Arben Fetai është emëruar i dërguar special për BE-në në Bruksel
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në seancën e së martës ka emëruar Arben Fetain të Dërguar Special për Bashkimin Evropian, me seli në Bruksel, transmeton Portalb.mk.
Lajmin e ka konfirmuar vetë Fetai përmes një shkrimi të publikuar në profilin e tij në Facebook, ku ka thënë se, do të angazhohet për avancimin e proceseve eurointegruese të vendit.
“Ky është një nder i madh, por pa dyshim një përgjegjësi edhe më e madhe. Detyra që më është besuar është të angazhohem për avancimin e procesit të integrimit evropian të vendit tonë, duke forcuar mbështetjen politike në institucionet dhe shtetet anëtare të BE-së, kontribuar në tejkalimin e sfidave politike e diplomatike, si dhe duke e bërë zërin e Maqedonisë së Veriut më të fuqishëm dhe më të pranishëm në Bruksel e në kryeqytetet evropiane. Pas një karriere të gjatë në Bruksel dhe me përvojën e fituar në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku kam dëshmuar përkushtimin tim ndaj perspektivës evropiane të vendit, e marr këtë detyrë me bindjen e plotë se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në BE”, ka shkruar Fetai.
Kujtojmë se, Fetai paraprakisht ka ushtruar detyrën e zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë, prej ku paraqiti dorëheqjen e tij më 1 qershor, dhe e njoftoi këtë në një postim në profilin e tij në Facebook. Dorëheqja erdhi pasi, Fetai nuk ishte paraqitur në punë për një kohë të gjatë, dhe sipas informacioneve nga periudha e kaluar, aktivitetet e tij të fundit publike si mbajtës i këtij pozicioni datojnë që nga marsi. Në prill të këtij viti, kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se Fetai personalisht ia ka përcjellë atij se nuk e sheh veten në qeverinë që drejton në të ardhmen dhe se planifikon të kthehet në Bruksel, ku ka përvojë të mëparshme profesionale.
Kjo pasoi pasi ministri i Shëndetësisë Azir Aliu tha në një intervistë se kolegu i tij në Qeveri dhe bashkëpartiak në VLEN nuk ka marrë pjesë në seancat qeveritare në periudhën e fundit.