Gjeorgjia dënoi mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale të Rusisë në territoret e saj të pushtuara

Gjeorgjia dënoi sot mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale të Rusisë gjatë fundjavës brenda rajoneve të Gjeorgjisë që Moska ka pushtuar, transmeton Anadolu.

“Gjeorgjia dënon mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale ruse dhe hapjen e paligjshme të qendrave të votimit në rajonet e pushtuara të Gjeorgjisë, me qëllim angazhimin masiv të popullsisë vendase në procesin zgjedhor rus”, tha Ministria e Jashtme e Gjeorgjisë në një deklaratë.

Në deklaratë, Gjeorgjia e karakterizoi aktin si një hap të Moskës kundër “sovranitetit dhe integritetit territorial të saj”.

“Mbajtja e çdo zgjedhjeje në territoret e pushtuara konsiderohet e paligjshme nën okupim, siç dëshmohet nga vendimet e gjykatave ndërkombëtare dhe në rrethanat kur popullatës së shpërngulur me forcë nga territoret e pushtuara vazhdon t’i hiqet e drejta për t’u kthyer në shtëpitë e tyre”, theksohet më tej.

Tbilisi gjithashtu i bëri thirrje Rusisë të ndalojë veprimet që minojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Gjeorgjisë, duke i kërkuar asaj të përmbushë detyrimet e saj ndërkombëtare.

“Gjeorgjia apeloi deri te komuniteti ndërkombëtar që të japë një vlerësim dhe reagim të duhur ndaj një veprimi tjetër të paligjshëm të Federatës Ruse që synon cenimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Gjeorgjisë”, thuhet në deklaratë.

Presidenti aktual Vladimir Putin mori 87,28 për qind të votave në zgjedhjet presidenciale treditore të Rusisë, me 100 për qind të votave të numëruara, tha sot autoriteti zgjedhor i vendit.

Përveç brenda Rusisë, qendra votimi u hapën edhe në katër rajone të Ukrainës të aneksuara ilegalisht nga vendi në shtator 2022, si dhe në Gadishullin e Krimesë, të cilin Moska e aneksoi ilegalisht në vitin 2014. Votimi u zhvillua gjithashtu në dy rajone të shkëputura të Gjeorgjisë.

Në vitin 2008, shpërtheu një konflikt pesëditor midis Gjeorgjisë dhe Rusisë mbi rajonet separatiste të Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë.

Tbilisi humbi përfundimisht kontrollin e të dy rajoneve, të cilat Rusia më vonë i njohu si shtete të pavarura.

Si kundërpërgjigje, Gjeorgjia ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Rusinë.

Të dy rajonet ende njihen ndërkombëtarisht si territore të Gjeorgjisë.