Qindra raste me Kishën Ortodokse e Maqedonisë në arkivin e gjykatës, një pjesë e madhe për pronat

Për vite me radhë, Kisha Ortodokse e Maqedonisë – Kryepeshkopata e Ohrit ka qenë pjesë e betejave të qeta ligjore për atë që rrallëherë flitet, pronën e saj, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.

Formalisht, ato janë të ndara, por marrëdhëniet midis Kishës dhe shtetit shpesh “kryqëzohen” në sistemin ligjor dhe “hekurosen” nëpër gjykata.

Në bazën e të dhënave të gjykatës ka mbi 600 vendime ku është e përfshirë bashkësia më e madhe fetare në vendin tonë. Diku Kisha ngre padi për mbrojtjen dhe kthimin e pronës, diku paditet, ndërsa në procedura gjyqësore për vjedhje nga kishat shfaqet edhe si palë e dëmtuar. Konteste civile, administrative, raste para apelit, ndërsa ka edhe raste të tilla që kanë arritur deri në Gjykatën Supreme.

Këto raste zakonisht janë nën radarin publik.

KOM-KA ka qenë aktive në kontestet pronësore – ka ngritur padi për ndarjen e pronës, është ankuar për kompensimin për shpronësim dhe është gjithashtu e përfshirë edhe në procedurat e denacionalizimit… Proceset gjyqësore tregojnë se Kisha shpesh përballet me shtetin, qytetarët dhe madje edhe me partitë politike në luftën për pronën që e konsideron të vetën.

Bëhet fjalë për pronësi të arave, pyjeve, livadheve dhe objekteve të ndryshme.

Ka rreth njëzet vendime gjyqësore vetëm për pronën që i është marrë përmes shpronësimit për ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër. Në disa raste Kisha ka fituar, ndërsa në disa të tjera i ka humbur kontestet.

Të pakënaqur me shumën

Ndërtimi i autostradës midis Kërçovës dhe Ohrit ka qenë një çështje e nxehtë për shumë vite dhe ende përdoret në mënyrë aktive si material për sulme politike. Ende pa filluar eskavatorët, Kisha dhe shteti u gjetën në gjykatë.

Arsyeja e kontestit gjyqësor qëndron në marrjen e pronës së kishës. Kjo është bërë me qëllim të ndërtimit të një autostrade. Ne gjetëm rreth njëzet aktgjykime të tilla, edhe pse numri i tyre mund të jetë shumë më i lartë, pasi gjykatat nuk publikojnë gjithçka mbi të cilën sjellin vendime.

Në një aktgjykim të vitit 2020 të Gjykatës së Apelit në Manastir gjykata ka përcaktuar që kisha duhet të marrë gjithsej 93 mijë euro për një pronë të shpronësuar prej gati 2.300 metrash katrorë për ndërtimin e segmentit të autostradës Kërçovë – Ohër.

Çmimi është definuar nga një ekspert, sepse shteti dhe Kisha paraprakisht nuk kanë mundur të binin dakord për shumën. Kisha në gjykatë ka kërkuar më shumë para, gjegjësisht 9.000 denarë për metër katror, ndërsa eksperti ka përcaktuar 2.500 denarë.

Në një rast tjetër për pronë të shpronësuar të KOM-KO për të njëjtën autostrade shteti i ka paguar Kishës 7.600 euro kompensim për pemët e shkatërruara të frutave, kryesisht trungje arre.

Ndër kontestet pronësore ka edhe padi “ndërfetare”. Në vitin 2017, Bashkësia Fetare Islame paditi KOM-KO-në dhe shtetin për një pronë prej 600 metrash katrorë në Shtip, por e humbi kontestin.

KOM-KO ka edhe konteste shpronësimi kur nuk bëhet fjalë vetëm për ndërtimin e rrugëve.

Kështu, në vitin 2021 Gjykata Administrative e ka hedhur poshtë padinë e Kishës sepse i janë shpronësuar 392 metra katrorë për ndërtimin e një largpërçuesi për objekte për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme.

Avokati që e ka përfaqësuar Kishën para gjykatës ka thënë se shuma e ofruar është e vogël, “duke marrë parasysh fitimin që propozuesi i shpronësimit do e ketë nga ndërtimi i objektit me interes publik”.

Në një lëndë më të vjetër gjyqësore, shteti, përmes Zyrës së Avokatit të Shtetit, e ka apeluar vendimin e Ministrit të Financave për t’i paguar Kishës Ortodokse Maqedonase rreth katër mijë euro për pronën e kishës nga dioqeza e Strumicës. Avokati i shtetit ka argumentuar në gjykatë se Kisha nuk ka pasur prova se prona i përket asaj. Në fund, denacionalizimi është anuluar.

