BE-ja paralajmëroi presion për zbatim të Marrëveshjes, Kosova i kërkon BE-së trajtim të barabartë

Të hënën është bërë një vit që kur Kosova e Serbia u dakorduan në Ohër për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes së dakorduar një muaj më parë në Bruksel. Një vit pas, Bashkimi Evropian paralajmëroi presion mbi palët në funksion të përmbushjes së zbatimeve të dala prej saj. E, Kosova i kërkoi BE-së përmbylljen e planit të sekuencimit, si dhe trajtimin e barabartë të palëve në këtë proces, raporton Koha.net.

Presion ndaj Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e dakordimit në Ohër për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes bazë të Brukselit paralajmëruan të hënën në Bashkimin Evropian, në njëvjetorin e arritjes së saj.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i kritikoi të dyja palët që përkundër mbështetjes së gjerë ndërkombëtare kanë arritur progres shumë të kufizuar në zbatimin e Marrëveshjes.

“Më vjen shumë keq që kjo marrëveshje, e cila ishte shumë e vështirë për t’u arritur, nuk është zbatuar. Do të vazhdohet me presion ndaj të dyja palëve për të ecur përpara. Por, një vit më vonë, zbatimi nuk ka qenë aq sa prisja të ishte”, deklaroi Borrell.

Për autoritetet në Kosovë është Serbia ajo që e ka shkelur dhe e ka zvarritur zbatimin e Marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe Aneksit të saj në Ohër.

Presidentja Vjosa Osmani tha se në këtë sfond, plani i sekuencimit, që ende nuk është finalizuar nga BE-ja, do ta lehtësonte zbatimin e plotë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes.

Ajo tha se deri më tani nga BE-ja nuk ka pasur plan të balancuar për zbatimin dhe se me propozimet e mëhershme është favorizuar Serbia.

“Kërkoj të ketë barabartë të palëve, që plani sekuencues i zbatimit të ketë parasysh që si Kosova, si Serbia të zbatojnë në mënyrë paralele të menjëhershme obligimet e tyre e jo që njëra palë t’i ketë të gjitha përfitimet në fillim e pastaj për Kosovën të mendohet krejt në fund, sepse kjo thjeshtë do të na krijojë një situatë kur Serbia përfiton kurse Kosovës i thuhet prit edhe pak, jep edhe më shumë”, theksoi Osmani.

E në Qeveri i kanë renditur shkeljet që Serbia ia ka bërë Aneksit të zbatimit të dakorduar në Ohër.

Dakordimi mes Kosovës dhe Serbisë në Ohër u arrit një muaj nga pajtimi që palët i dhanë Marrëveshjes në Bruksel.

Në Aneksin e zbatimit, prej 11 nenesh, palët janë pajtuar, mes të tjerash, që t’ia njohin njëra-tjetrës dokumentet përkatëse e simbolet kombëtare, si dhe t’ia respektojnë integritetin dhe sovranitetin territorial