edhe këtë vendim e ankimuan nga krahu i Taravarit. Apeli sërish e riktheu në rigjykim.
Përçarja e parë në Aleancën për Shqiptarët ndodhi para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale 2024, kur Arben Taravari dhe Ziadin Sela i ndanë rrugët dhe u krijuan dy fronte.
Taravari në zgjedhje shkoi me koalicioni VLEN ndërsa sela me Frontin Evropian.
Pas zgjedhjeve, Aleanca e Taravarit hyri në Qeveri si pjesë e koalicionit VLEN, ndërsa Aleanca e Selës mbeti në opozitë me Frontin Evropian.
Përçarja e dytë në Alencën për Shqiptarët të Taravarit ndodhi pak para se të mbushen një vit nga pjesëmarrja në qeveri dhe pak muaj para zgjedhjeve lokale. ASh-ja e Taravarit vendosi ta braktisë Qeverinë dhe koalicionin VLEN, ndërsa në zgjedhjet lokale shkoi në koalicion me AKI-në (Frontin Evropian).
Në ndërkohë gjatë rrugës u krijua edhe grupi i tretë i Aleancës i prirë nga Arben Fetai.