Visar Ademi: Komuna e Gostivarit me borxhin më të madh në RMV, janë nënshkruar edhe kontrata të dyshimta (FOTO)
Sot, kandidati i pavarur për Kryetar të Komunës së Gostivarit, Visar Ademi, mbajti një konferencë për shtyp tek parku i vogël i qytetit, pranë objektit të Komunës së Gostivarit, ku prezantoi gjendjen e financave komunale. Sipas të dhënave zyrtare, Komuna e Gostivarit hyn në zgjedhjet lokale me borxhin më të madh në Maqedoninë e Veriut. 693 milionë denarë (rreth 11.3 milionë euro) nga vetë Komuna; së bashku me detyrimet e Ndërmarrjeve Publike Komunale, borxhi total arrin në 25 milionë euro, transmeton Portalb.mk.
Në këtë konferencë u prezantuan gjithashtu disa kontrata të dyshimta të nënshkruara nga Komuna, mes tyre:
- kontrata me kompaninë SS Arkitekt për shërbime projektimi, në vlerë 190.000 €;
- dy kontrata me kompaninë AHR Konstrakshen për sanimin e gropave në rrugë, në vlerë totale 380.000 €;
- kontrata me kompaninë Stenton Gradba nga Manastiri për sallën e Këshillit Komunal, në vlerë 615.000 €.
Visar Ademi theksoi se ky keqmenaxhim financiar ka paralizuar zhvillimin e Gostivarit dhe ka dëmtuar drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.
Ai prezantoi një plan të detajuar për rimëkëmbjen financiare dhe transformimin e Komunës, i cili përfshin:
- shlyerje graduale të borxheve dhe vendosjen e disiplinës buxhetore;
- transparencë maksimale dhe llogaridhënie publike;
- riorganizim institucional për efikasitet dhe profesionalizëm;
- inovacion digjital dhe model modern të qeverisjes lokale.
“Misioni ynë është i qartë: ta pastrojmë Gostivarin nga korrupsioni, nga mbeturinat dhe nga qentë endacakë, dhe t’ia kthejmë qytetin qytetarëve të tij”, deklaroi Visar Ademi.
Ademi është kandidat i pavarur për kryetar në Komunën e Gostivarit.
Ndryshe, disa ditë më parë, DW raportoi se borxhlinjtë më të mëdhenj janë Komuna e Gostivarit (693 milionë denarë), Tetovës (584 milionë denarë), Kavadarit (228 milionë denarë) dhe Qyteti i Shkupit (342 milionë denarë). Nëse detyrimet analizohen në raport me numrin e banorëve, komunat me borxhet më të mëdha janë Dellçeva, Gostivari, Vasileva, Zhelina dhe Krivogashtani, ku çdo banor detyrohet mesatarisht nga 14.227 deri në 8. 820 denarë.