Gjuha e urrejtjes ndaj politikaneve gjithnjë e më e pranishme: Mizogjini, seksizëm, fyerje për pamjen dhe moshën

“Nuk e di se çfarë ka më të shëmtuar, fytyrën apo shpirtin e saj”, “Kjo guskë është armiku dhe tradhtari më i madh i popullit maqedonas”, “Kolerë”, “Çfarë kredibiliteti ka kjo laraskë…..!!!” Janë këto vetëm një pjesë e vogël e komenteve plot me gjuhë urrejtjeje ndaj Radmilla Shekerinskës, Zëvendës-sekretares së Përgjithshme të NATO-s, ish-ministres së mbrojtjes dhe politikanes me përvojë shumëvjeçare nga Maqedonia, të shkruara në Facebook nën një postim në media pas Samitit të NATO-s në Ankara, transmeton Portalb.mk nga Pina.

Këto komente nuk bëjnë përjashtim për gratë e tjera në politikë në vendin tonë, përkundrazi, gjuha e urrejtjes dhe dezinformatat ndaj politikaneve janë një problem shumëvjeçar dhe i vazhdueshëm që intensifikohet gjatë fushatave zgjedhore dhe krizave politike. Me gjuhën e urrejtjes minohet pjesëmarrja publike e grave, diskreditohet puna e tyre, promovohen stereotipe dhe paragjykime, ndërsa qëllimi është heshtja e grave dhe zvogëlimi i pjesëmarrjes së tyre në jetën politike dhe publike në vend.

Foto: Printscreen nga publikimi në Facebook
Foto: Printscreen nga publikimi në Facebook

Në vitet e fundit ndër objektivat më të shpeshta të gjuhës së urrejtjes kanë qenë politikanet Danella Arsovska dhe Sllavjanka Petrovska. Përveç sulmeve online Arsovska u sulmua edhe fizikisht gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, ndërsa për vite me radhë të dyja janë ekspozuar ndaj dezinformatave, fyerjeve dhe kërcënimeve. Komentet mizogjine dhe seksiste janë përditshmëri, ndërsa shpesh objektiv është mosha, si në rastin e Presidentes Gordana SiljanovskaDavkova, e cila fyhet rregullisht si “Gjyshe Goga”.

Despina Kovaçevska, foto: Portalb.mk
Despina Kovaçevska, foto: Portalb.mk

Despina Kovaçevska, specialiste e monitorimit të medias në “Metamorfozis”, thotë se lidhja midis gjuhës së urrejtjes dhe dezinformatave është komplekse dhe shpesh e kushtëzuar nga njëra-tjetra.

“Në shumë raste pikërisht dezinformatat janë pika fillestare për krijimin dhe përhapjen e urrejtjes ndaj grupeve të caktuara, me ç’rast gratë në politikë janë ndër më të targetuarat në këtë kontekst. Ajo që është veçanërisht shqetësuese janë narrativat e dëmshme që jo gjithmonë mund të verifikohen ose kundërshtohen lehtë. Ato shpesh nuk bazohen në një informacion konkret të pasaktë, por në sugjerime, stereotipe, frikëra dhe supozime që ndikojnë gradualisht në perceptimet publike”, thotë Kovaçevska.

Sipas saj gratë kritikohen shumë më rrallë për shkak të punës së tyre profesionale, ndërsa shumë më shpesh targetohet pamja e tyre, jeta private, mosha dhe identiteti gjinor. Ajo na kujton se viktima të sulmeve online nuk janë vetëm politikanet, por edhe gazetaret që punojnë në tema të ndjeshme.

Natasha Petkovska, këshilltare ligjore në Komitetin e Helsinkit, thotë se sipas një hulumtimi të Komitetit të Helsinkit, politikanet janë dukshëm më të ekspozuara ndaj sulmeve seksiste, mizogjine dhe diskriminuese sesa kolegët e tyre të gjinisë mashkullore.