Kompenzime milionëshe për denacionalizim

Sipas të dhënave të disponueshme publikisht KOM-KO ka rifituar tashmë një pjesë të konsiderueshme të pronës së saj të mëparshme ose ka marrë kompensim për të, në para të gatshme ose në fletëobligacione.

Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se nga viti 2010 deri në vitin 2024 KOM-KO ka marrë mbi dy milionë euro nga shteti për denacionalizim.

Viti më fitimprurës ka qenë viti 2015. Atë vit Dioqezës Prespë-Pellagoni iu pagua një nga shumat më të larta për denacionalizim në një këst, mbi 713 mijë euro. Në të njëjtin vit, për të njëjtën arsye, në llogarinë e KOM-KO, ose më saktë Dioqezës së Shkupit, janë trasnferuar 670 mijë euro.

Me një pjesë të parave që KOM-KO i ka marrë nga denacionalizimi, ka blerë prona.

Baza e të dhënave e gjykatës përmban gjithashtu padi që KOM-KO ja ngritur kundër një kompanie për shërbime hotelierike dhe shërbime gastronomike për shkëputjen e një kontrate, por ajo është tërhequr, ndërsa e ka paditur edhe Parkun Kombëtar “Galiçica” për kompensim të dëmit.

Në një vendim të gjykatës së Strumicës në një rast të një padie kundër Kishës nga një person fizik shkruhet se KOM-KO në vitin 2009 ka vendosur të përdorte një pjesë të parave që i ka marrë nga shteti përmes denacionalizimit “në përputhje me Kushtetutën e kishës”. Kjo nënkuptonte “blerjen e pronës në fshatin Banica (Strumicë) për ndërtimin e një tempulli kishtar ortodoks”.

Vendimet e gjykatës tregojnë se Kisha ka marrë kompensim në obligacione për pronën që i është nacionalizuar. “Kërkuesit të tokës së lartëpërmedur i është përvcaktuar kompensim në shumën prej 8.280.000 denarësh në obligacione”, thuhet në njërin prej tyre.

Manastiri i Shën Pantelejmonit në Nerez të Shkupit ka marrë kompensim nga shteti për denacionalizimin e një fushe. Shteti i ka paguar 15 mijë euro, ndërsa, sipas Zyrës së Avokaturës Shtetërore, ka qenë për 500 metra katrorë më shumë.

Në një rast tjetër Avokatura Shtetërore ka arritur të rikuperonte pronë që fillimisht ka qenë e regjistruar në emër të KOM-KO, por një bashkësi lokale ka paraqitur dokumentacion dhe një histori ndryshimesh, që ka treguar se prona ka qenë e regjistruar gabimisht në emër të Kishës.

Padi dhe fatura të papaguara

KOM-KO nuk e ka paditur vetëm shtetin. Konteste ka edhe me qytetarët, por njëri prej tyre është me një parti, konkretisht me VMRO-DPMNE-në në vitin 2016.

Bëhet fjalë për një pronë për shfrytëzimin e së cilës gjykata e Manastirit ka vendosur që partia duhet t’i paguajë Kishës mbi 32 mijë euro dhe shpenzime për procedurën gjyqësore në vlerë prej tre mijë eurosh. Gjykata nuk e ka pranuar argumentin e partisë se marrëveshja nuk ka qenë e nënshkruar nga personi i autorizuar.

KOM gjithashtu e ka paditur edhe sekretarin e atëhershëm të Dioqezës së Shkupit për dëmshpërblim prej rreth 28 mijë eurosh sepse ai nuk e ka shlyer borxhin ndaj NIP “Nova Makedonija” për botimin e kalendarit të kishës. Procedura është zvarritur për një kohë të gjatë në gjykata, që më në fund në vitin 2017 Gjykata Supreme të vendosë se KOM nuk ka pasur bazë për të paditur sekretarin.

Pastaj Kisha ka themeluar një shtypshkronjë. Edhe për atë ka një vendim në regjistrin e gjykatës. KOM-KO – Shtypshkronja “Sinaj” e Mitropolisë së Shkupit e ka paditur “Makedonija Soobraqaj” për fatura të papaguara për vizit karta dhe bileta autobusi të shtypura.

Kisha gjithashtu ka paditur edhe një arkëtar të KOM-it, duke kërkuar që t’i marrë atij mbi 75 mijë euro që dyshohet se i ka vjedhur gjatë 10 viteve. Si prova para gjykatës u paraqitën faturat e parave të gatshme, fletëpagesat, faturat dhe raportet. Gjykata e Kishës së Kryepeshkopatës e ka dënuar arkëtarin dhe e ka urdhëruar të kthente paratë, por gjykata e Shkupit e ka liruar atë nga akuzat.