VLEN në opozitë kundër bixhozit, në Qeveri “festë” me paratë e lotarisë, reagoi BDI-ka në lidhje me zhvillimet e fundit
Dega e BDI-së në Tetovë ka reaguar në lidhje me zhvillimet e fundit rreth shënimit të Ditës së Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, ku financimi i koncertit që do të mbahet në Tetovë është kryer nga paratë e Lotarisë së RMV-së, transmeton Portalb.mk.
“Në opozitë, VLEN-i e ngriti luftën kundër bixhozit në kauzë morale. U zotua se nuk do të merr pjese në Lotarinë shtetërore, e as që do të shfrytëzon mjete nga Lotaria. Sot, po e bën të kundërtën. Sot, duke qenë pa legjitimitet në qeveri, feston përmes manifestimeve të financuara nga Lotaria. A ndryshoi burimi i parave, apo ndryshoi morali juaj sapo morët pushtetin?”, pyesin nga BDI-ja.
Ata përkujtojnë se manifestimet kushtojnë 5.53 milionë euro që janë marrë nga Lotaria Shtetërore.
“Tetovës dhe artistëve të saj u vjen radha një javë më vonë, në fund të agjendës. Për ne, kjo zgjedhje pasqyron vazhdimin e politikës së përjashtimit dhe margjinalizimit të shqiptarëve, që tashmë shfaqet edhe në manifestimet kulturore”, deklaruan nga BDI-ja.
Ndryshe, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, me iniciativën e vet, ka marrë vendim për të hapur lëndë pas njoftimeve publike lidhur me mënyrën se si është financuar festimi i 35-vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë nga ana e Lotarisë Shtetërore. Ndryshe, sipas praktikës së deritanishme, kur Antikorrupsioni hap një lëndë, zakonisht Prokuroria Publike nuk e heton atë derisa të përfundojë procedura në Komisionin Antikorrupsion.
Festimi i 35-vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë së Veriut është shoqëruar me pikëpyetje për mënyrën e organizimit dhe financimit të ngjarjeve. Qeveria më 28 prill vendosi që organizimin t’ia besojë Lotarisë Shtetërore, e cila dy ditë më vonë publikoi thirrje për mbledhjen e ofertave. Thirrja zgjati vetëm pesë ditë pune dhe përmbante kërkesa që përkonin me programin e realizuar më pas, përfshirë një artist botëror të klasës A dhe një koncert me pjesëmarrje të të paktën 30 mijë personave. Sipas Lotarisë Shtetërore, ofertën e vetme e dorëzoi kompania „Stardust“ e lidhur me Avalon.
Për shkak të mungesës së të dhënave të plota për vlerën e kontratave dhe shpenzimeve, në opinion u ngritën pyetje se sa para janë shpenzuar për festimet dhe nga cilat burime janë financuar ato. Kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar se festimet, përfshirë performancën e David Guettas, nuk i kanë kushtuar asnjë denar buxhetit dhe qytetarëve, ndërsa nga Lotaria Shtetërore kanë drejtuar pyetjet për shumën e parave te Qeveria. Межувреме, dokumentet e bëra publike tregojnë se organizimi është realizuar përmes Lotarisë Shtetërore dhe në kuadër të Ligjit për Sponsorizime dhe Donacione.
- LEXO: LSDM: Prokuroria duhet të hapë hetim për lotarinë e Mickoskit dhe shpenzimin e 5,5 milionë eurove
- LEXO: LSDM kërkoi hetim për 5,5 milionë eurot e festimit të 35 vjetorit të pavarësisë, Mickoski i quajti “estradë” kritikat e opozitës
- LEXO: Pas shumë pikëpyetjeve për shpenzimet e pavarësisë, u ‘ngjall’ Mickoski: David Guetta u kushtoi 0 denarë qytetarëve