Në prag të dyvjetorit të invazionit rus, flamuri i Ukrainës u ngrit para Ministrisë së Mbrojtjes të RMV-së

Mëngjesin e sotëm, flamuri ukrainas u ngrit para Ministrisë së Mbrojtjes në shenjë mbështetjeje për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës dhe në prag të 2-vjetorit të fillimit të invazionit rus, transmeton Portalb.mk.

Në aktin e ngritjes së flamurit morën pjesë ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska dhe ambasadorja e Ukrainës në Maqedoninë e Veriut Larisa Dir.

“Maqedonia e Veriut vazhdon të mbështesë plotësisht Ukrainën në luftën për sovranitetin dhe integritetin e saj territorial”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Në  njoftim theksohet se deri më tani Qeveria ka marrë dymbëdhjetë vendime për ndihmën ushtarake dhe humanitare për Ukrainën.

“Kjo mbështetje do të vazhdojë dhe këtë e konfirmoi ministrja Petrovska dhe në takimin e Këshillit NATO-Ukrainë që u mbajt në selinë e Aleancës në Bruksel në takimin ministror të javës së kaluar të Këshillit Veriatlantik të NATO-s”, theksuan nga Ministria e Mbrojtjes.

Flamuri i Ukrainës do të valojë deri të hënën më 26 shkurt.

Ambasadorja e Ukrainës dhe ministrja e Mbrojtes në ngritjen flamurit të Ukrainës para Ministrisë së Mbrojtjes të RMV-së. Foto: Ministria e Mbrojtjes
Ambasadorja e Ukrainës dhe ministrja e Mbrojtes në ngritjen flamurit të Ukrainës para Ministrisë së Mbrojtjes të RMV-së. Foto: Ministria e Mbrojtjes

Ndërkaq sot takim me ambasadoren e Ukrainës në vend ka realizuar edhe kryeministri teknik, Talat Xhaferi.

Nga Qeveria e RMV-së informuan se në takim u shpreh mbështetja e fortë e vazhdueshme që Maqedonia e Veriut e tregon ndaj Ukrainës, në kushte të momenteve të vështira për popullin ukrainas, i cili tashmë dy vite lufton guximshëm për lirinë e vet.

“Ukraina ka mbështetjen edhe për aspiratat e saj integruese në aleancat demokratike të shteteve, dhe në këtë drejtim, Maqedonia e Veriut e mirëpret vendimin e Këshillit Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit me të. Njëherazi, Kryeministri Xhaferi theksoi se krahas themelimit të Këshillit NATO-Ukrainë, si anëtare aleate, Maqedonia e Veriut është pjesë e pakos së mbështetjes së zgjeruar politike dhe praktike për Ukrainën, duke vazhduar me mbështetjen e politikës së dyerve të hapura të NATO-s”, theksuan nga Qeveria e RMV-së.

Takimi i ambasadores të Ukrainës në RMV - Larisa Dir dhe kryeministrit teknik - Talat Xhaferi. Foto: Qeveria e RMV-së
Takimi i ambasadores të Ukrainës në RMV – Larisa Dir dhe kryeministrit teknik – Talat Xhaferi. Foto: Qeveria e RMV-së

Rusia filloi invazionin e Ukrainës me 22 shkurt 2022.