Pasuria e vërtetë: Kundër vetëskllavërimit

“Pasuria është mjet për një jetë të mirë, jo qëllim në vetvete.”

Aristoteli

Para disa ditësh, në rrjetet sociale, një nga milionerët tanë shqiptarë të tranzicionit, nga Nouveau Riche (të pasuruarit rishtazi apo “paraja e re”), reklamonte vilën e vet luksoze me pishinë nën siglën “Home sweet home!” dhe një veturë të shtrenjtë, si në filmat holivudianë. M’u duk jo e hijshme që vetëreklamonte kapitalin e vet, që të dukej, që të vërehej nga të tjerët. Kujtoj se do të mund të kënaqej edhe pa ua shitur të tjerëve, përmes rrjeteve sociale, rezidencën dhe makinën e tij të kushtueshme, të ëndërruara nga shumëkush. Por ky është realiteti ynë, kjo është pjesë e kulturës sonë të përgjithshme, madje edhe te “të ngriturit” tanë: duam të shitemi para të tjerëve; gjërat, sa i kemi për vete, aq i kemi edhe për t’u krenuar para të tjerëve. Nga syzet, rrobat, avllia, shtëpia, vetura, vila, dasma, deri te pushimet etj. Siç duket, modestia qëmoti ka dhënë shpirt në mesin tonë.

Po, pjesë e njerëzores është dëshira për të pasur, statusi “të kesh”, gjegjësisht prirja për t’iu shmangur gjendjes së skamnorisë apo varfërisë. Por shumë njerëz pasurinë e reduktojnë në zotërimin maksimal të gjërave, sendeve që ofrojnë më tepër mundësi për të mbajtur gjallë fizikën dhe për t’u krekosur para të tjerëve, për të krijuar një imazh të klasës/shtresës së lartë. Disa të tjerë kalojnë në skajin tjetër, duke pohuar se pasuria është djallëzore, se pasuri e vërtetë është ajo e shpirtit, e mjaftimit me pak, me atë që ke, duke afirmuar eremitërinë apo shkëputjen nga kjo botë.

Çfarë, në të vërtetë, është pasuria e mirëfilltë? Pasuria nuk përkufizohet vetëm nga sasia e të mirave materiale, por edhe nga niveli i autonomisë, sigurisë, kohës së lirë dhe mundësive reale që ajo i ofron individit për të jetuar sipas vlerave dhe qëllimeve të tij. Pasuria e vërtetë është ajo ku një pjesë është për të tjerët, për të bërë të lumtur një numër sa më të madh njerëzish. Për të krijuar çaste lumturie edhe për ata që s’mund të arrijnë aty ku ka mbërritur i pasuri.

Elementi i dytë i inspirimit për këtë shkrim vjen nga një tekst i lexuar para do kohe lidhur me Warren Buffett-in, një nga investitorët dhe biznesmenët më të njohur dhe më të suksesshëm në botë, CEO i Berkshire Hathaway, që, sipas Forbes dhe Bloomberg, zotëron mbi 144 miliardë dollarë. Përkundër faktit se është një nga më të pasurit e globit, ai jeton prej dekadash në të njëjtën shtëpi në Omaha, të cilën e bleu në vitin 1958, shumë kohë përpara se të bëhej miliarder; nuk bën konsum luksoz dhe nuk e ka bërë ekspozimin e pasurisë pjesë të imazhit të tij publik. Edhe kapitalist, edhe modest. E pabesueshme, por e vërtetë.

Ai ka shpalosur filozofinë që qëndron pas mënyrës së tij modeste të jetesës, pavarësisht pasurisë së jashtëzakonshme që zotëron. Deklaratat e Buffett-it kanë tërhequr vëmendje të madhe, pasi ai sfidon perceptimin e përhapur se pasuria nënkupton “të kesh gjithnjë e më shumë gjëra”.

Ja manifesti i “lirisë financiare”, sipas vetë investitorit:

“Më shumë do të më çmendte”

Buffett shprehet se të kishte 10 shtëpi ose 10 makina nuk do t’i sillte lumturi, por vetëm stres. “Në jetë kam gjithçka që dua; më shumë se kaq do të më çmendte”, ka thënë ai.

“Po të doja të isha kapiten anijeje, do të zgjidhja një profesion tjetër”

Kur është pyetur pse nuk ka një jaht të madh, ai është përgjigjur në mënyrë mjaft praktike: “Nëse do të kisha një jaht 400 metra të gjatë, do të më duhej të menaxhoja ekuipazhin, të merresha me konflikte dhe me vjedhje.”

Sipas Buffett-it, thelbi i lirisë financiare nuk qëndron te konsumi luksoz, por te aftësia për ta pasur jetën nën kontroll.

Buffett pasurinë e vërtetë e elaboron në tri pika: (1) Të mos jesh i detyruar të blesh gjëra që nuk i dëshiron. (2) Të mos jesh i detyruar të punosh me njerëz me të cilët nuk dëshiron të punosh. (3) Të jesh në gjendje ta menaxhosh kohën tënde sipas dëshirës.

A blejmë gjëra që nuk i dëshirojmë? Po, për Zotin, një mijë herë po. Ka shumë gjëra që i blejmë vetëm pse të tjerët i blejnë. Pse një “ikonë e kohës” i blen apo i konsumon. Ka njerëz që veshin rroba që s’i kanë për zemër, por i veshin ngase është trend. Ka edhe të atillë që hanë gjëra që s’u shijojnë fare. P.sh., fruta deti. Nga flia e katundit drejt e në kallamarë, oktapod, madje edhe sushi.

Pasuri, sipas Buffett-it, është edhe puna me njerëzit që frymojnë pozitivitet, që ta zbardhin ditën, që reflektojnë mirësi, që janë pjesë e vërtetë e ekipit. Pra, edhe nëse bën para – ke rrogë të mirë – në një organizatë, kompani, por nuk gjen lumturinë për shkak të resurseve humane destruktive, është kot, ngase çdo ditë e ke minus nga jeta. Pra, bashkëpunimi duhet të vijë natyrshëm dhe nga thellësia e qenies, përndryshe s’ka kënaqësi në një institucion ku gjithçka është nën detyrim, kortezi dhe maskë. Nganjëherë “më pak është më mirë”, pra më pak të ardhura, por më shumë disponim e lumturi.

Dhe segmenti i tretë i pasurisë: menaxhimi i kohës sipas dëshirës. Nga përditshmëria konstatojmë se ka shumë njerëz të pasur që s’kanë kohë as për miqtë, familjen, madje as për vetveten. Këtë fenomen do ta kishim quajtur “vetëskllavërim”, pra kur njeriu nuk ka pranga fizike, por në fakt ka krijuar një mënyrë jetese që ia ka marrë tërësisht lirinë. Te këta njerëz, paraja është gjithçka; edhe gjumin nuk e bëjnë rehat, ngase kanë agjenda të pakufishme, që s’përmbyllen as brenda ditës, as brenda javës, as brenda vitit. Kjo është kategoria e njerëzve që nuk e hanë pasurinë, por pasuria i ha ata.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.