“Në vend që debati publik të përqendrohet në programet dhe qëndrimet e tyre politike, sulmet më shpesh kanë të bëjnë me pamjen e tyre fizike, moshën, statusin familjar, jetën private ose botëkuptimet stereotipike për rolin e grave në shoqëri”, tha ajo.

Kur sulmet bëhen personale

Ish-ministrja e mbrojtjes dhe deputetja e LSDM-së, Sllavjanka Petrovska, thotë se ka raportuar gjuhë urrejtjeje vetëm një herë, në gusht të vitit 2024, kur fotot e saj përpara ndërtesës ku jeton u publikuan në mënyrë të paligjshme në një profil në rrjetin social X, të shoqëruara me kërcënime për jetën e saj.

Foto: Printscreen nga publikimi në Facebook
Foto: Printscreen nga publikimi në Facebook

“Raportova në Ministrinë e Punëve të Brendshme, raportimi u pranua, por edhe pas dy vitesh nuk ka asnjë rezultat. Një vit më vonë me shkrim kërkova që të më informonin për ecurinë e një hetimi të mundshëm, por për fat të keq deri më sot nuk kam marrë asnjë përgjigje. Në korrik të vitit 2025 më kërrcënuan për jetën para shtëpisë time dhe këtë e raportova në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Por, për fat të keq, as për atë rast nuk kam marrë asnjë njoftim. Këto dy raste konkrete tregojnë për qëndrimin e institucionit që supozohet të na mbrojë, i cili për fat të keq nuk është ajo që pritet. Dhe kjo është dëshpëruese, kur për dy vjet nuk ke asnjë përgjigje “, tha Petrovska.

Sllavjanka Petrovska. Foto printscreen nga videoja e Ministrisë së Mbrojtjes
Sllavjanka Petrovska. Foto printscreen nga videoja e Ministrisë së Mbrojtjes

Kur për herë të parë filluan sulmet ndaj saj në rrjetet sociale, të shoqëruara me përhapje të dezinformatave rreth punës të saj si ministre, ajo u “tmerrua nga niveli i ulët i komunikimit, ligësia dhe gjuha e pahijshme që u përdor”.

“Por, për mua ishte e qartë se shumica e këtyre komenteve ishin pjesë e një fushate të planifikuar dhe të qëllimshme kundër meje dhe qëllimi i tyre ishte ta minonin vetëbesimin dhe vendosmërinë time, por edhe të më dekurajonin. Nuk isha indiferente, por duke e ditur qëllimin e keq u motivova që të vazhdoja me punën time të përkushtuar dhe t’i kryeja me përgjegjësi detyrat e mia si ministre e mbrojtjes, ndërsa më pas edhe si deputete. Kur pas çdo projekti të përfunduar e shihni rezultatin, kur shihni punonjës të kënaqur, kur lexoni mesazhe me mendime pozitive, atëherë çdo fjalë e keqe që lexoj në rrjetet sociale bëhet e pavlerë dhe kjo kontribuoi në ndërtimin e rezistencës time individuale”, shtoi Petrovska.

Sanella Shkrijelj, ish-zëvendësministre e punës dhe politikës sociale dhe një aktiviste shumëvjeçare për barazinë gjinore, thotë se është përballur me forma të ndryshme të gjuhës ofenduese, seksiste dhe përçmuese.

“Në të shumtën e rasteve nuk ishte një kritikë politike ndaj pikëpamjeve të mia, por diskreditim personal, stereotipe gjinore dhe përpjekje për të vënë në pikëpyetje kredibilitetin tim si grua në sferën publike. Sigurisht, sulme të tilla mund të kenë ndikim, sepse ato nuk të targetojnë vetëm ty, por shpesh edhe familjen, privatësinë dhe ndjenjën tënde të sigurisë. Unë personalisht kam vendosur t’i injoroj ato sepse e di që qëllimi është që gratë të nxirren jashtë sferës publike. Por as heshtja dhe as injorimi nuk janë zgjidhje. Përkundrazi, kur flasim për këto sulme, tregojmë se problemi nuk është individual, por sistemik. Shumë gra kalojnë nëpër përvoja të ngjashme, por shpesh nuk i raportojnë ato sepse nuk besojnë se do të ketë një reagim institucional”, thotë Shkrijelj.

