Në Gjykatën Penale në Shkup ka vazhduar gjykimi për rastin “Lotaria Shtetërore”, ku të akuzuar janë edhe ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe ish-drejtori i Lotarisë, Perparim Bajrami. Në seancën e sotme dëshmoi drejtori aktual i Lotarisë, Aleksandar Klimovski, i cili, ndër të tjera, deklaroi se Lotaria Shtetërore i bashkohet ndjekjes penale si kompani e dëmtuar. Ai tha se aparatet VLT të blera nuk janë vënë në përdorim dhe ruhen në depo, shkruan Portalb.mk.
Gjatë dëshmisë, Klimovski tha se Lotaria Shtetërore nuk organizon lojëra përmes aparateve VLT që nga viti 2013, pasi atë vit të drejtën për organizimin e tyre ia kishte bartur një kompanie tjetër, të themeluar në bashkëpunim me një kompani të grupit “Novomatic”.
Ai sqaroi se aparatet e blera janë pranuar dhe regjistruar si pasuri e Lotarisë, por nuk janë vënë në përdorim dhe ruhen në depo. Sipas tij, pjesa më e madhe e pagesës për to ishte kryer para se ai të emërohej drejtor, në gusht të vitit 2024.
Për vënien në përdorim të aparateve VLT nevojitet miratimi i Ministrisë së Financave. Klimovski tha se Lotaria ka miratimin e Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP) për hapësirat, por nuk ka marrë miratimin e Ministrisë së Financave për përdorimin e tyre.
Duke dëshmuar si përfaqësues i kompanisë së dëmtuar, Klimovski deklaroi se Lotaria Shtetërore i bashkohet ndjekjes penale. Ai tha se për kërkesën eventuale për kompensimin e dëmit do të vendosin organet e kompanisë.
Seanca e radhës është caktuar më 11 dhjetor.
Kush janë të akuzuarit dhe për çfarë ngarkohen?
Kujtojmë se përveç ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi dhe ish-drejtorit të Lotarisë, Përparim Bajrami, të cilët ishin në arrati, por u kthyen dhe iu dorëzuan autoriteteve në vend, në këtë lëndë gjyqësore janë të akuzuar edhe Bashkim Avdi, Metodija Dimovski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski dhe Aleksandar Dimitrioski.
Të gjithë të akuzuarit gjatë procedurës së deritanishme janë deklaruar se nuk ndihen fajtorë për veprat për të cilat ngarkohen.
Akuza, të cilën e përfaqësojnë prokurorët publikë Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski, ka të bëjë me veprime të ndërmarra gjatë viteve 2023 dhe 2024, me të cilat të akuzuarit kanë tejkaluar kufijtë e autorizimeve të tyre zyrtare, megjithëse e kanë ditur se SHA “Lotaria Shtetërore” nuk ka të drejtë të organizojë në mënyrë të pavarur lojëra elektronike të fatit përmes terminaleve videolotarie. Kjo e drejtë që në vitin 2013 ishte investuar si kontribut jo-monetar në vlerë prej 6,2 milionë eurosh në themelimin e kompanisë së përbashkët “Lotaria Shtetërore Videolotarie e Republikës së Maqedonisë – KASINOS AUSTRIA”, ku SHA “Lotaria Shtetërore” zotëron 51 përqind të aksioneve.
Ndryshe, gjatë hetimit të akuzuarit ngarkoheshin për veprën penale “përvetësim në shërbim”, për të cilën, sipas nenit 354 të Kodit Penal, parashihet dënim më i lartë, por me dorëzimin e propozim-akuzës, prokurorët nga PTHP Shkup e rikualifikuan veprën në “keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit”.
Risi në propozim-akuzë është se Prokuroria e ka saktësuar më tej atë, gjë që ka rezultuar nga ekspertiza dhe, sipas saj, në vend që të akuzohen për dëm në vlerë prej 507.623.173 denarësh ose 8,2 milionë eurosh, të akuzuarit tani ngarkohen për dëm prej rreth 9,7 milionë eurosh ose 596.125.511 denarësh.
Procesin gjyqësor e drejton gjyqtarja Biljana Shuplinovska Jovevska, si gjyqtare e vetme, pasi lënda është ngritur me propozim-akuzë dhe jo me aktakuzë dhe zhvillohet sipas procedurës së shkurtuar.
- LEXO: Mbrojtja e kontestoi ekspertizën e Prokurorisë në rastin “Lotaria Shtetërore”
- LEXO: Vazhdoi gjykimi për “Lotarinë Shtetërore”, ekspertja e konfirmoi pagesën prej 596 milionë denarësh për aparatet VLT
- LEXO: “Lotaria Shtetërore”: Bordi nuk diskutoi veçmas blerjen e terminaleve VLT, Grubi do të propozojë ish ministrat si dëshmitarë
- LEXO: Prokuroria paraqiti 231 prova në rastin “Lotaria Shtetërore”, Grubi pati vërejtje