Një financues i vetëm, përgjegjësitë e shpërndara

Si blerësi i vetëm publik i shërbimeve shëndetësore, Fondi mund ta drejtojë sistemin drejt cilësisë. Sfida është që financimi dhe përgjegjësia ta ndjekin pacientin deri në përfundimin e trajtimit.

Një grua merr një rezultat radiologjik që ngre dyshimin për kancer të gjirit. Për të nuk ka rëndësi cili institucion financon biopsinë apo kontrakton laboratorin. Ajo duhet të dijë cili është hapi pasues dhe kush kujdeset që procesi të mos ndërpritet.

Nëse ekzaminimi kryhet, por rezultati vonohet, ose diagnoza konfirmohet, por trajtimi nuk fillon në kohë, sistemi mund të ketë ofruar shumë shërbime, por jo domosdoshmërisht kujdes të mirë.

Pyetja e pacientit është e thjeshtë, kush mban përgjegjësi që procesi të mos mbetet përgjysmë?

Kjo pyetje prek mënyrën se si organizohet dhe drejtohet sistemi shëndetësor.

Në Maqedoninë e Veriut, Fondi i Sigurimit Shëndetësor është paguesi dhe blerësi i vetëm publik i shërbimeve të mbuluara nga sigurimi i detyrueshëm. Kjo do të thotë se Fondi kontrakton ofruesit dhe paguan shërbimet në emër të të siguruarve. Ministria e Shëndetësisë përcakton politikat dhe kuadrin rregullator. Sipas Observatorit Evropian për Sistemet dhe Politikat Shëndetësore, sistemi është relativisht i centralizuar.

Centralizimi mund të jetë përparësi. Një blerës i vetëm mund të vendosë standarde të përbashkëta, ta drejtojë financimin drejt përparësive kombëtare dhe të kërkojë të dhëna të krahasueshme. Por ai nuk siguron vetvetiu bashkërendim. Rezultati varet nga mënyra se si përdoren këto mundësi.

Dobësitë në bashkërendim janë krijuar ndër vite. Ato lidhen me legjislacionin, financimin, ndarjen e kompetencave dhe kapacitetet institucionale. Prandaj duhen trajtuar si sfida strukturore, jo si përgjegjësi e një institucioni apo periudhe të vetme.

Përparimi i viteve të fundit duhet njohur dhe përdorur si pikënisje. Dosja elektronike shëndetësore, sistemi “Moj Termin”, receta elektronike, aplikacionet për pacientët dhe telemjekësia kanë krijuar kushte më të mira për lidhjen e shërbimeve. Observatori Evropian i vlerëson këto zhvillime si hapa drejt integrimit të kujdesit dhe administrimit më të mirë të informacionit.

Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2025 evidenton gjithashtu zgjerimin e funksioneve të shëndetësisë elektronike dhe rritjen e shpenzimeve publike për shëndetësinë, nga 4,8% e PBB-së në vitin 2023 në 5,07% në vitin 2024.

Pyetja e radhës është nëse infrastruktura digjitale dhe financimi mund të përdoren për të matur jo vetëm çfarë bën sistemi, por edhe çfarë arrin për pacientin.

Sot numërojmë vizitat, analizat, operacionet dhe recetat. Këto të dhëna janë të domosdoshme, por aktiviteti nuk është i njëjtë me cilësinë. Një spital mund të kryejë më shumë ndërhyrje pa ditur nëse janë pakësuar komplikimet. Mund të regjistrohen mijëra vizita për hipertensionin pa ditur sa pacientë e kanë tensionin e kontrolluar.

Avedis Donabedian, një nga themeluesit e studimit modern të cilësisë, e ndau vlerësimin në tri pjesë, strukturë, proces dhe rezultat. Struktura tregon çfarë burimesh kemi, procesi çfarë bëjmë, ndërsa rezultati çfarë ndryshoi për pacientin. Ky dallim, i paraqitur në punimin e tij mbi vlerësimin e cilësisë së kujdesit mjekësor, mbetet thelbësor.

