Eurodeputetët e Komitetit të Përbashkët Parlamentar në RMV, u bisedua për punën e Kuvendit
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sot realizoi takim me eurodeputetët që marrin pjesë në Takimin e 25-të të Komitetit të Përbashkët Parlamentar (KPP) Maqedonia e Veriut – Bashkimi Evropian, i cili mbahet më 24 dhe 25 shtator 2026 në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në takim, eurodeputetët treguan interes për proceset që zhvillohen në Kuvend, në drejtim të avancimit të transparencës, bashkëpunimit me sektorin civil, si dhe hapjes së Kuvendit ndaj qytetarëve, dhe u theksua se përfaqësuesit e sektorit civil në vend japin vlerësim pozitiv për punën e Kuvendit në këtë drejtim, transmeton Portalb.mk.
Kryetari Gashi theksoi se në vitet e fundit, me mbështetjen e miqve ndërkombëtarë, është bërë një hap i rëndësishëm në fushën e transparencës së Kuvendit.
Në takim u biseduan më shumë çështje, duke përfshirë edhe agjendën e reformave, veçanërisht në drejtim të reformave në administratë, sistemin juridik, si dhe lidhjen rajonale dhe të transportit.
Në të njëjtën kohë, qëndrimi unanim ishte se duhet të punojmë së bashku për të forcuar besimin e ndërsjellë, veçanërisht midis qytetarëve, sepse kjo është me rëndësi thelbësore gjatë rrugës së integrimit evropian të secilit vend.
Në mungesë të eurodeputetit kroat Karlo Resler, i cili, së bashku me deputeten maqedonase Ivanka Vasilevska, është bashkëkryesues i KPP-së Maqedonia e Veriut – Bashkimi Evropian, Delegacioni nga Parlamenti Evropian u drejtua nga eurodeputeti bullgar Ivajlo Valçev, i cili është bashkëkryesuesi i dytë nga ana e BE-së. Në Delegacionin, i përbërë nga shtatë eurodeputetë, është edhe deputeti Tomas Vajc, i cili është referues për Republikën e Maqedonisë së Veriut në Parlamentin Evropian. Eurodeputeti dhe bashkëkryesuesi Resler pritet të mbërrijnë në fillim të takimit të përbashkët të KPP-së.
Kujtojmë se Kuvendi i Maqedonisë së Veriut shënoi përmbushje prej 76,49% të treguesve të hapjes, duke e ruajtur vendin e dytë ndër parlamentet e rajonit, tregon matja më e fundit e Indeksit Rajonal të Hapjes.
Rezultati paraqet një përmirësim të lehtë krahasuar me ciklin e mëparshëm, kur Kuvendi kishte përmbushje prej 76,04%, dhe e konfirmon trendin pozitiv të vazhdueshëm në katër matjet e fundit.
Sipas Indeksit Rajonal të Hapjes, Kuvendi i Malit të Zi është i pari me rezultat prej 82,26%, ndërsa Kuvendi i Maqedonisë së Veriut është i dyti me 76,49%. Pasojnë Kuvendi Popullor i Serbisë me 59,42% dhe Kuvendi Parlamentar i Bosnjës dhe Hercegovinës me një mesatare prej 58,49%.