Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës edhe formalisht do të njihet si Lidhja Shqiptare (LSH). Partia mbajti sot kongresin e saj të pestë në Pallatin e kulturës në Tetovë ku 713 delegatë votuan Ziadin Selën për kryetar, raporton MIA.
Në Kongres u miratua edhe Rezolutë për shtet binacional, ndërkohë që Sela deklaroi se do të vazhdojë të mbrojë interesat e shqiptarëve duke ngritur zërin për kauzat etnike.
“Sot nuk përfundon, sot nis gjithçka”, tha ai duke iu drejtuar aktivistëve se ka shumë punë që duhet bërë, ndërkohë që njoftoi për krijimin e nëndegëve.
Sela tha se nuk do të qëndrojnë duarkryq e të strukur në tendencat për të sulmuar në të drejtat, por siç tha, do të ketë përgjigje me “sulm” duke ritheksuar qëndrimet në lidhje me temat aktuale në vend por edhe për hyrjen në Qeveri.
Edhe Ilire Dauti tha se nga tani e tutje, subjekti i tyre politik do të jetë Lidhja Shqiptare, ndërkohë që për Aleancën për Shqiptarët nën udhëheqjen e tyre, tha se gjithmonë ka shkulur rrënjë dhe thera nga këmbët e shqiptarëve.
“Këtë maratonë do ta quajmë Lidhja Shqiptare nën moton ‘Lidhja është gjallë’”, tha Dauti duke shtuar se kësaj rruge do t’i prijë Ziadin Sela.
Mes të pranishmëve kanë qenë edhe përfaqësues të VLEN-it, BDI-së si dhe përfaqësues nga LSDM dhe Partia Boshnjake.
Ziadin Sela në fund të muajit mars njoftoi se betejën për Aleancën për Shqiptarët do ta vazhdojë në Gjykatën e Apelit. Ai theksoi se ka themeluar parti rezervë, që sipas tij, do t’i lejojë të garojë në zgjedhje pa u varur nga vulat e partive të tjera.
Pas ndarjes me Taravarin, para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në vitin 2024, krahu i Aleancës për Shqiptarët i udhëhequr nga Zijadin Sela ishte pjesë e koalicionit “Fronti Evropian”, të udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), i cili më pas u riemërua “Aleanca Kombëtare për Integrim” (AKIA). Në dhjetor të vitit të kaluar, në një mbledhje të kryesisë së partisë, krahu i Selës vendosi të largohej nga koalicioni AKI, dhe që deputetët e saj në Kuvend të vepronin si grup i pavarur.
Në muajin mars, siç thotë krahu i Selës, Gjykata Themelore në Tetovë mori vendim politik dhe të cilin e konsiderojnë si një atentat ndaj një partie politike shqiptare që “për vite me radhë ishte një faktor i madh në skenën politike në vend dhe një mbrojtëse e fuqishme e kauzës kombëtare shqiptare”.
- LEXO: Sela: Krijova parti, që mos të varem nga vulat e partive të tjera në zgjedhje, betejën për ASH-në do ta vauzhdoj në Apel
- LEXO: Ziadin Sela: Kam krijuar parti të re politike, quhet “Lidhja Shqiptare”
- LEXO: Gjykata e Tetovës vendosi për fatin e ASH-së: Taravari kryetar legjitim i partisë (Dokument)
- LEXO: Një Aleancë për Shqiptarët, dy fronte: Procesi për vulat ende në gjykatë, dy grupet në “luftë” me njëra tjetrën
- LEXO: ASH krahu i Selës thotë se gjykata vendosi që ai të jetë kryetar i partisë, Taravari: Vulat ia japin BDI-së