Shumë autorë sajuan përkufizime për poetin dhe poezinë. Poetët nuk i durojnë përkufizimet. Ka shumëçka të pa përkufizuar. I pa përkufizuar është vetë njeriu. Ai është qenie sa fizike, po aq metafizike. Është qenie sa e arsyeshme, po aq ëndërrimtare.
E pa përkufizuar është edhe poezia. Të tentosh të përkufizosh poezinë është sikur të tentosh të përkufizosh këngën e zogut, vesën e agut ose dhimbjen që nuk e ke ndjerë…
Poeti edhe kur këndon për dhimbjen, pikëllimin, zhgënjimin, mallin apo dashurinë e tij, lexuesit ndiejnë sikur ai ka kënduar për dhimbjen, pikëllimin, zhgënjimin, mallin dhe dashurinë e tyre.
Poeti, sipas Alen Boskesë, shpreh ndjenjat e tij, por ndodh që vetëdija e tij të puqet me vetëdijet e të tjerëve. Ndodh që shpirti i tij të puqet me shpirtrat e të tjerëve.
Poetja Erica Jong në poezinë “Poeti si përjetues i dhembjes”, pyet: “Çfarë e bën një poet?”
Poeti sipas saj është “zë dhe fjalë e thjeshtë për pikëllimin”; “është gjaku që vërshon nga zërat e atyre që kanë vdekur dhe do të rilindin”, “është hapje ndaj dhimbjes”. “Poezia nuk e shëron poetin dhe as poeti nuk e kuron botën”, por ai “i kap sëmundjet e botës”. Përkundër indiferencës, “bota duhet të ketë dikë që të ndjejë dhimbjen e saj dhe të flasë për të”, kurse “poeti është ajo gojë”.
Bota ka nevojë për këtë “gojë”, veçmas tani kur duan të na bindin se mund të jetojmë pa poezinë…
Bota pa poezi bëhet shkretëtirë e padurueshme, një labirint mizor, pa ëndrra dhe iluzione.
Në sprovën “Adhuroni hijet”, Josif Brodski shkroi për rreziqet që i kanosen shoqërisë, e cila nuk lexon poezi të mira. Një shoqëri e tillë, sipas tij, bie në atë nivel ligjërimi sa bëhet pre e demagogëve dhe e tiranëve.
Brodski nuk kërkoi nga poeti të bëhej misionar. Detyrimi i vetëm i poetit ndaj shoqërisë është të shkruajë bukur. Të krijojë poezi, që është “forma më e lartë e ekzistimit të gjuhës”.
Ata që e njohin “formën më të lartë të gjuhës”, nuk manipulohen nga demagogët dhe tiranët.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.