Paul Tange për tërmetin e viti 1963: Babai im Kenzo donte t’i jepte shpresë Shkupit – pas Hiroshimës, kjo ishte përballja e tij e dytë me katastrofat

Për babain tim Shkupi ishte një projekt shumë i rëndësishëm dhe donte të ishte pjesë e rindërtimit të qytetit pas tërmetit shkatërrues. Pas Hiroshimës, kjo ishte përvoja e tij e dytë e përballjes me katastrofa të rënda.

Kështu në një intervistë për “Deutsche Welle” (DW), Paul Tange flet për babain e tij Kenzo – arkitekt japonez, dhe rolin e tij në restaurimin e Shkupit pas tërmetit shkatërrues 60 vjet më parë – më 26 korrik 1963.

“Mbaj mend që mendonte shumë se si mund t’u jepte jetë, shpresë njerëzve, fillimisht si njeri, e më pas si arkitekt. Mendonte si një profesionist që të krijojë një ide të mençur arkitektonike ose planifikimi për t’u dhënë njerëzve shpresë për të ecur përpara. Kështu, për të, rindërtimi i komunitetit në Shkup ishte shumë i rëndësishëm. Krijimi i një porte të qytetit në qendër të qytetit ku njerëzit mund të mblidhen vërtet dhe të ndjejnë se komuniteti ekziston përsëri. Sheshi i bashkuar ka të njëjtin funksion për të. Përsëri, një vend ku njerëzit mund të mblidhen. Jemi bashkë, pa dallim nëse jemi në njërën anë të lumit apo në tjetrën. Ai donte që njerëzit të ndjenin se ishin bashkë. Pra, për të ajo hapësirë ​​komunitare, krijimi i një qendre ku njerëzit mund të bashkohen ishte shumë e rëndësishme. Çfarëdo që kishte mbetur, ai u përpoq ta ruante në mënyrë që njerëzit të kuptonin se si ishte më parë dhe çfarë më pas”, thotë Paul Tange.

Rindërtimi i Shkupit, thotë ai, ishte projekti i parë i huaj për babain e tij. Kur pa se 70 për qind e qytetit ishte shkatërruar dhe vetëm 30 për qind e ndërtesave kishin mbetur, ai mendoi se ishte e rëndësishme të ruhej kjo histori.

“Prandaj ai krijoi Murin e qytetit, i cili është një hapësirë ​​vertikale për të jetuar, por në fakt një rrethim i asaj që mbeti në qytetin e Shkupit pas shkatërrimit nga tërmeti. Ai mendonte si një urbanist, një projektues urban”, thotë Paul Tange.

Intervistën e plotë mund ta lexoni KËTU.

Sot e 60 vite më parë – 26 korrik 1963, shkupjanët u zgjuan nga fatkeqësia më e madhe natyrore që i ndodhi qytetit. Në orën 05:17, toka në Shkup u lëkund me magnitudë 6.1 ballë të shkallës Rihter.

Tërmeti la pas rrënoja, mori 1070 jetë dhe plagosi rreth 3000 njerëz. Mbi 200,000 banorë mbetën të pastrehë. Por edhe Shkupin e ktheu në qytet solidariteti – ndihma humanitare për rindërtimin e qytetit mbërriti nga të gjitha anët.

Edhe Kombet e Bashkuara ndërmorën aktivitete për të ndihmuar qytetin e shkatërruar. Më 23 shtator 1963, 35 shtete kërkuan nga Asambleja e Përgjithshme që në rendin e ditës të seancës të vendosë një pikë për marrjen e masave me rastin e tërmetit në Shkup. Më vonë, më 27 shtator, Asambleja e Përgjithshme i dha përparësi aksionit ndërkombëtar për dhënien e ndihmës për Shkupin.

Më 14 tetor, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi njëzëri Rezolutën për t’i ofruar ndihmë qeverisë jugosllave në rindërtimin e Shkupit, duke shprehur keqardhjen për fatkeqësinë e madhe. Në debatin për dhënien e ndihmës për Shkupin, Asambleja e Përgjithshme dëgjoi prezantimin e përfaqësuesve nga mbi 20 vende nga të gjitha kontinentet. Ajo ditë mbeti në analet e Kombeve të Bashkuara si dita e Shkupit.

Sot 60 vjetori i tërmetit në kryeqytet do të shënohet me një sërë aktivitetesh në disa lokacione anembanë Shkupit.

Me rastin e 60 vjetorit të tërmetit katastrofal në Shkup të vitit 1963, një delegacion qeveritar i kryesuar nga zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq,i shoqëruar nga ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska dhe zëvendësministri i Arsimit Agim Nuhiu do të vendosin lule të freskëta para memorialit për viktimat e tërmetit në varrezat e Butelit.