“Babai” i fundit i Bajrush Mjakut, aktori legjendar e mbylli karrierën 53-vjeçare
Shfaqja “Babai” e dramaturgut francez Florian Zeller, me regji të Ivan Popovskit, solli në skenën e Teatrit Shqiptar një interpretim të fuqishëm aktorial, me Bajrush Mjakun në rolin kryesor. Për Mjakun, kjo shfaqje pati një peshë të veçantë, pasi erdhi si përmbyllje e një rrugëtimi artistik prej më shumë se pesë dekadash, shkruan Portalb.mk.
Në një prononcim për Portalb.mk, Mjaku tregoi se tekstin e Zellerit e kishte përzgjedhur shumë vite më parë, menjëherë pasi e kishte lexuar dhe ishte tërhequr nga kompleksiteti i personazhit kryesor.
“Këtë tekst e kam përzgjedhur vetë që para shtatë vitesh. Që në leximin e parë më bëri për vete personazhi dhe vendosa që me këtë rol ta rrumbullakoja karrierën time. Do të doja ta kisha realizuar në vitin 2023, kur shënova 50-vjetorin e karrierës, por nuk kishim përkrahjen e nevojshme financiare nga Ministria e Kulturës. Shuma e ndarë ishte qesharake. Nuk mbulonte as skenografinë, e lëre më angazhimin e një regjisori dhe bashkëpunëtorëve të tjerë që kërkon një produksion i këtij niveli”, u shpreh ai.
Megjithatë, projekti nuk u la në sirtar. Një rol të rëndësishëm në realizimin e tij pati regjisori Ivan Popovski, i cili, sipas Mjakut, pranoi të punonte pa honorar për ta bërë të mundur shfaqjen.
“Bëhet fjalë për një regjisor me një karrierë të jashtëzakonshme ndërkombëtare, i cili në Rusi konsiderohet ndër emrat më të rëndësishëm të regjisë. Qëllimi im ishte ta përmbyllja këtë projekt, të cilin e kisha nisur shumë kohë më parë. Për mua ishte një vendim shumë i rëndësishëm në karrierë, edhe për shkak të personazhit që interpretoj dhe sfidës së madhe që ai mbart. Arritëm ta çonim publikun drejt një kulminacioni dhe ta bënim pjesë të asaj që po ndodhte në skenë. Ky është një nga kënaqësitë më të mëdha që mund të ketë një aktor”, u shpreh ai.

“Babai” trajton në mënyrë të ndjeshme humbjen e kujtesës, raportet familjare, pleqërinë dhe përballjen e njeriut me një realitet që nis t’i rrëshqasë nga duart. Në qendër të veprës është një personazh që përballet me demencën dhe Alzheimerin, një rol që, sipas Mjakut, kërkon përgatitje dhe analizë të thellë.
“Çdo personazh ka karakterin e vet dhe kërkon një analizë të veçantë. Kur bëhet fjalë për gjendje si demenca apo Alzheimeri, duhet shumë kujdes dhe konsultim profesional, në mënyrë që personazhi të ndërtohet sa më i plotë dhe i besueshëm”, tha ai.
Mjaku theksoi se gjatë karrierës së tij është përballur me një galeri të gjerë personazhesh, nga veprat e Steinbeckut dhe Gogolit deri te Shekspiri dhe autorë të tjerë të mëdhenj, role që, siç thotë, e kanë shoqëruar gjatë gjithë rrugëtimit të tij artistik.
Për të, teatri ka qenë gjithmonë më shumë sesa interpretim në një skenë.
“Teatri shqiptar nuk është vetëm një skenë. Për mua ka qenë edhe një mënyrë për ta prezantuar kulturën dhe gjuhën shqipe jashtë hapësirës shqiptare”, tha Mjaku.

Gjatë dekadave të karrierës së tij, ai ka interpretuar në skena dhe festivale ndërkombëtare nga Moska, Kievi, Kajroja, Aleksandria e Bejruti, deri në Paris dhe Nju Jork.
Në disa prej këtyre produksioneve, Mjaku ka interpretuar në gjuhën shqipe përkrah artistëve nga vende dhe kultura të ndryshme, përfshirë Palestinën, Jemenin, Katarin dhe Kroacinë.
“Kjo përvojë më ka bërë ta kuptoj edhe më shumë se arti dhe teatri nuk kanë kufij. Për mua është një nga dëshmitë më të bukura se gjuha dhe teatri shqiptar mund të dëgjohen edhe përtej kufijve tanë”, tha ai.
Përkrah Bajrush Mjakut në “Babai” interpretuan Armenisa Nokshiqi, ndërsa pjesë e kastit janë edhe aktorët e rinj Fisnik Zeqiri, Sabina Memishi, Flakron Aliu dhe Melika Kastrati.
Prania e aktorëve të rinj përkrah një prej emrave më të afirmuar të skenës shqiptare i jep shfaqjes edhe një dimension simbolik: një brez me dekada përvojë në skenë takohet me një gjeneratë që po ndërton rrugën e vet artistike.
Për Bajrush Mjakun, ndërkaq, “Babai” mbetet shumë më tepër se një premierë e radhës. Aktori ka paralajmëruar se ky është roli i fundit i karrierës së tij, duke mbyllur kështu një rrugëtim 53-vjeçar në skenë.
Në këtë mënyrë, historia e një babai që lufton me kujtesën shndërrohet njëkohësisht edhe në një lamtumirë nga skena për një prej figurave më të njohura të teatrit shqiptar.
