Zjarret në Greqi morën tre viktimat e para, evakuimi i turistëve vazhdon me fluturime emergjente

Zjarret në Greqi morën jetët e dy viktimave pasi dy pilotët e një avioni zjarrfikës që u rrëzua në ishullin Evia vdiqën dje dhe u gjet trupi i një bariu 41-vjeçar, i cili ishte zhdukur që nga e diela. Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis paralajmëroi se ka ende ditë të vështira përpara për Greqinë, pasi zjarri vazhdon të shkatërrojë shtëpi dhe prona dhe vala e të nxehtit nuk tregon shenja uljeje, transmeton Portalb.mk.

Temperaturat gjatë ditës së sotme pritet të kalojnë 44 gradë Celsius në disa pjesë të vendit, ndërsa nga pasnesër paralajmërohet përmirësim i mundshëm i kushteve.

Dy pilotë të moshës 34 dhe 27 vjeç humbën jetën kur avioni i tyre u rrëzua teksa po shuanin zjarrin pranë qytetit të Karistos pasditen e djeshme dhe aksidenti u kap nga kamerat televizive. Avioni sapo ishte rrëzuar kur krahu i tij preu një pemë dhe më pas ra në tokë.

“Ata dhuruan jetën e tyre për të shpëtuar jetë. Në kujtim të tyre ne vazhdojmë luftën kundër forcës shkatërruese të natyrës”, tha Mitsotakis.

Dje u gjet edhe trupi i djegur i një bariu, i cili u largua të dielën nga fshati Platanistos në Evia, raportojnë mediat greke.

Zjarret e mëdha janë ende aktive në Rodos, Evia dhe Korfuz, si dhe në disa vende. Qindra zjarrfikës, përfshirë edhe të huaj, marrin pjesë në shuarjen e zjarrit. Mbi 5000 turistë janë kthyer në shtëpi me fluturime emergjente deri dje dhe do të vazhdojnë edhe sot.