Zvarritet përfundimi i ‘Bllagoja Toskës’ në Tetovë, komuna nuk jep afat

Punimet për daljen e bulevardit “Bllagoja Toska” të Tetovës në lagjen Drenovec ku lidhet me rrugën Tetovë – Jazhincë nuk kanë përfunduar edhe pas mbi dy viteve që nga fillimi i tyre, ndërsa komuna nuk jep afat konkret se kur do përfundojë kjo rrugë, shkruan Portalb.mk.

Ndonëse po punohet në terren dhe siç shihet punimet janë nga fundi, nga Komuna e Tetovës nuk kanë ende afat konkret për përfundimin e rrugës.

“Ende po punohet në terren. Për momentin janë duke u kryer punimet tek parkingu dhe më pastaj do të vijohet edhe me pjesën tjetër. Për shkak të dinamikës dhe punimeve në infrastrukturë nuk mund të japim një afat të caktuar kohor, por besojmë se së shpejti do të jetë gati për asfaltim”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Rruga mbi Kazermën e Tetovës dhe nën stadiumin e vjetër që lidh Bulevardin "Bllagoja Toska" me rrugën rajonale Tetovë - Jazhincë në lagjen Drenovec. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk (12.03.2026)
Rruga mbi Kazermën e Tetovës dhe nën stadiumin e vjetër që lidh Bulevardin “Bllagoja Toska” me rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë në lagjen Drenovec. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk (12.03.2026)

Komuna e Tetovës me 15 janar 2024 përzgjodhi Kompaninë “Anrra Centrum” nga Reçica e Vogël për ndërtimin e Bulevardit Bllagoja Toska nga Kazerma deri te rruga rajonale në gjatësi prej 450 metrave dhe përfundimi i trotuareve. Kontrata u nënshkrua me 8 shkurt 2024, ndërsa punimet në terren filluan më 19 shkurt 2024.

Kjo rrugë prej rreth 450 metrave ishte e lënë në gjendje kritike për shumë gjatë, pa asfalt, plotë gropa dhe baltë.

Me asfaltimin e këtij segmenti rrugor pritet të lehtësohet komunikacioni për hyrje dhe dalje nga qyteti.

Banorët e kësaj lagjeje shumë herë janë ankuar për gjendjen e keqe e rrugës dhe kanë kërkuar asfaltimin e saj, madje në fund të vitit 2022 banorët e kësaj lagjeje dolën edhe në protestë. 

Kujtojmë se në prill 2025, Kasami e paralajmëroi se gjatë vitit 2026 do të bëhet edhe vazhdimi i bulevardit “Bllagoja Toska” nga pjesa te shkolla tekstile deri te rrethrrotullimi në bulevardin “Ilinden” apo i njohur ndryshe si te “Mema”. Por, tani për tani nuk ka diçka konkrete.

Kujtojmë që vazhdimi i bulevardit “Bllagoja Toska” së bashku me dy bulevardet tjera, “Ilinden” dhe “Industrial” është edhe pjesë programit zgjedhor 2025/29 me të cilin Kasami garoi në zgjedhjet e fundit lokale. Të njëjtat ishin edhe në programin zgjedhor 2021-2025.