Petrovska shton se politikanet femra në vendin tonë njihen për luftueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e tyre natyrore dhe këmbënguljen në luftën për të drejtat e tyre.

“Përveç vetes, si shembull pozitiv do ta përmend edhe kolegen time Monika Zajkova, e cila, ashtu si unë, u përball me një fushatë jashtëzakonisht të pahijshme negative, të zezë, por siç e shohim, ajo është ende aktive dhe numëron suksese në karrierën e saj politike. Apo gjuhën e urrejtjes që shohim ndaj ish-ministres së mbrojtjes dhe tani Zëvendës-sekretares së Përgjithshme të NATO-s Radmilla Shekerinska. Shikoni gjuhën e urrejtjes që po përhapet, e që është e nxitur ose nga frustrimi personal ose nga udhëzime partiake”, thotë Petrovska.

Lidhja mes dezinformatave dhe narrativave anti-gjinore

Dezinformatat me bazë gjinore nuk janë karakteristike vetëm për Maqedoninë, por janë pjesë e një trendi më të gjerë global. Shpesh janë të ndërthurura me narrativa anti-gjinore dhe anti-LGBTQ+, ndërsa përhapja e tyre lehtësohet nga mediat sociale, ku gratë në politikë janë ndër objektivat më të shpeshta.

“Dezinformatat, gjuha e urrejtjes dhe narrativat e dëmshme janë një nga arsyet më të shpeshta për zvogëlimin e pjesëmarrjes së grave në politikë. Në një kontekst global politikanet shpesh prezantohen në mënyrë të rreme si transgjinore ose si “gra jo të vërteta” me qëllim që të diskreditohen. Por, në kontekstin lokal, më shpesh në shënjestër janë pamja e tyre, morali dhe aftësitë personale, sesa pikëpamjet dhe rezultatet e tyre politike. Gratë padyshim janë më shpesh në shënjestër sesa burrat, ndërsa në disa raste fushata të tilla përshkallëzojnë në dhunë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë”, thotë Kovaçevska.

Ngjashëm paralajmëron edhe Shkrijelj se sulmet e tilla nuk janë të rastësishme, por paraqesin përpjekje të organizuara për dekurajimin dhe heshtjen e grave që flasin hapur, marrin vendime ose mbrojnë barazinë gjinore dhe të drejtat e njeriut. Sipas saj, rrënja e problemit qëndron në stereotipet gjinore të rrënjosura thellë dhe rezistencën ndaj pushtetit politik të grave.

“Lëvizjet anti-gjinore e thellojnë më tej këtë problem, sepse ato me vetëdije ndërtojnë një narrativë se barazia gjinore është një kërcënim për familjen, fëmijët, traditën ose identitetin kombëtar. Në një atmosferë të tillë gratë që luftojnë për barazi bëhen lehtësisht “armike” në diskursin publik. Në vend që të diskutohet për politikat, krijohet një panik moral dhe mobilizohet frika”, tha Shkrijelj.

Petkovska e Komitetit të Helsinkit thotë se manipulimi i koncepteve që kanë të bëjnë me gjininë është një strategji themelore e populistëve ekstremistë dhe të krahut të djathtë, dhe se kjo retorikë padyshim merr një hov shumë më të fuqishëm gjatë fushatave zgjedhore.

“E gjithë kjo, por edhe pritshmëritë që gratë “t’i nënshtrohen” roleve tradicionale të imponuara nga patriarkati dhe të qëndrojnë në shtëpi, sidomos kur “guxojnë” të përfshihen në proceset e vendimmarrjes, i bën ato më të ekspozuara ndaj gjuhës së urrejtjes. Veçanërisht të sulmuara janë gratë që nuk kanë frikë të marrin pjesë në jetën publike dhe që e ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të kandiduar për poste në zgjedhje, pa dallim nga mosha, etnia ose përkatësia fetare”, thotë këshilltarja ligjore.

Sa i madh është problemi?

