Kemi shkruar për aktorët shtetërorë dhe jo-shtetërorë; megjithatë, lidhur me këtë fushë specifike të aktorëve jo-shtetërorë, dhe duke parë përtej shteteve të klasifikuara si “të papërgjegjshme”, nuk i është kushtuar vëmendja e duhur gjeopolitikës së tregimit (narrativës) dhe rëndësisë së saj historike në vatrat e konflikteve (p.sh., Ballkani Perëndimor), territoret e kontestuara, çështjet e identitetit, përplasjet fetare e të tjera.
Gjeopolitika e tregimit ndryshe bën pjesë në fuqinë e butë e cila lirisht mund të themi se është “arma” më e fortë e një shteti, qeverie apo e një populli.
Ndonëse termi gjeopolitikë e tregimit mund të lërë përshtypjen e një vepre trilluese, në realitetin e shekullit të 21-të ai përfshin shumë më tepër: trajton çështje reale e aktuale, duke ruajtur njëkohësisht fokusin te e kaluara.
Gjatë Luftës së Ftohtë, ky term kishte një kuptim tjetër, ndërsa në Mesjetë dhe në epokat pasuese, kjo formë specifike e shprehjes gjeopolitike, ashtu siç e njohim sot apo siç e kemi lexuar gjatë dy shekujve të fundit nuk ekzistonte.
Megjithatë, historia na tregon se para shfaqjes së botimeve moderne, rrëfimet epike, kronikat, këngët me lahutë dhe forma të tjera përmbushnin të njëjtin funksion.
Në të kaluarën, tregimet përqendroheshin te temat e luftës; të përcjella brez pas brezi, ato u rrënjosën thellë në ndërgjegjen e popujve.
Gjeopolitika e tregimit luajti një rol kyç në këtë proces, duke vepruar si një forcë, qoftë për të mirë apo për keq.
Themeli i saj mbështetet te legjendat dhe heroizmi, si dhe te betejat e përpjekjet e kombeve kundër njëri tjetrit (siç ishin konfliktet në Mesjetë kundër osmanëve, venedikasve, habsburgëve dhe fuqive të tjera rajonale).
Sot, megjithatë, përhapja e shpejtë e internetit, e rrjeteve sociale dhe e inteligjencës artificiale në kontekst të gjeopolitikës së tregimit sjell një sërë rreziqesh të reja.
Le të përqendrohemi tani te Ballkani Perëndimor, ku shtetet ende përballen me sfidat e marrëdhënieve mes tyre.
Ndonëse qeveritë rajonale kanë shpreh dëshirën për ta lënë pas të kaluarën, faktet tregojnë se pakënaqësitë historike mbeten faktori kryesor që pengon zgjidhjen e çështjeve kyçe, duke filluar nga tensionet ndëretnike, mosmarrëveshjet mbi identitetin, konfliktet ndërshtetërore etj.
Tregimet kanë luajtur një rol të rëndësishëm në rajon; andaj nuk është për tu habitur që edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të ekzistojnë përçarje të thella e, siç duket, të papërmirësueshme mes popujve.
Për shembull, Beteja e Kosovës e vitit 1389 frymëzoi vepra dhe rrëfime të shumta që ndikuan në formimin e politikave kombëtare.
Përmes tregimeve të ndryshme, veçanërisht përmes këngëve epike, serbët e kanë mbajtur gjallë historinë e kësaj beteje ndër breza, duke ushqyer e ndërtuar projekte kundër popujve fqinj.
Kjo, nga ana tjetër,nxiti konflikte territoriale me përmasa të tmerrshme.
Nga Mesjeta e deri në epokën moderne, tregimi epik ka luajtur role të ndryshme, veçanërisht në mënyrën se si udhëheqësit e një kombi apo popullsie e kanë shfrytëzuar ose jo atë.
Një tregim i paraqitur ndryshe ishte thelbësore për popujt që kishin nevojë për projekte të mëdha kombëtare.
Një shembull konkret është libri për jetën dhe veprën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut (1405-1468), botuar nga Marin Barleti rreth vitit 1508-1510.
Barleti në veprën e tij ndër të tjera synonte të pasqyronte betejat e Skëndërbeut për mbrojtjen e Evropës kundër osmanëve.
Gjatë Rilindjes Kombëtare, kjo figurë u lartësua si simbol i përpjekjeve shqiptare për shtetformim.
Në këtë drejtim mund të përmendim edhe Lidhjen e Prizrenit të vitit 1878, ku shumë kronistë, rrëfime e lahutarë e kanë vendosur këtë ngjarje si një ndër më të rëndësishmet për shqiptarët.
Para dhe pas luftërave ballkanike, ky lloj tregimi vazhdoi të fitonte terren, ndërsa rapsodët dhe tregimet luajtën një rol kyç në forcimin e moralit të luftëtarëve gjatë dhe pas këtyre konflikteve.
Kështu, në vitin 1847, mbreti malazez Petar Njegoshi (1813-1851) në Cetinjë e botoi veprën “Kurora e Maleve”.
Kjo vepër thuhet se e shndërroi epikën e Betejës së Kosovës të vitit 1389 në një rrëfim në shkallë më të lartë.
Beteja e Kosovës dhe veprat e Njegoshit dhe të autorëve tjerë serb u shfrytëzuan nga politika serbe për fillimin e luftërave.
Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim luajti dhe filologu serb nga Shumadia e Serbisë Vuk Karaxhiqi (1787-1864) përmes botimeve të tij nga Vjena e Austrisë.
Në kontekstin shqiptar mund të përmendet gjithashtu Rrethimi i Shkodrës (1912–1913) dhe periudha pasuese, kur një sërë këngësh dhe rrëfimesh epike u përdorën posaçërisht për të ngjallur një ndjenjë të fortë frymëzimi te popullata. Megjithatë, në rastet kur pala kundërshtare pësonte disfatë në të njëjtën betejë, rrëfimi merrte një ton tjetër, duke shërbyer më vonë për të justifikuar luftën dhe përpjekjen për liri.
Të njëjtin fenomen e kemi vërejtur në Ballkan nga viti 1991 e deri më sot, me glorifikimin e figurave që shihen negativisht dhe që janë dënuar nga institucionet gjyqësore ndërkombëtare.
Mund të vazhdohet më tej edhe autorë të tjerë që kanë përdorur rrëfimin epik ose, në kohët moderne, tregimet gjeopolitike si një “armë” për të lartësuar një komb ose, për të luftuar të tjerët.
Gjatë gjithë historisë, tregimet janë prodhuar gjithashtu për t’iu përshtatur tekave të qeverive, ndonjëherë në përpjekje për të krijuar një imazh të rremë të bashkëjetesës (rasti i ish- Jugosllavisë).
Rrjedhimisht, tregimet gjeopolitike të kohës sonë mund të rezultojë më të rrezikshme.
Kjo nuk është vetëm për shkak të përparimeve teknologjike, por për një arsye më të rëndësishme: humbjen e kontrollit demokratik mbi tregimet, ngritjen e ideologjive dhe forcimin e shteteve të tjera.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.