Për pacientin me dyshim për kancer nuk mjafton të dimë sa mamografi apo biopsi janë kryer. Duhet të matim kohën nga gjetja e dyshimtë deri te biopsia, nga biopsia deri te rezultati dhe nga diagnoza deri te trajtimi. Këto periudha tregojnë sa shpejt reagon sistemi kur koha ka rëndësi.

Donald Berwick dhe bashkautorët e tij, përmes konceptit “Triple Aim”, propozojnë që performanca të vlerësohet në tri drejtime, përvoja e pacientit, shëndeti i popullsisë dhe përdorimi i qëndrueshëm i burimeve.

Të njëjtën logjikë ndjek korniza e përbashkët e OECD-së, OBSH-së dhe Observatorit Evropian për vlerësimin e performancës. Ajo nuk përcakton një shifër të vetme që duhet ta arrijë çdo vend, por vlerëson qasjen, cilësinë, rezultatet, barazinë, efikasitetin dhe qëndrueshmërinë.

Standardet evropiane duhen lexuar me saktësi. Përafrimi me Bashkimin Evropian përfshin detyrime ligjore dhe institucionale, ndërsa mesataret e BE-së dhe treguesit e OECD-së shërbejnë si pika krahasimi. Jo çdo mesatare është kusht formal, por çdo dallim i madh kërkon shpjegim.

Diagnoza është e qartë, sistemi ka instrumente të centralizuara dhe prodhon gjithnjë e më shumë të dhëna, por përgjegjësia për rezultatin e gjithë rrugëtimit të pacientit mbetet e shpërndarë.

Një hap i arsyeshëm do të ishte hartimi i një Strategjie Kombëtare për Cilësinë e Kujdesit dhe Sigurinë e Pacientit. OBSH-ja rekomandon që politika të tilla të përfshijnë përparësi të qarta, pjesëmarrjen e profesionistëve dhe pacientëve, strukturë qeverisëse, sisteme informacioni dhe tregues bazë.

Nuk nevojiten qindra matje të reja. Për fillim mund të përzgjidhen 15–20 tregues të rëndësishëm dhe të verifikueshëm. Ky është një propozim për debat profesional, jo standard i përcaktuar nga OBSH-ja apo Bashkimi Evropian.

Mund të maten koha nga dyshimi deri te trajtimi i kancerit, kontrolli i hipertensionit dhe diabetit, infeksionet spitalore, rishtrimet e shmangshme dhe përvoja e pacientit. Rezultatet duhet të përshtaten sipas rrezikut klinik, që institucionet që trajtojnë raste më të ndërlikuara të mos vlerësohen padrejtësisht.

Fondi mund ta përdorë fuqinë e tij blerëse për ta mbështetur këtë drejtim. Në qasjen që OBSH-ja e quan “blerje strategjike”, financuesi nuk pyet vetëm sa shërbime janë kryer, por edhe cilat shërbime i nevojiten popullsisë, me çfarë cilësie ofrohen dhe çfarë rezultatesh prodhojnë.

Një pjesë e kufizuar e pagesës mund të lidhet, fillimisht përmes projekteve pilotuese, me tregues të audituar të cilësisë. Stimujt duhet të hartohen me kujdes. Nëse shpërblehet treguesi i gabuar, mund të përmirësohet tabela, por jo kujdesi.

Përgjegjësitë mund të qartësohen pa krijuar institucione të reja. Ministria përcakton drejtimin dhe standardet. Fondi i përkthen ato në kontrata. Ofruesit raportojnë rezultatet, strukturat profesionale ndihmojnë në auditimin klinik, ndërsa pacientët vlerësojnë përvojën e kujdesit.

Pacienti që pret një biopsi nuk ka pse ta njohë skemën organizative të sistemit. Nuk duhet të jetë ai që lidh referimin me ekzaminimin, rezultatin me specialistin dhe diagnozën me trajtimin.

Një sistem shëndetësor tregon se qeveriset mirë jo kur secili institucion ka kryer pjesën e vet, por kur asnjë pacient nuk humbet ndërmjet hallkave të tij.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.