Funksioni diskursiv i gjuhës së urrejtjes me bazë gjinore në Kosovë

Ky tekst është përgatitur nga Jetlir Buja nga Kosova përmes skemës së granteve Digital Spark, si pjesë e projektit Mekanizmi Rajonal i Mbështetjes EECA, që zbatohet nga Fondacioni Metamorfozis dhe TechSoup, në partneritet me CIVICUS dhe në kuadër të Iniciativës për Demokraci Digjitale (DDI), e cila përfshin Jugun Global. Teksti publikohet në Global Voices si pjesë e një marrëveshjeje për ndarjen e përmbajtjeve. Ai është gjithashtu pjesë e serisë fokusuese të Global Voices për qershorin 2026, “Diversiteti gjinor”.

Në maj të vitit 2026, ne e nisëm fazën e parë të projektit që ka për qëllim – me ndihmën e AI-të – të kuptojë se si gjuha e urretjes me bazë seksiste operon në sferën publike online të Kosovës. Ndërkohë që diskutimet rreth dhunës online ndaj grave po bëhen githnjë e më të rëndomta, pak vëmendje i kushtohet gjuhës së këtyre sulmeve në vetvete: fjalët që këta njerëz përdorin, modelet që përsëriten, dhe narracionet sociale që këto fjalë riprodhojnë.

Projekti u motivua nga një pyetje e thjeshtë por e rëndësishme: çfarë roli luan gjuha e urrejtjes me bazë seksiste në diskursin publik? A është thjesht një grumbull komentesh ofenduese të postuara nga përdorues anonim, apo mos i shërben një funksioni më të madh diskursiv?

Të kuptosh këto dinamika është e rëndësishme sepse diskursi online gjithnjë e më shumë formëson qëndrimet publike, pjesëmarrjen politike, dhe perceptimet se kush ka vend në jetën publike. Nëse narracionet misogjiniste normalizohen online, a mund të diskurajojnë gratë nga pjesëmarrja në debatin publik dhe të përforcojnë pabarazitë ekzistuese.

Një tablo shqetësuese 

Pasi i ndamë detyrat për ta lehtësuar projektin, nisëm monitorimin e komenteve në media sociale të publikuara në faqet e Facebook-ut dhe YouTube-s të 22 mediave të njohura kosovare. I mblodhëm dhe analizuam 625 komente në 67 postime të ndryshme të mediave sociale mes 1 majit dhe 31 majit 2026.

Këto postime ishin bërë nga media të mirënjohura që raportonin për çështje kombëtare, jo thjesht për ato lokale.

Periudha e monitorimit rastisi të jetë në kohën e fushatës zgjedhore dhe një periudhe të debatit politik intenziv online.

Gjetjat paraqesin një tablo shqetësuese të asaj se si gratë diskutohen në sferën publike digjitale të Kosovës – më shqetësuese se sa që mund të imagjinohet.

Delegjimimi i grave

Forma më e rëndomtë e seksizmit është delegjitimimi sistematik i grave në jetën publike. Dy të tretat e të gjitha komenteve mësynin minimin e pjesëmarrjes së grave në politikë, media dhe debat publik.

Gratë në mënyrë rutinore përqeshesheshin për dukjen e tyre, inteligjencën, profesionin apo edhe gjininë.

Një model që u paraqit gjatë datasetit ishte përshkrimi i vazhdueshëm i grave përmes metaforave të kafshëve dhe etiketave degraduese. Termat si “lopë”, “sorrë”, “laraskë” dhe “shtrigë” paraqiteshin gjithë kohën. Në raste tjera, gratë sulmoheshin me fyerje të seksualizuara si “kurvë”, “lavire” apo edhe “rrospi”.

Qëllimi i këtyre komenteve nuk ishte thjesht ofendimi. Ato funksiononin si një mënyrë për t’i hequr grave legjimitetin dhe kredibilitetin në hapësirë publike.

Një tjetër model që nuk rreshtte së paraqituri ishte pastërtia. Komentuesit seksistë paraqisnin gratë përmes lenteve të kontaminimit, duke i paraqitur si të ndyra fizikisht dhe/ose moralisht.

Armiqësia nuk kufizohej veç te gratë që me vullnetin e tyre merrnin pjesë në debatin publik.

Mes komenteve të monitoruara kishte sulme drejt grave që ishin raportuar si viktima të dhunës në familje. Në vend se të shprehej solidaritet me viktimat, shumë komentues e justifikonin dhunën, fajësonin gratë për provokim të abuzimit, apo argumentonin që burrat e kishin për detyrë të “disiplinonin” gratë e tyre përmes abuzimit fizik dhe emocional.

