Agjërimi është terapi hyjnore (2)

Sekuenca psikologjike të agjërimit

Agjërimi i ramazanit është i rëndësishëm edhe për vet edukimin e ndjenjave të njeriut, ngase duke filluar nga më primarja ka ndikim në aftësimin e tyre që gjërat dhe njerëzit përreth t’i shohin pa paragjykime dhe bëjnë riaftësimin ndërgjejgësues të tij sa i përket raporteve me të tjerët. Ngase perceptimi i vetes në një prizëm të shëndosh është bazë e njohjes dhe perceptit të drejtë për tjetrin. Gjendja e agjërueshme është ajo që njeriut i sugjeron “bëj durim”, “ndalo dhe mendo”, “fillo nga e para” e që për nga aspekti psikologjik është mundësi riparimi dhe rinovimi i vetvetes e përforcuar me prirjen për vetkontroll të mirëfilltë. Një introspektim i brendshëm dhe kontroll i sërishëm i gjërave mundëson që njollat (mëkatet) brenda vetes tonë të pastrohen dhe riparohen si të tilla. Në fakt këto përforcime që ndodhin me të menduarit, me ndjenjën për bamirësi janë përfitime të rëndësishme në rindërtimin e sërishëm te vetvetes. Andaj duke e edukuar vet-mohimin (nefsin) me agjërim gjatë këtyre ditëve të nxehta të verës, në fakt po e arsimojmë pjesën frontale të trurit tonë të njohur si Anterior Cingulat Gyrus i cili sikur mekanizmi i marzhit bën rregullimin e shpejtësisë, proces ky, edukativo arsimor që trajton dhe zhvillon inteligjencën tonë emocionale. Njëjtë është edhe me rolin e Orbito Frontal Cortex-it dhe pjesën emocionale në vendimarrje.

Agjërimi terapi hyjnore – shërues nga stresi

Agjërimi nuk është uri dhe etje, por është ngopje shpirtërore. Mundësi e riparimit të raporteve me Krijuesin dhe me njerëzit. I ngjan stinës së pranverës e cila është gjallëruese dhe ripërtrirëse për çdo një botë. Në muajin e agjërimit trupi bënë një hap prapa, për ti lënë shpirtit hapësirën e duhur të ngritjes dhe avancimit. Agjërueshëm njeriu thotë që nuk i bëhem rob epshit, pasioneve të mia, por i nënshtrohem dhe i robërohem vetëm Krijuesit tim. Kësaj i themi kontroll i sistemit të vulnerabilitetit.

Do ishte e rrugës që mos lëmë pa theksuar aspektin terapeutik të këtij muaji, duke u përqëndruar në preferencat bazë të këtij muaji sa i përket mbrojtjes nga stresi, ngarkesat psikologjike, shqetësime tjera të kësaj natyre. Agjërimi si i tillë një ndër mekanizmat bazë që i preferon si mbrojtës nga stresi, e të cilët në psikologji njihen si mënyra të mbrojtjes nga stresi sikur meditimet, ushtrimet e ndryshme, aktivitetet e lira, është qëndrueshmëria. Duke na trajnuar me qëndrueshmëri na mëson që të jemi të durueshëm, në fakt na tregon fuqinë meditative të këtij muaji.

Njeriu që nuk di dhe nuk e qëllon ushqimin e shpirtit tij gjithnjë do jetë në pritje që psikologët të futen në “kuzhinë” e të gatuajnë ose përgatitin ndonjë reçetë adekuate për shqetësimet dhe streset të cilët shpesh here na kaplojnë gjatë jetës sonë. Një jetë pa stres dhe depresion do ishte dëshira më e madhe e secilit nga ne, mirëpo ja që diçka e tillë për këtë botë duket e pamundshme dhe e parealizuar. Megjithatë të jetosh me realitetin e stresit dhe të kesh antistresantët më organik është jeta më e rehatshme psikologjike. Në këtë po shtojmë faktin që besimi, ortopraktika fetare, meditimi rreth porosive të Krijuesit me siguri janë vlerat më të përshtatshme për ruajtjen e natyrshmërisë së njeriut dhe mbrojtje e fuqishme nga presionet e ndryshme psikologjike. Nga e tërë ajo që u cek më lart nxjerr përfundimin se terapitë hyjnore (kam për qëllim në radhë të pare leximin e Kur’anit, pastaj ibadetet sikur agjërimi e namazi) janë më adekuatët për shpëtim nga streset dhe stresorët e ndryshëm.

