Ethet e Nilit Perëndimor u konfirmuan te tre zogj të ngordhur në Maqedoninë e Veriut
Prania e etheve të Nilit Perëndimor është konfirmuar te tre korba të ngordhur, dy prej të cilëve janë gjetur në territorin e Shkupit, ndërsa një në Resnjë, informuan nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV), transmeton Portalb.mk.
“Janë raportuar zogj të ngordhur. Një pjesë e raportimeve kanë të bëjnë me zogj të sapongordhur, por pjesa më e madhe kanë të bëjnë me zogj që janë në fazë të avancuar të dekompozimit dhe nuk janë të përshtatshëm për testim laboratorik për praninë e virusit të etheve të Nilit Perëndimor. Për këtë arsye, jo çdo raportim mund të rezultojë me marrjen e mostrës dhe testimin laboratorik”, thuhet në njoftimin e Agjencisë.
Nga AUV shtojnë se do të vazhdojnë me zbatimin e aktiviteteve për përcaktimin e gjendjes epidemiologjike dhe vlerësimin e rrezikut nga infeksionet me këtë virus.
Sipas AUV së, nuk ka nevojë për testim laboratorik të rasteve individuale të zogjve të ngordhur në territorin e Qytetit të Shkupit, pasi nga monitorimi i deritanishëm i virusit është konfirmuar qarkullimi i tij në këtë zonë.
Ata u bëjnë apel qytetarëve të kenë kujdes nëse në të njëjtën zonë, brenda një periudhe të shkurtër kohore, ka njënumër më të madh të korbave të ngordhur ose zogjve të tjerë të egër shtegtarë.
Në një rast të tillë, qytetarët duhet ta njoftojnë Agjencinë.
Për rastet individuale të zogjve të ngordhur në territorin e Shkupit, qytetarët duhet t’u drejtohen shërbimeve komunale, përkatësisht NP “Higjiena Komunale”, për mbledhjen dhe largimin e tyre në mënyrë të përshtatshme.
Kujtojmë se nga Ethet e Nilit Perëndimor kanë vdekur 7 persona, ndërsa virusi është konfirmuar te mbi 50 persona.