Akuzat për racizëm, Italia dëboi nga grumbullimi mbrojtësin e Interit

Francesco Acerbi tashmë është larguar nga grumbullimi i kombëtares në Romë, raporton TopChannel. I mbërritur mëngjesin e sotëm, siç kërkohet nga politika e brendshme e kombëtares, ai i shpjegoi trajnerit Luciano Spalletti dhe shokëve të tij të skuadrës versionin e tij të shprehjes së supozuar raciste të raportuar nga futbollisti Juan Jesus gjatë ndeshjes Inter-Napoli.

Në deklaratën e lëshuar nga Federata thuhet se “sa i përket grumbullimit të lojtarit zikaltër, në pritje të rindërtimit të asaj që ndodhi në përputhje me autonominë e drejtësisë sportive, doli se nuk kishte asnjë qëllim shpifës, denigrues apo racist nga ana e tij”.

Megjithatë, Acerbi u përjashtua nga lista e lojtarëve të thirrur për dy ndeshjet e ardhshme miqësore të planifikuara në Shtetet e Bashkuara, “për të garantuar qetësinë e nevojshme për kombëtaren dhe për vetë lojtarin, i cili do të rikthehet sot në klubin e tij”.

Në vend të Acerbit u thirr mbrojtësi i Romës, Gianluca Mancini, i cili tashmë ishte pjesë e listës së parathirrjes.