Lidhje me këtë do doja të përkujtoj edhe përvojën e një mjeku amerikan të shquar të kohës së tij d-r Edward Dyun i cili në librin e tij lidhje me agjërimin ka theksuar: “ky libër, është dëshmi e një mënyrë kurimi të pacientëve pasi kisha përdorur dhe vënë në dispozicion gjitha medikamentet e duhura dhe kisha konstatuar mos efikasitetin e tyre tek një numër i madh i pacientëve, vendosa të përdor agjërimin si mjet kurues, si përfundim mund të them që agjërimi gati se për të gjitha sëmundjet është një ilaç i përshtatshëm për natyrshmërinë (kodin gjenetik) e njeriut dhe se si i tillë është shërues”.

Nuk ka dilemë se në lidhje me terapitë e ndryshme me rëndësi të veçantë është që të njihet mirë psikologjia e personalitetit dhe psikologjia e zhvillimit me të vetmin qëllim që të bëhet dallimi i duhur mes çrregullimit të personalitetit dhe çregullimit të sjelljes. Andaj edhe terapia më e duhur për të cilën ne flasim ka të bëjë me performimin e saj lidhje me çrregullimet në sjelljet e njerëzve. Dhe efekti i agjërimit si terapi e përshtatshme do ishte më e qëlluar sipër çrregullimeve të sipërmendura.

Agjërimi si një adhurim i rëndësishëm Islam, ka përmbajtjen e motivatorit për transformimin më pozitiv të mundshëm dhe rritjen e vlersë së njeriut. Bazuar në ajetin kur’anor të kaptinës Kadr, ku përmendet se brenda këtij muaji është një natë më e vlefshme se një mijë muaj, e që indirket na inspiron neve duke na u drejtuar: “O njeri Unë për hire të këtij muaji dhe fillimit të zbritjes së Kur’nit një nate ia kam rritur vlerën sa një mijë muaj, tani ti o agjërues e paramendon dot se çfarë vlere do përcaktojë Krijuesi yt për ty nëse ti këtë muaj e ke kaluar agjërueshëm dhe i përkushtuar në prehjen shpirtërore të këtij adhurimi.

Ramazani është sikur shiu që pastron njollat dhe pluhurin sipër tokës. Në qoftë se agjërimi i ramazanit bëhet me sinqeritet, përkushtim me siguri që i pastron besimtarët nga mëkatet. Ashtu siç mburoja që mbron pronarin nga armiku njëjtë edhe agjërimi mbron agjëruesin nga mëkatet dhe veprimet e liga. Agjëruesi kurrë nuk mund të jetë person i cili do nisë zënkën, duke u mbështetur në premisën fetare se në raste zënke dhe provokimi ai përgjigjet: “unë jam agjërueshëm”.

Është pikërisht koha në të cilën, edhe në qoftë se një njeri gjendet në majën më të lartë të motiveve, e njohur në psikologji si “hierarki e nevojave të Maslout” – vetaktualizimi, e ka të patjetërsueshme të kthehet brenda ditës, në nivelin më të ulët, në të cilën paraqiten motivet kryesore (fiziologjike) apo fundamentale për jetesë! Ai në këtë rast, kujton personat të cilët nuk i kanë plotësuar aspektet bazike për jetesë.

Ramazani luan rolin e një transformuesi të karakterit (humanitetit), nga dorështërnguar në person me ndjenja altruiste. Kur ne ndjejmë uri në veten tonë, ngjallen ndjenjat për të ndihmuar të varfërit. Pra, i pasuri mendon më racionalisht se kjo botë nuk është e tij, dhe eliminon tek ai ndjenjën e tepruar të krenarisë!

Dr. Wisniewski (2010), nga Universiteti Leiçester, thotë: “Ramazani paraqet periudhë shumë të rëndësishme të vetëpërmirësimit…” Agjërimi ndihmon për të krijuar fuqi, ndihmon zhvillimin e vetërespektit, ngrit vetëkontrollin (si pasojë e mungesës së të cilit shumë deformitete ndodhin në shoqëri) dhe mbi të gjitha stimulon vetëbesimin si promotor të suksesit në jetë.

Për fund uroj që ky muaj i agjërimit të mundësojë që brenda nesh të rritet dhe përforcohet shpirti e të zvogëlohet epshi, të forcohet humanja brenda njeriut e të dobësohet animalja.

LEXO pjesën e parë: Agjërimi terapi hyjnore – shërues nga stresi (1)