Pendimi dhe kushtet e pendimit

Pendimi të cilin e urdhëron All-llahu s.u.t, është pendimi i sinqertë i cili ka kushte, e ato janë pesë:

Kushti i parë:
Të jetë vetëm për All-llahun s.u.t, në mënyrë që ta çojë ky pendim në dashurinë e All-llahut s.u.t, madhërimin, shpresën, shpërblimin dhe frikën nga dënimi i Tij.
Duhet që njeriu me pendimin e tij të mos kërkojë gjë nga të mirat e kësaj botë, se një pendim i tillë nuk pranohet, sepse ai nuk është penduar për All-llahun s.u.t, por për diçka tjetër.

Kushti i dytë:
Ta ndjejë veten të penduar, të mërzitur për atë gjynah që veproi, duke dëshiruar që të mos e kishte bërë.
Me këtë ndjejë përgjërimi duhet të qëndrojë para All-llahut s.u.t. si dhe duke qortuar veten e tij që e urdhëroi ta bënte atë gjynah, e në këtë mënyrë pendimi i tij është i bazuar në akiden e saktë dhe në mençuri.

Kushti i tretë:
Të largohet menjëherë nga gjynahu, e nëse ka lidhje me një vepër të ndaluar të largohet prej saj në çast.
Në rast se ka lënë pa realizuar ndonjë detyrë, le ta fillojë në çast nëse mund të kryhet menjëherë si Zekati dhe Haxhi. Dhe nuk është i saktë pendimi nëse vazhdon ta bëjë gjynahun.

Nëse dikush thotë se është penduar nga kamata por vazhdon ta përdorë atë, atëherë pendimi i tij nuk pranohet, përkundrazi ky pendim konsiderohet tallje, e ky lloj pendimi e shton edhe më shumë largimin nga All-llahu s.u.t.
Po kështu edhe nëse pendohet për lënien e namazit me xhemat por përsëri nuk shkon ta falë atë me xhamat, atij nuk i pranohet teubja.

Nëse gjynahu ka lidhje me të drejtat e krijesave, nuk i pranohet pendimi derisa t’i jape ç`dokujt hakun që i takon.
E nëse gjynahu mund të ketë lidhje me marrjen e pasurisë së tjetrit pa të drejtë, atëherë pendimi i tij nuk është i saktë derisa t’ia kthejë atij që ia ka marrë, nëse është gjallë, në të kundërt ua lë trashigimtarëve e në rast se nuk ka trashigimtarë atëherë e dorëzon tek Bejtul Mal (vendi ku mblidhet pasuria, e në mungesë të saj i jepet imamit ose atij që i frikësohet All-llahut s.u.t), e në rast se nuk e di pronarin e mallit, jep sadaka (lëmoshë) për të, sepse All-llahu s.u.t. e di se e kujt është.

Nëse ka përgojuar një Musliman, e ka për detyrë t’i kërkojë hallallin nëse e di se personi i përgojuar prej tij e ka marrur vesh apo se mund ta marrë vesh, e në të kundërt kërkon falje për të dhe ia përmend cilësitë e tij të mira në atë vend ku e përgojoi, sepse punët e mira i fshijnë të këqija.

Është i saktë pendimi për një gjynah edhe nëse vazhdon të bëjë gjynahe të tjera sepse veprat janë të ndara ndërsa besimi përmirësohet (me pendim nga gjynahet).
Mirëpo një i penduar i tillë nuk mund të konsiderohet plotësisht i penduar dhe nuk mund të emërtohet me emra dhe cilësi të mira e as që meriton pozitë të lartë, derisa të pendohet plotësisht tek All-llahu s.u.t. nga të gjitha gjynahet.

Kushti i katërt:
Të vendosë me gjithë zemër për të mos e bërë më kurrë atë gjynah, sepse ky është fryt i pendimit dhe treguesi i sinqeritetit të të penduarit.
Por nëse thotë se u pendua dhe vazhdon të jetë i vendosur apo qoftë dhe i luhatur, se një ditë prej ditësh, do t’i kthehet përsëri atij gjynahu, ky nuk është pendim i saktë por i përkohshëm sepse ai mezi pret rastin që ta veprojë përsëri atë gjynah.
Kjo tregon se ai nuk e urren mëkatin dhe nuk e ka vendosur plotësisht largimin prej tij dhe kthimin me gjithë sinqeritet tek bindja ndaj All-llahut s.u.t.

Kushti i pestë:
Të mos ketë kaluar koha e pranimit së pendimit se në të kundërt nuk pranohet.
Në momentin e vdekjes nuk bën dobi e as nuk pranohet pendimi.

Thotë All-llahu s.u.t:
Nuk është pendim (i pranueshëm) i atyre që vazhdimisht bëjnë punë të këqia dhe vetëm atëherë kur t’i vjen vdekja ndonjërit prej tyre, të thotë, Unë tashti u pendova. Nisa: 18.

Thotë Profeti (salall-llahu alejhi ue ala alihi ue sel-lem):
All-llahu s.u.t. e pranon pendimin e robit, përderisa nuk i ka ardhur shpirti në fyt (për t’i dalë).
Tra: Imam Ahmedi dhe e konsideroi të saktë Shejkh Albani.

Kur pendimi është i saktë, i plotëson kushtet e tij dhe është i pranuar, me të All-llahu s.u.t. ia fshin gjynahet atij që pendohet edhe nëse mëkati që ka kryer është i madh.

Thotë All-llahu s.u.t:
Thuaj, O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së All-llahut, sepse All-llahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është Mëshirues. Zumer: 53.

Shpejtoni, All-llahu s.u.t. ju mëshiroftë në jetën tuaj, të pendoheni me pendim të sinqertë para se t’ju vijë vdekja, prej së cilës nuk ka shpëtim.