Sipas raportit të “Metamorfozis” mbi monitorimin e gjuhës së urrejtjes në Maqedonisë e Veriut në vitin 2025, pothuajse çdo i pesti rast i regjistruar i narrativave të urrejtjes lidhet me gjininë. Nga gjithsej 138 incidente të regjistruara të gjuhës së urrejtjes në mediat tradicionale dhe rrjetet sociale, pothuajse 20 përqind ishin të targetuara në bazë të gjinisë. Në të njëjtën kohë, sipas analizës “Hartëzimi i dezinformatave gjinore në Ballkanin Perëndimor“ trendi i dezinformatave me bazë gjinore në periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2024 tregon një rritje të konsiderueshme, me dyfishimin e përhapjes së tyre në dy vitet e fundit.

Sipas monitorimit afatgjatë të Komitetit të Helsinkit, intensiteti i gjuhës së urrejtjes është i lidhur ngushtë me kontekstin aktual socio-politik.

“Gjatë periudhave të zgjedhjeve, tensioneve politike, krizave sociale ose debateve publike që lidhen me çështjet gjinore ka një rritje të gjuhës së urrejtjes, komenteve negative dhe dezinformimit, sidomos në rrjetet sociale. Analizat tona tregojnë se gratë në politikë janë ndër grupet më të ekspozuara ndaj sulmeve seksiste dhe mizogjine, sidomos gjatë fushatave zgjedhore”, thotë Petkovska.

Fotografi e gjeneruar me IA, në Gemini
Fotografi e gjeneruar me IA, në Gemini

Sipas monitorimit të tyre për vitin 2025 janë regjistruar gjithsej 678 raportime për gjuhë të urrejtjes, nga të cilat 36 ishin për shkak të seksit dhe gjinisë, ndërsa 95 për shkak të orientimit dhe identitetit seksual. Janë regjistruar edhe 116 raportime për përkatësinë politike.

“Për atë se sa dekurajohen gratë nga pjesëmarrja në jetën publike në vend dhe për atë se sa pabarazia gjinore është e pranishme në pothuajse të gjitha nivelet e qeverisjes, si në nivel lokal ashtu edhe në pushtetin ekzekutiv, tregon raporti midis numrit të kryetareve të komunave dhe kryetarëve të komunave, raporti midis ministreve dhe ministërve në Qeveri, ndërsa tani edhe numri i kandidateve presidenciale femra krahasuar me kandidatët”, shton Petkovska.

Mediat dhe ndikimi i tyre në parandalimin e gjuhës së urrejtjes dhe dezinformatave

Krahas institucioneve dhe platformave digjitale një rol kyç në parandalimin e gjuhës së urrejtjes dhe dezinformatave me bazë gjinore luajnë edhe mediat. Mënyra se si ato raportojnë mund të kontribuojë për një debat publik më cilësor, por ekziston edhe rreziku nga normalizimi i diskriminimit.

“Gjuha e urrejtjes jo gjithmonë fillon me një fyerje të qartë. Ndonjëherë fillon me një titull sensacional, me theks të panevojshëm në gjininë, pamjen ose jetën private të politikanes, me një përzgjedhje selektive të fotove ose me transmetim jokritik të kualifikimeve diskriminuese. Në raste të tilla mediat mund të mos kenë për qëllim të nxisin urrejtje, por ato kontribuojnë në krijimin e një mjedisi në të cilin ajo pranohet më lehtë”, thotë Leunora Kaliqi nga Këshilli i Etikës në Media.

Këtë mendim e ndan edhe Kovaçevska nga “Metamorfozis”, sipas së cilës mediat kanë një rol kyç në parandalimin e gjuhës së urrejtjes, por në praktikë ato shpesh në mënyrë të pavetëdijshme kontribuojnë në përforcimin e saj. Ajo thotë se titujt sensacionalistë dhe raportimi pamjaftueshëm i kontekstualizuar mund të nxisin reagime negative dhe të krijojnë hapësirë për gjuhën e urrejtjes në komente. Sipas saj, redaksitë duhet t’i moderojnë komentet në mënyrë më aktive dhe, kur bëhet fjalë për tema të ndjeshme, ta konsiderojnë edhe përjashtimin e tyre.

