Në Kuvend u mbajt mbledhje përkujtimore për tragjedinë në Koçan, familjarët e pakënaqur

Në Kuvendin e Maqedonisë u mbajt një seancë përkujtimore me rastin e përvjetorit të tragjedisë në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 63 të rin, transmeton Portalb.mk.

Në mbledhje morën pjesë familjarët e viktimave të zjarrit katastrofik, si dhe krerët më të lartë të shtetit: presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, kryeministri Hristijan Mickoski dhe kryetari i Kuvendit Afrim Gashi.

Seanca filloi me një minutë heshtje, ndërsa të pranishmëve iu drejtua kryetari i Kuvendit, Gashi. Ai tha se nata tragjike e 16 marsit 2025 ka lënë plagë të thella në ndërgjegjen e të gjithë shoqërisë.

“Ky është një moment reflektimi për të gjithë ne dhe kujtimi i jetëve të humbura duhet të shërbejë si thirrje për më shumë përgjegjësi, drejtësi dhe ndërgjegje në çdo institucion dhe në çdo vendimmarrje. Jemi mirënjohës për të gjithë ata që në ditët më të vështira treguan humanizëm dhe solidaritet: mjekët, infermierët, zjarrfikësit, policia, vullnetarët, Kryqi i Kuq dhe qytetarët që u mobilizuan për të ndihmuar”, tha Gashi, duke falënderuar edhe shtetet mike që hapën dyert dhe ofruan ndihmë për të lënduarit.

Ai theksoi se nuk ka fjalë apo gjeste që mund ta zbusin dhimbjen dhe se dhimbja e familjeve të viktimave është dhimbje e të gjithëve. Po ashtu iu drejtua institucioneve duke kërkuar që të përcaktohet përgjegjësia e të gjithë atyre që lejuan të humben kaq shumë jetë të reja.

“Drejtësia nuk duhet të jetë as e nxituar dhe as e vonuar. Vetëm e vërteta dhe drejtësia mund të sjellin të paktën pak qetësi për familjet dhe për shoqërinë”, theksoi Gashi.

Kryeministri Mickoski shkroi sot se mori pjesë në seancën komemorative në Kuvend në nder të 63 viktimave të zjarrit tragjik në Koçan.

“Në kujtimin e atyre që humbën jetën, bashkohemi në dhimbje, por edhe në shpresë për një të ardhme më të sigurt”, tha Mickoski.

Një pjesë e familjeve të viktimave që morën pjesë në seancë nuk ishin të kënaqura me mënyrën se si Kuvendi e shënoi përvjetorin e tragjedisë. Gabriela Naunova, nëna e Nadicës së ndjerë, tha se nuk e kishin pritur që nderimi për fëmijët e tyre të bëhej vetëm me një fjalim të shkurtër.

“Kjo është edhe një plagë e madhe për ne prindërit. Pas një viti, një komemoracion me vetëm dy faqe tekst të lexuar është zhgënjim i madh. Prisnim që për secilin fëmijë të kishte të paktën nga dy minuta, me një tekst të veçantë, por për fat të keq asnjë fëmijë nuk u përmend me emër dhe mbiemër”, tha Naunova.

Familjet shprehën pakënaqësi edhe për faktin se mbledhja përkujtimore po mbahet pothuajse një vit pas ngjarjes tragjike, e jo më herët.

Mbledhja përkujtimore për tragjedinë në Koçan. Foto: Kuvendi i RMV-së
Mbledhja përkujtimore për tragjedinë në Koçan. Foto: Kuvendi i RMV-së

Shënimi i përvjetorit të zjarrit në diskotekën “Puls” në Koçan do të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Të shtunën, më 14 mars, në Koçan do të ketë ngjarje në kishën “Shën Gjergji”, ndërsa në varrezat e qytetit do të mbahet përkujtim për viktimat. Të dielën do të organizohen garë rekreative dhe një turë me biçikleta në itinerarin Shtip–Koçan, si dhe marsh memorial malor “Ivona Antova dhe 63 engjëj” në Ponikva dhe një turne basketbolli mes të lënduarve nga tragjedia. Po ashtu do të shfaqet performanca muzikore-baletike “Koçani ju falënderon”, koncert i Marko Videnoviqit dhe treshes “Mevlem”, si dhe do të promovohet libri “Do të të ketë” nga Marina Stoçevska.

Në përvjetorin e tragjedisë, më 16 mars, familjet dhe banorët e Koçanit do të mblidhen në orën 02:15 të mëngjesit para diskotekës “Puls”, ku do të mbahet ngjarja “Drita që mbetet”.

Do të organizohet edhe një garë në itinerarin Sveti Nikollë–Shtip–Obleshevë–Koçan, ndërsa në Parkun e Revolucionit në Koçan do të vendoset instalacioni simbolik “63 karrige të bardha – 63 jetë”, së bashku me muralin “Muri i kujtesës”, kushtuar viktimave. Po ashtu do të mbahet komemoracioni “Dita e kujtesës – 16 mars 2025” dhe do të hapet memoriali “Ëndrra të papërfunduara – çdo emër është bota e dikujt”.

Përvjetori do të shënohet edhe me konferencën ndërkombëtare “Aspektet institucionale dhe klinike dhe zgjidhjet pas zjarrit në Koçan – një vit më pas”, në organizim të Qeverisë. Në konferencë do të marrin pjesë 37 mjekë dhe ekspertë mjekësorë nga jashtë vendit, të cilët në ditët pas tragjedisë morën pjesë drejtpërdrejt në trajtimin e pacientëve.

Zjarri në Koçan shpërtheu natën e 15-16 marsit, duke rezultuar me 63 viktima dhe duke plagosur pothuajse 200 të tjerë.

Tetë muaj pas aksidentit, 37 të pandehur u ulën në bankën e të akuzuarve, nga të cilët 34 ishin individë dhe tre ishin persona juridikë. Pronarë baresh, menaxherë, inspektorë, roje sigurie, nëpunës civilë dhe ish-kryetarë komune janë të akuzuar.