“Të gjithë për Palestinën”: Refuzimi i RMV-së për të njohur Palestinën është bashkëfajësi në gjenocid
Për njerëzit që jetojnë në Maqedoni, implikimi se “interesat strategjike” të shtetit nënkuptojnë tolerancë ose mbështetje për gjenocidin, si dhe bashkëpunim aktiv dhe qetësim të gjenocidistëve, është i papranueshëm dhe monstruoz. Njohja e Palestinës nuk është një akt “impulsiv”, “emocional” ose “i nxituar”. Përkundrazi, ajo bazohet në vlerat dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe drejtësisë historike. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e njohu Palestinën si shtet vëzhgues në vitin 2012, dhe sot më shumë se 140 shtete (dy të tretat e OKB-së) e kanë njohur atë. Me refuzimin e saj, Maqedonia mbetet në pakicë – së bashku me shtetet që bllokojnë sistematikisht të drejtën e palestinezëve për vetëvendosje, thon[ nga iniciativa, “Të gjithë për Palestinën”, transmeton Portalb.mk.
“Maqedonia është anëtare e OKB-së dhe ka ratifikuar disa traktate ndërkombëtare, përfshirë Konventën për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit. Sipas saj, shtetet kanë një detyrim ligjor jo vetëm të mos kryejnë gjenocid, por edhe ta parandalojnë atë në mënyrë aktive dhe të veprojnë kur ekziston rreziku i gjenocidit. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, si dhe Kombet e Bashkuara dhe disa organe të tjera mbikombëtare, kanë arritur tashmë në përfundimin se palestinezët në Gaza janë të ekspozuar ndaj një rreziku serioz të gjenocidit, gjë që aktivizon detyrimin e të gjitha shteteve, përfshirë Maqedoninë, për të marrë masa parandaluese”, thuhet në reagim.
Një masë e tillë, thonë ata, është njohja diplomatike e Palestinës, e cila forcon të drejtën e popullit palestinez për vetëvendosje dhe mbrojtje ndërkombëtare. E kundërta do të thotë mbështetje de facto për aparteidin, pushtimin dhe shkatërrimin sistematik të popullit.
“Ju kujtojmë se Maqedonia është zgjedhur anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara për periudhën 2025-2026, ku detyra e tyre në nivel shumëpalësh është të regjistrojnë dhe t’u përgjigjen shkeljeve të të drejtave të njeriut. A ka shkelje më të madhe të të drejtave të njeriut sesa gjenocidi? Të thuash se jemi “thellësisht të shqetësuar” ndërsa nuk bëjmë asgjë është hipokrizi e pastër. Populli maqedonas e di se çfarë do të thotë të jetosh nën dominim dhe të luftosh për vetëvendosje. Lufta jonë antifashiste u mbështet nga solidariteti ndërkombëtar. Refuzimi për të njohur Palestinën do të thotë të qëndrosh në anën e shtypësit, jo të të shtypurve – një tradhti ndaj trashëgimisë antifashiste dhe antikoloniale të partizanëve tanë”, thuhet në reagimin e inciativës.
Ata shtojnë se Mucunski pranon se qëndrimi i Maqedonisë diktohet nga “partnerë strategjikë” si Shtetet e Bashkuara – një shtet që armatos dhe mbështet pushtimin izraelit.
“Kjo nuk është disiplinë, por nënshtrim ndaj interesave të huaja. Në të njëjtën kohë, disa vende evropiane (Spanja, Irlanda, Norvegjia, Sllovenia) e kanë njohur Palestinën. Spanja dhe Kolumbia kanë marrë masa dhe sanksione aktive për të parandaluar gjenocidin. A është vendimi i tyre “impulsiv”? Italia dërgoi ndihmë detare në misionin civil humanitar Global Sumud Flotilla, të cilin Izraeli e ka bombarduar tre herë në 2 javët e fundit. Kujtojmë se si pjesë e RSFJ-së, Maqedonia tashmë mori pjesë në njohjen e shtetit palestinez në vitin 1988, kur akademiku Luan Starova u emërua ambasadori i parë jugosllav në Palestinë. Kjo çështje ka vazhdimësi historike dhe kulturore për ne”, thuhet në reagim.
Prandaj, ata kërkojnë që Qeveria dhe Ministria e Punëve të Jashtme:
- Të njohin urgjentisht Palestinën dhe t’i bashkohen shumicës së vendeve që e kanë njohur tashmë.
- Të ndërpresin marrëdhëniet diplomatike me vendet që lehtësojnë në mënyrë aktive gjenocidin.
- Të vendosin sanksione kundër Izraelit – ekonomike, arsimore dhe kulturore. Ashtu siç i vendosën Rusisë.
- Të tregojnë se Maqedonia është shtet sovran që mbron parimet e OKB-së, të drejtat e njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare.
- Heshtja dhe pavendosmëria nuk janë disiplinë. Ato janë një turp për reputacionin ndërkombëtar të Maqedonisë dhe bashkëfajësi në një nga krimet më të mëdha historike.
Ndryshe, diplomacia e Maqedonisë mbetet e rezervuar në lidhje me çështjen e njohjes së Palestinës, e cila u ngrit në Asamblenë e 80-të të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) në Nju Jork, ku fokusi ishte në konfliktin midis Izraelit dhe Gazës. Kreu i diplomacisë maqedonase, Timço Mucunski, thotë se Maqedonia duhet të jetë gjithmonë e disiplinuar dhe e kujdesshme kur merr vendime në fushën e politikës së jashtme, dhe jo impulsive.
Sipas kreut të diplomacisë maqedonase, nuk ka dyshim se jemi “thellësisht të shqetësuar për situatën e asaj që po ndodh në aspektin e së drejtës ndërkombëtare humanitare në Gaza” dhe nuk ka dilema në lidhje me qëndrimet maqedonase për këtë çështje.
“Ne të gjithë e shohim se çfarë po ndodh dhe është e papërshtatshme për shekullin e 21-të. Por kjo nuk do të thotë që ne duhet të reagojmë impulsivisht dhe emocionalisht”, thotë Mucunski.
Ai njofton se konsultimet me të gjithë partnerët strategjikë për këtë çështje do të vazhdojnë dhe kur të vijë koha, do të merret vendimi përfundimtar për njohjen e Palestinës.
Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023, pas sulmit të udhëhequr nga Hamasi në jug të Izraelit. Bombardimet izraelite gjatë 23 muajve të fundit ndërkohë i kanë vrarë mbi 65.000 palestinezë në Gazë, e kanë shkatërruar pjesë të mëdha të vendit, e kanë zhvendosur rreth 90 përqind të popullsisë dhe kanë shkaktuar krizë humanitare katastrofike. Ekspertët thonë se Qyteti i Gazës – qyteti më i madh në vend – po përjeton zi buke.
Si kujtesë, në qershor, Maqedonia ka abstenuar vazhdimisht armëpushimin në Gaza. Në prill 2025, RMV votoi kundër, në shkurt 2025, RMV abstenoi,në shtator të viti 2024 abstenoi, ndërsa edhe në tetor 2023 votoi e përmbajtur.