Lideri i së Majtës norvegjeze dha dorëheqjen pasi u filmua duke vjedhur syze luksoze në një free-shop

Kreu i Partisë së Kuqe të Norvegjisë, Bjernar Moxnes, ka dhënë dorëheqjen pasi u filmua duke vjedhur syze luksoze në aeroportin e Oslos. Moxnes, partia e majtë e të cilit ka tetë vende në parlament, u kap në kamera muajin e kaluar duke vjedhur syze dielli Hugo Boss nga një dyqan. Pasi pamjet u bënë virale, Moxnes mori pushim mjekësor në fillim të korrikut, transmeton Portalb.mk.

Ai e pranoi vjedhjen dhe dha dorëheqje nga posti i tij dje.

“Shumë më kanë pyetur se si mund të kisha bërë diçka kaq budallaqe. Edhe unë e kam pyetur veten shumë herë në javët e fundit. Nuk kam shpjegim adekuat”, tha Moxnes, i cili ishte lider i partisë për 11 vjet.

Presidentja e re e partisë Marie Sneve Martinussen dënoi vjedhjen dhe trajtimin e skandalit nga Moxnes.

“Jam e zemëruar dhe e zhgënjyer dhe këtë ia kam thënë Bjernirit në mënyrën më të hapur. Tani që kërkoi falje, kjo çështje është mbyllur për mua”, tha Martinussen.