Kovaçevski: BDI-ja ka opsion të mbështesë kandidatin tonë presidencial ose të kandidojë të vetin

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) do të ketë kandidat për president. Këtë e ka bërë të ditur sot kryetari i kësaj partie, Dimitar Kovaçevski. Ndërkaq ai theksoi se Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka opsion të mbështesë kandidatin e LSDM-së ose të kandidojë të vetin, raporton Portalb.mk.

Sipas Kovaçevskit, LSDM-ja do ta shpallë kandidatin e saj për president në fund të këtij muaji ose në fillim të marsit.

“Këtë periudhë po punohet për finalizimin e programit për zgjedhjet dhe përcaktimin e detajeve për ecurinë elektorale si brenda partisë ashtu edhe me partnerin e koalicionit”, tha Kovaçevski i cili theksoi se kandidati i tyre do të mbështetet nga partitë politike progresive.

Ai theksoi se BDI-ja si parti do të vendos nëse do ta mbështesë kandidatin e tyre apo do të propozojë të vetin.

“BDI-ja ka opsionin që ose të mbështesë kandidatin tonë presidencial ose të kandidojë kandidatin e vet presidencial, por ky është vendim i partisë së tyre. Nuk është vendimi ynë”, tha Kovaçevski.

Deri më tani, kandidatura për president kanë shpallur Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët me përkrahje të Lidhjes Evropiane për Ndryshim (Lëvizja Besa, Alternativa, Lëvizja Demokratike) si dhe E Majta (Levica) ka propozuar për kandidate Biljana Vankovskën e cila njihet për gjuhë të urrejtjes.

Zgjedhjet e shtata presidenciale, sipas marrëveshjes politike, do të mbahen më 24 prill, ndërsa zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare do të mbahen më 8 maj, të cilat kësaj radhe do të jenë të rregullta. Nëse do të ketë raund të dytë të zgjedhjeve presidenciale, ato do të përkojnë me zgjedhjet parlamentare dhe do të mbahen më 8 maj.