“Në praktikë shpesh thuhet se nuk ka burime të mjaftueshme njerëzore ose se përgjegjësia u takon platformave, gjë që tregon se ende nuk ka një qasje sistematike ndaj problemit”, thotë Kovaçevska.

Nora Kaliqi, eksperte e medias
Nora Kaliqi, eksperte e medias

Kaliqi thekson se Kodi i ri i Gazetarëve e përcakton qartë kufirin midis raportimit profesional dhe përmbajtjes që mund të nxisë diskriminim. Kodi përcjell obligimin për raportim të paanshëm, një dallim të qartë midis fakteve dhe opinioneve, si dhe respektin për dinjitetin e personit, ndërsa Neni 15 thekson se raportimi për çështjet politike nënkupton një prezantim të drejtë të fakteve dhe pikëpamjeve përkatëse, e jo vetëm një balans formal.

Sipas saj, ndryshimi fillon në redaksi. Gratë në politikë duhet të trajtohen si mbajtëse të posteve publike dhe jo si subjekte të komenteve rreth pamjes së tyre, jetës private apo rolit familjar. Në vend të kësaj fokusi duhet të jetë te politikat, argumentet, vendimet dhe llogaridhënien publike të tyre.

“Gjuha e urrejtjes nuk mposhtet vetëm duke i fshirë komentet. Ajo mposhtet me gazetari profesionale, informacion të verifikuar, standarde etike dhe redaksi që nuk do të lejojnë që urrejtja të bëhet gjuha normale e komunikimit publik. Përvoja jonë tregon se edukimi ka një efekt shumë më të fuqishëm dhe më afatgjatë se çdo sanksion”, thotë Kaliqi.

Ajo paralajmëron se sot hapësira më e madhe për përhapjen e gjuhës së urrejtjes dhe dezinformatave janë rrjetet sociale, ku algoritmet e favorizojnë përmbajtjen që shkakton polarizim, konflikte dhe emocione të fuqishme. Një sfidë shtesë është përdorimi i inteligjencës artificiale për të krijuar foto, video dhe përmbajtje të tjera manipulative. Prandaj, ajo është e mendimit se, përveç rregullimit, nevojitet gazetari profesionale, edukim mediatik dhe digjital, si dhe përgjegjësi më e madhe nga platformat dhe institucionet digjitale.

Reagim i dobët institucional

Edhe pse gjuha e urrejtjes është e dënueshme me ligj, parandalimi i saj mbetet një sfidë serioze. Sipas Kodit Penal nxitja e urrejtjes dhe intolerancës, si dhe përhapja e materialeve raciste, përbëjnë vepra penale. Përveç kësaj, shteti ka një kornizë ligjore, rregullatore dhe vetërregulluese për t’u përballë me gjuhën e urrejtjes dhe dezinformatat përmes Ligjit për Përgjegjësinë Civile për Ofendim dhe Shpifje, Ligjit për Shërbimet e Mediatike Audio dhe Audiovizuale, Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale dhe Këshillit për Etikën në Media. Por, asnjë nga këto mekanizma si i vetëm nuk është i mjaftueshëm.

Në vitin 2025 Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi punoi në gjithsej 559 raste për mbrojtje nga diskriminimi. Numri më i madh i ankesave ishin për mbrojtje nga diskriminimi në bazë të origjinës kombëtare ose etnike (22%), të pasuara nga baza të tjera, bindje politike (18%), status personal dhe status shoqëror (17%), arsim (11%), seks (10%), gjini (8%), gjendje shëndetësore (8%), aftësi të kufizuara (5%) dhe moshë (5%). Gratë raportuan më shpesh sesa burrat diskriminim në bazë të seksit, gjinisë, arsimit, moshës, statusit familjar ose martesor dhe baza të tjera, ndërsa burrat më shpesh sesa gratë për mbrojtje nga diskriminimi në bazë të origjinës kombëtare ose etnike, bindjeve politike, statusit personal dhe statusit shoqëror dhe statusit pronësor.

