RMV, filloi pagesa e vakteve të subvencuara për studentët, të fundit për këtë vit akademik

Sot filloi pagesa e vaktit të subvencionuar të studentëve për muajin qershor – muaji i fundit i vitit akademik për të cilin studentët marrin mjete mbi këtë bazë. Për këtë muaj në llogaritë e transaksionit të studentëve janë deponuar 3.080 denarë, që është shuma më e lartë e paguar ndonjëherë për këtë qëllim, transmeton Portalb.mk.

Këto fonde janë të fundit që do të marrin studentët për këtë vit akademik, si dhe të fundit që do të derdhen në llogaritë e tyre të transaksionit. Sipas njoftimit, zgjidhja e sistemit duhet të fillojë të aplikohet nga shtatori, me të cilën studentët përmes kartelave të veçanta digjitale ose aplikacioneve celulare do të mund të blejnë ushqime nga ofruesit e regjistruar të shërbimeve – restorante, bare, dyqane dhe në momente të caktuara të ditës.

Zgjidhja ligjore për ushqimet e subvencionuara të studentëve është krijuar sipas shembullit që prej vitesh funksionon në Slloveni.

Muajin e kaluar MASh-i vonoi lëshimin  ekëtyre mjeteve. Kjo nuk ishte hera e parë që Ministria e Arsimit vonohet me pagesën e mjeteve për ushqimet e subvencionuara të studentëve. Madje, që nga fillimi i vitit kjo masë shtetërore është përballur me pengesa të shumta para se të arrijë në llogaritë e transaksioneve të studentëve.

Përkundër faktit se subvencionet është dashur të paguhen nga tetori, fondet e para studentët i morën në fund të dhjetorit, për shkak të vonesës së konkursit përmes të cilit studentët mund ta ushtrojnë këtë të drejtë. Konkursi, nga ana tjetër, u vonua për faktin se në fillim ishin paraparë një sërë ndryshimesh në kriteret që duhet të plotësojnë studentët, kështu që nëse do të miratoheshin ndryshime të tilla ligjore, mijëra studentë do të mbeteshin pa vakt të subvencionuar këtë vit.

Pas protestave të shkurtra studentore, marshimeve dhe takimeve me institucionet, kriteret e përcaktuara u tërhoqën dhe pagesa e subvencionimit të vakteve vazhdoi sipas të njëjtave rregulla dhe kushte si vitin e kaluar.

Nga prilli, megjithatë, shuma e subvencioneve është rritur në 140 nga 120 denarë në ditë sa ishte më parë, pasi një premtim të tillë studentët e morën nga Ministria e Arsimit gjatë takimit me ministrin Jeton Shaqiri në nëntor.

Megjithatë, ideja origjinale e vaktit të subvencionuar të studentëve mbetet e parealizuar. Zgjidhja e sistemit, shpreshet se do të fillojë të aplikohet nga fillimi i vitit të ardhshëm akademik.

Me sistemin e ri, studentët do të blejnë vakt të subvencionuar tek ofruesit e shërbimeve të regjistruara përmes kartelave digjitale në periudha të caktuara të ditës dhe muajit.

Deri atëherë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) duhet të zgjedhë një bankë që do të jetë bartëse e procesit të pagesës përmes së cilës do të paguhet vakti i subvencionuar i studentëve dhe që do të krijojë kartat digjitale me të cilat studentët do të mund të blini vakte nga furnizuesit e ushqimit.

“Ne luftuam së bashku me të gjithë studentët dhe publikun jo vetëm që të mos mbetet askush, por edhe për rritje të vaktit si dhe një ligj të propozuar për rritjen e vazhdueshme të tij. Sa i përket pjesës operative, pagesa shpesh vonohej, gjë që ndodhi para së gjithash për shkak të të gjitha zhvillimeve në këtë temë, por edhe për shkak të problemeve sistematike, sepse pagesa e ShSS-së varet nga shumë institucione të tjera. Mirëpo, tani do të thosha se është arritur një kontinuitet dhe shpresojmë që për vitin e ardhshëm të jenë hedhur bazat se si duhet të funksionojë kjo masë”, thotë Sllavço Temelkovski, kryetar i KSU UKM.

Nga Ministria e Arsimit thonë se çdo student që mendon se duhet të paraqesë ankesë lidhur me ushqimin e subvencionuar për çfarëdo arsye mund ta bëjë këtë në emailin zyrtar [email protected].mk ose me shkrim përmes arkivin e Ministrisë.