Bllagoja Toska në Tetovë, ‘roman’ i papërfunduar për dy vite

Punimet për daljen e bulevardit “Bllagoja Toska” të Tetovës në lagjen Drenovec ku lidhet me rrugën Tetovë – Jazhincë nuk kanë përfunduar edhe pas dy viteve që nga fillimi i tyre, ndërsa nuk ka afat konkret kur do përfundojë kjo rrugë, shkruan Portalb.mk.

Edhe pse tani e disa muaj objektet që pengonin depërtimin janë rrënuar, rruga vazhdon të mbetet e papërfunduar.

Portalb.mk e pyeti kreun e Komunës së Tetovës se pse po vonohet ky projekt, Bilall Kasami nuk dha datë konkrete kur do përfundojë rruga.

“Aty kanë nisë dhe është rritur intensiteti i punimeve dhe unë besoj shpejtë do realizohet. Punohet aty edhe unë besoj se shumë shpejtë do përmbyllet”, tha Kasami.

Komuna e Tetovës me 15 janar 2024 përzgjodhi Kompaninë “Anrra Centrum” nga Reçica e Vogël për ndërtimin e Bulevardit Bllagoja Toska nga Kazerma deri te rruga rajonale në gjatësi prej 450 metrave dhe përfundimi i trotuareve. Kontrata u nënshkrua me 8 shkurt 2024, ndërsa punimet në terren filluan më 19 shkurt 2024.

Kjo rrugë prej rreth 450 metrave ishte e lënë në gjendje kritike për shumë gjatë, pa asfalt, plotë gropa dhe baltë, sidomos gjendja më e keqe është kur ka reshje të shiut apo bores.

Me asfaltimin e këtij segmenti rrugor pritet të lehtësohet komunikacioni për hyrje dhe dalje nga qyteti.

Banorët e kësaj lagjeje shumë herë janë ankuar për gjendjen e keqe e rrugës dhe kanë kërkuar asfaltimin e saj.

Pavarësisht premtimeve nga autoritetet, në terren nuk u ndërmor asgjë me vite. Madje në fund të vitit 2022 banorët e kësaj lagjeje dolën edhe në protestë. 

Kujtojmë se në prill 2025, Kasami e paralajmëroi se gjatë vitit 2026 do të bëhet edhe vazhdimi i bulevardit “Bllagoja Toska” nga pjesa te shkolla tekstile deri te rrethrrotullimi në bulevardin “Ilinden” apo i njohur ndryshe si te “Mema”. Por, tani për tani nuk ka diçka konkrete.

“Aty jemi në fazën e miratimit të projektit, pra dhënies ë lejes paralelisht komisioni për shpronësim punon në drejtim të procesit të shpronësimit, është projekti gati, është zgjedhje urbanistike, në moment që do e sigurojmë lejen do të kemi mundësinë që të aplikojmë edhe për sigurimin e fondeve”, tha Kasami.

Kujtojmë që vazhdimi i bulevardit “Bllagoja Toska” së bashku me dy bulevardet tjera, “Ilinden” dhe “Industrial” është edhe pjesë programit zgjedhor 2025/29 me të cilin Kasami garoi në zgjedhjet e fundit lokale. Të njëjtat ishin edhe në programin zgjedhor 2021-2025.