Nga Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi thonë se gratë në politikë janë të ekspozuara ndaj një rreziku në rritje të gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit, veçanërisht në rrjetet sociale dhe gjatë fushatave zgjedhore. Ka pasur edhe shembuj të përdorimit të një gjuhe të tillë nga foltorja e Kuvendit, kur ka pyetje nga deputetët ose debate mbi disa tema të ndjeshme. Nga Komisioni theksojnë se në secilin rast vlerësohet nëse bëhet fjalë për kritikë politike apo për një fjalim të bazuar në karakteristika personale të mbrojtura, siç janë seksi, gjinia, mosha apo ndonjë bazë tjetër e përcaktuar me Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi.

“Kur një politikane sulmohet sepse është grua dëmi nuk kufizohet vetëm tek individi, por dërgon një mesazh se gratë nuk duhet të marrin pjesë në politikë ose në jetën publike. Në raste të tilla ekziston interes publik që Komisioni të reagojë edhe pa një ankesë zyrtare”, thonë nga KPMD.

Nga atje thonë se përveç zbatimit të vazhdueshëm të ligjeve është e nevojshme një përgjegjësi më e madhe nga institucionet, partitë politike dhe mediat, si dhe edukim i vazhdueshëm mbi të drejtat e njeriut, edukim mediatik dhe digjital.

Këshilltarja ligjore Petkovska është e mendimit se nevojitet një qasje gjithëpërfshirëse që njëkohësisht do ta mbrojë lirinë e fjalës dhe do të ofrojë mbrojtje efektive kundër gjuhës së urrejtjes.

“Si masa prioritare mund të veçohet krijimi i mekanizmave më efikasë për raportim te institucionet kompetente, heqja më e shpejtë e përmbajtjes që përmban gjuhë urrejtjeje, bashkëpunimi më i mirë midis institucioneve dhe platformave të mediave sociale, si dhe zbatimi i drejtë i kornizës ligjore ekzistuese”, tha Petkovska.

Sipas saj e nevojshme është edhe të përforcohen vazhdimisht kapacitetet e institucioneve për njohjen dhe procesimin e gjuhës së urrejtjes me bazë gjinore, sidomos në hapësirën online, si dhe fushata të vazhdueshme për edukim mediatik dhe digjital dhe dënim i qartë publik i gjuhës seksiste dhe mizogjine nga partitë politike, institucionet dhe mediat.

Edhe Shkrijelj e thekson nevojën për një reagim më të vendosur institucional, dhe thotë se mekanizmat mbrojtës ende nuk janë mjaftueshëm efektivë, ndërsa dhuna online shpesh trajtohet si më pak serioze sesa dhuna në hapësirën fizike, edhe pse lë pasoja reale.

“Krijon frikë, presion, vetëcensurë, tërheqje nga hapësira publike dhe ndjenjën se gratë duhet ta mbrojnë vetë veten e tyre. Nuk duhet t’u themi vazhdimisht grave “të jenë të forta”, përderisa institucionet mbeten të dobëta. Gratë tashmë janë të forta. Sistemi duhet të bëhet përgjegjës”, thotë Shkrijelj.

Ajo shton se institucionet duhet të veprojnë më shpejt dhe me efikasitet ndaj raportimeve të gjuhës së urrejtjes dhe ngacmimit online, të krijojnë protokolle të qarta për mbrojtje dhe të tregojnë ndjeshmëri më të madhe ndaj dimensionit gjinor të dhunës online.

Nga të dhënat e analizuara dhe dëshmitë e mbledhura, si dhe mendimet e ekspertëve mbi këtë temë, në pah del një gjë dhe, për fat të keq, bëhet e qartë, për sa kohë që mizogjinia mbetet pjesë e komunikimit politik dhe për sa kohë mungon llogaridhënia, çdo sulm ndaj një politikaneje u dërgon një mesazh të gjitha grave të tjera se në fakt po sulmohet edhe pjesëmarrja demokratike dhe barazia në hapësirën publike.