“Zhurkaq” vjen në parkun e qytetit të Shkupit me muzikë elektronike
Të rinjtë e grupit muzikor me emrin “Zhurkaq”, të shtunën (15 korrik) nga ora 18:00, në parkun e qytetit të Shkupit do të dalin në skenë të prezantojnë muzikën e tyre elektronike, njofton Portalb.mk.
“Zhurkaq” përbëhet nga një grupi i ri shqiptarësh me iniciativë për të zhvilluar kulturën urbane dhe për të mbështetur artistët e rinj në skenën muzikore të Maqedonisë së Veriut. Emërtimi i tyre “Zhurkaq” vjen nga fraza “zhurk” që domethënë mbrëmje zbavitëse.
Duke u fokusuar veçanërisht në zhanrin e muzikës techno, ky komunitet organizon ngjarje muzikore të ndryshme, me synimin kryesor të krijojë një festival të muzikës techno, i cili do jetë i pari i qëndrueshëm në Shkup, që ka vetëm tingujt e muzikës elektronike.
Driton Jao, njëri nga organizatorët e ngjarjes, për Portalb.mk tha se qëllimi dhe vizioni i komunitetit “Zhurkaq” është të krijojë një traditë të vazhdueshme të ngjarjeve të muzikës techno në Maqedoni.
“Duke sjellë artistët më të mirë të zhanrit dhe duke ofruar një atmosferë të jashtëzakonshme, kemi qëllim të ndërtojmë një komunitet të fortë dhe të qëndrueshëm, ku gjithsecili do të ndihet mirë dhe do të ketë dëshirë të kontribuojë në mënyrën e tij.” thotë Jao për Portalb.mk.
Hapjen e festivalit do ta bëjë DJ nga Kosova i njohur si “Diodor”. Artistët tjerë që do të keni mundësi t’i dëgjoni live të shtunën janë: Deeplantic, DJ Flooder dhe Petko.ov.
Hyrja do të jetë falas për të gjithë që duan të marrin pjesë.