Fermerët grekë në protestë kundër kostove në rritje

Protestat e fermerëve grekë u intensifikuan ndërsa mijëra protestues marshuan në kryeqytetin Athinë, raporton Anadolu.

Më shumë se 200 traktorë mbërritën në sheshin Sintagma përpara parlamentit në Athinë pasdite.

Fermerët kërkuan që qeveria të pranojë një sërë kërkesash që ata i paraqitën kryeministrit në një takim javën e kaluar.

Rreth 60 autobusë me fermerë nga e gjithë Greqia mbërritën në Athinë. Më shumë se 200 protestues mbërritën me varkë nga ishulli i Kretës.

“Ne nuk kemi asgjë më shumë për të ofruar”, tha kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis në një intervistë për kanalin Star të hënën.

Mitsotakis theksoi se qeveria tashmë ka tejkaluar pritshmëritë e fermerëve dhe hapësira e ngushtë fiskale nuk lejon më masa.

Kryeministri grek ka ofruar tashmë shkurtime në faturat e energjisë elektrike dhe një zgjatje njëvjeçare të zbritjes së taksave për naftën bujqësore deri në fund të vitit 2024.

Protestat erdhën mes mobilizimeve masive të fermerëve në Francë, Belgjikë dhe vende të tjera të BE-së, ku shumë nga ankesat kanë të bëjnë me rregulloret e BE-së.