Gjykata e Shkupit u deklarua jokompetente për akuzën kundër Ramiz Merkos, lënda i është dërguar gjykatës së Strugës

Gjykata Themelore Penale Shkup u deklarua jo kompetente për të vepruar në lidhje me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PThP NKOK) kundër kryetarit të Komunës së Strugës, Ramiz Merko, për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare, transmeton Portalb.mk.

Rasti, siç bëjnë me dije nga Gjykata e Shkupit, do të dërgohet në Gjykatën Themelore të Strugës, duke qenë se kompetenca për të vepruar është e gjykatës në zonën e së cilës është kryer vepra.

Akuza ndaj Merkos i referohet veprës penale të keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga neni 353 paragrafi 4 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal. Lidhur me këtë, Gjykata Penale e Shkupit thotë:

“Sipas nenit 32 të Ligjit për gjykata, Departamenti i Specializuar në Gjykatën Themelore Penale Shkup është përgjegjës për veprat penale: Keqpërdorim i pozitës zyrtare nga neni. 353 paragrafi 5, Marrja e ryshfetit me vlerë të konsiderueshme nga neni 357 dhe Ndërmjetësimi i Paligjshëm nga neni 359 i KP, të kryera nga një zyrtar, funksinar ose person përgjegjës i zgjedhur ose i emëruar në një person juridik”.

Lidhur me këtë, shtojnë se Gjykata Themelore Penale Shkup nuk është kompetente të veprojë në lidhje me veprat penale nga neni 353 paragrafi 4 në lidhje me paragrafin 1 të KP-së, por për veprën penale nga paragrafi 5 i këtij neni.

“Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit në Shkup”, shtuan nga Gjykata Penale e Shkupit.

Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion (PThP NKOK) së fundmi njoftoi se pas një hetimi të gjatë ka ngritur padi kundër kryetarit të Komunës së Strugës, Ramiz Merko, për blerjen e veturës luksoze “Audi” në kurriz të Komunës, dhe me iniciativë të Komisionit Kundër Korrupsionit.

Aktakuza ndaj Merkos i referohet veprës penale të keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga neni 353 paragrafi 4 në lidhje me paragrafin 1 të KP, i cili parasheh dënim me burg nga një deri në pesë vjet.

Merko, para 4 vitesh në lidhje me blerjen e kësaj veture luksoze për “24 Analiza” tha se i nevojitet vetura sepse Struga është larg.

“Si do të vija unë sonte këtu nëse nuk do të kisha veturë… Shikoni, Struga është larg nga këtu 200 kilometra. Një e ardhur këtu janë 400 kilometra dhe a nuk është turp një kryetar Komunë të rri rrugëve?”, tha Merko.

Në pyetjen pse jo “Shkoda”, por “Audi”, Merko u përgjigj:

“Për shkak se Shkoda shkon me shpejtësi më të vogël..  Unë e propozova në Këshill dhe u votua që do të marrim një veturë të tillë, ku është këtu problemi?”.

“Të shohim edhe njëherë, sa e bukur është, shihe, shihe (Kamera shfaq inserte nga vetura Audi jashtë hyrjes së shtëpisë televizive, ndërkaq Merko qeshet)…. Çfarë kryetari komune ju dukem unë, do të shkoj me Fiqo?”, tha Merko duke shtuar se nuk ja vlen një kryetarë komune të shkojë me tesha të grisura dhe veturë të vjetër.

Ai tha se nuk është pishman që e ka blerë, dhe shtoi se “ndoshta duhej të kishte blerë veturë ende më të mirë”.