58 të infektuar me Ethet e Nilit Perëndimor në RMV, 8 të vdekur

Deri më 8 shtator, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 58 raste të etheve të Nilit Perëndimor, prej të cilave 54 janë konfirmuar dhe katër konsiderohen të mundshme, ndërsa tetë persona kanë vdekur, transmeton Portalb.mk.

Në raportin e fundit të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) bëhet e ditur se gjatë javës së fundit, nga 2 deri më 8 shtator, janë regjistruar dy raste të reja, një në Shkup dhe një në Sveti Nikollë. Në të njëjtën periudhë kanë vdekur dy persona.

Të gjithë të vdekurit janë burra nga Shkupi, me moshë mesatare 71.9 vjeç dhe të gjithë ishin të hospitalizuar.

Nga gjithsej 58 të infektuarit, 46 janë burra dhe 12 gra.

Shumica e të prekurve, 81 përqind, janë mbi 60 vjeç. Mosha mesatare e të infektuarve është 66.1 vjeç.

Ethet e Nilit Perëndimor u regjistruan për herë të parë në Maqedoni në vitin 2011. Nga 2011 deri në fund të vitit 2025 janë regjistruar 54 raste të konfirmuara laboratorikisht dhe pesë vdekje.

Në vitin 2026 është shënuar rritje e konsiderueshme e rasteve dhe vdekjeve krahasuar me vitet e mëparshme.

Për ethet e Nilit Perëndimor nuk ka bar konkret antiviral. Mjekimi ka për qëllim të lehtësojë simptomat në kombinim me pushim, konsumim të lëngjeve dhe barnave për temperaturën dhe dhimbjen. Rastet e rënda shtrohen në spital.

Mbrojtja më e mirë është shmangia e pickimit nga mushkonjat duke përdorur repelentë, duke veshur rroba me mëngë të gjata dhe pantallona të gjata, duke instaluar rrjeta mbrojtëse në dritare dhe duke e larguar ujin e ndenjur rreth shtëpisë, si vend ku shumohen mushkonjat.

Nëse keni temperaturë të lartë, dhimbje të forta të kokës, bllokim të qafës, konfuzion ose dobësi në krahë ose këmbë pas pickimit nga mushkonja, duhet të kërkoni ndihmë mjekësore.