VMRO, LSDM dhe BDI ende pa kandidatë për president, partitë tjera nga e premtja do të mbledhin nënshkrimet

Partitë, Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, VMRO-DPMNE-ja dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ende nuk kanë shpalosur zyrtarisht emrat e kandidatëve për president. Deri tani dihen vetëm tre emra të cilët do të garojnë për president. Të premten (23 shkurt) do të fillojë afati për mbledhjen e nënshkrimeve për kandidatët për presidentë dhe deputetë, ndërsa do të zgjasë deri me 8 mars. Partitë vijojnë me analizat e tyre për zgjedhjet e dyfishta, shkruan Portalb.mk.

VMRO-DPMNE-ja ende nuk ka shpallur kandidat për president. Thirrja publike për kandidatë presidencial nga kjo parti është e hapur deri sot në ora 17:00. Si emra të cilët përfliten se do jenë kandidatë nga kjo parti janë Gordana Siljanovska Davkova e cila garoi në zgjedhjet e kaluara presidenciale kundër presidentit aktual dhe Aleksandar Spasenovski. Megjithatë kandidati i VMRO-së do të mësohet me 2 mars në konventë kur edhe do të bëhet promovimi.

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) do të ketë kandidatin e saj për president, këtë e konfirmoi dje kryetari i kësaj partie, Dimitar Kovaçevski i cili njoftoi se kandidati për president do të shpallet në fund të këtij muaji ose në fillim të muajit mars. Një ndër emrat e përfolur si kandidat i mundshëm për president nga kjo parti është zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi.

Në këto zgjedhje presidenciale edhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) do të ketë kandidatin e saj për president, emri i të cilit nuk është shpallur ende. Në lidhje me kandidimin e mundshëm të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmetit për president, zëvendëskryeministri Artan Grubi nga po kjo parti ka deklaruar se Ahmeti nuk është funksionar por misionar, duke nënkuptuar se ai nuk do jetë kandidat. Si kandidat i mundshëm nga BDI-ja përflitet ministri i jashtëm Bujar Osmani. Kryetari i kësaj partie në rrjetin e tij Facebook ka njoftuar se të enjten do të japë “lajmin e madh“.

Partia “Lëvizja ZNAM – Për Maqedoninë tonë”, e udhëhequr nga kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, pritet që të enjten në Shkup në Kongresin e Parë të partisë ta shpallë kandidatin për president.

Deri tani, kandidatura për president kanë shpallur Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët me përkrahje të Lidhjes Evropiane për Ndryshim (Lëvizja Besa, Alternativa, Lëvizja Demokratike), E Majta (Levica) ka propozuar për kandidate Biljana Vankovskën e cila njihet për gjuhë të urrejtjes, ndërsa kandidaturë të pavarur ka paralajmëruar edhe Velo Markovski.

Afati për shpalljen e kandidaturave për president skadon më 19 mars ndërsa kandidatët mund të propozohen në Kuvend nga 30 deputetë apo të mbledhin nga 10 mijë nënshkrime të qytetarëve. Vetëm LSDM dhe VMRO DPMNE nuk kanë nevojë për mbledhjen e nënshkrimeve sepse në Kuvend kanë mbi 30 deputetë.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka intensifikuar aktivitetet për organizimin e zgjedhjeve.

Fushata për zgjedhjet presidenciale të 24 prillit do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill.

Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.

Gjatë heshtjes për zgjedhjet presidenciale do të zhvillohet fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare. Këtë e sqaroi edhe kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski.

“Dua të saktësoj, duke qenë se fushata për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare përkojnë, ligji është i qartë se ka heshtje parazgjedhore për zgjedhjet presidenciale të 22 prillit dhe zgjat deri më 24 prill. Nuk do të përkojë me heshtjen tjetër (për zgjedhjet parlamentare). Të sigurohemi që të mos ketë konfuzione”, deklaroi Dashtevski.

Zgjedhjet e shtata presidenciale, sipas marrëveshjes politike, do të mbahen më 24 prill, ndërsa zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare do të mbahen më 8 maj, të cilat kësaj radhe do të jenë të rregullta. Nëse do të ketë raund të dytë të zgjedhjeve presidenciale, ato do të përkojnë me zgjedhjet parlamentare dhe do të mbahen më 8 maj.