Në këto diskutime, dhuna shpesh nuk paraqitej si krim por si pasojë e grave që nuk përshtateshin me pritjet e vlerave tradicionale.

Po aq shqetësues ishte trajtimi i grave që ishin raportuar të zhdukura. Në disa raste, komentuesit reagonin ndaj raportimeve për gratë e zhdukura jo me brengë apo empati por me spekulimpërqeshje dhe gjuhë të seksualizuar. Fakti që gruaja ishte potencialisht në rrezik nuk e mbronte prej abuzimit misogjinik.

Monitorimi po ashtu dokumentoi një rast në të cilin gjuha seksiste dhe e seksualizuar përdorej ndaj një vajze minorene. Kjo gjetje është me rëndësi sepse sfidon presupozimin e zakontë për misogjininë online.

Gratë që futen në politikë, gazetari apo në profesione tjera ku duhet të shfaqen publikisht pritet të përballen me nivele joproporcionale të abuzimit. Sidoqoftë, dataseti tregon se armiqësia seksiste mund të prekë virtualisht të gjitha gratë e vajzat që bëhen të dukshme në hapësirën publike online.

Kjo qartazi tregon se nxitësi i shumë komenteve seksiste nuk kundërshton ndonjë qëndrim apo veprim të caktuar, por armiqësi e drejtuar ndaj grave dhe vajzave si grup social.

Qoftë nëse një grua paraqitet në sferën publike si politikane, gazetare, viktimë e dhunës, e zhdukur, apo edhe fëmijë, mund të bëhet shënjestër e të njëjtave narrativa degraduese, të njëjtave stereotipe dhe të njëjtave forma të abuzimit verbal.

Narracionet që përsëriten

Dataseti zbuloi që misogjinia në ambientet e mediave sociale të Kosovës operon përmes disa narracioneve që përsëriten.

E para, gratë paraqiten si më pak kompetente dhe më pak meritore për pjesëmarrje në jetën publike. 

E dyta, rolet tradicionale gjinore paraqiten si natyrore dhe të pakontestuara, me gratë që pritet të mbeten kryesorisht në role shtëpiake e të kujdestarisë.

E treta, gratë gjykohen përmes standardeve të moralitetit seksual që rrallë aplikohen edhe te burrat.

E fundit, dhuna dhe autoriteti mashkullor shpesh normalizohen përmes gjuhës që paraqet gratë si përgjegjëse për abuzimin që e përjetojnë.

Përkundër kësaj, zërat anti-seksistë janë të rrallë por të rëndësishëm. Ata në fakt ekzistojnë – dhe ky është lajmi i mirë që del nga kjo mbledhje të dhënash. Nga ato 625 komente, 32 fokusoheshin në dënimin e dhunës ndaj grave, në sfidimin e standardeve të dyfishta, apo në thirrjen për respekt dhe barazi.

Gjuha e tyre dallonte konsiderushëm me atë të komenteve seksiste. Ndërsa këto të fundit bëheshin përmes fyerjesh, dehumanizimesh dhe përqeshjesh, komentuesit anti-seksistë invokonin koncepte si dinjiteti, drejtësia, dhe të drejtat e njeriut.

Ky artikull prezanton vetëm fazën e parë të një përpjekjeje më të gjerë kërkimore që është në vazhdim e sipër. Mes analizës manuale, hulumtimi identifikoi forma të përsëritura të diskursit misogjen, përfshirë delegjitimimin e grave në jetën publike, normalizimin e stereotipeve gjinore, seksualizimin e grave dhe justifikimin e dhunës.

Mësimi më me rëndësi nga kjo fazë është vlera që ka monitorimi aktiv i gjuhës së urrejtjes me bazë seksiste në sferën publike online. Pa një observim sistemik, shumë nga këto modele do të mbeteshin të padukshme.

Në të njëjtën kohë, monitorimi nuk është thjesht një ushtrim hulumtimi. Mund t’i shërbejë edhe interesit publik. Përgjatë projektit ne gjetëm komente që përmbanin kërcënime, justifikim të dhunës dhe gjuhë seksuale ndaj grupeve të lëndueshme.

Këto raste e theksojnë nevojën për praktika më të forta moderimi. Një prej gjetjeve në këtë projekt ishte se shumë prej faqeve të monitoruara nuk kishin moderim fare ndaj komenteve abuzive dhe seksiste. Ato po ashtu e theksojnë nevojën për reagim më të përgjegjshëm nga organizatat mediale që i bëjnë postimet në faqet e tyre në rrjete sociale.