Rexhepi: Kontrata 15-vjeçare me Saubermacher në Tetovë po zhvat qytetarët me miliona euro
Kontrata e Komunës së Tetovës me operatorin privat Saubermacher për grumbullimin e mbeturinave është përplot me dispozita të dëmshme për Tetovën dhe tetovarët. Kështu ka reaguar sot Bajram Rexhepi nga AKI, njëherit kandidat për kryetar të Komunës së Tetovës, raporton Portalb.mk.
Rexhepi theksoi se në kontratën e nënshkruar me Saubermacher, afati i marrëveshjes është vendosur për plot 15 vjet, ku kjo do të thotë se qyteti mbetet peng i një operatori të vetëm, pa asnjë mundësi rivlerësimi apo korrigjimi të kushteve gjatë gjithë kësaj periudhe.
Ai tha se 16 kamionë, 2 ekskavatorë dhe pajisje të tjera me vlerë mbi 590,000 euro iu dhanë kompanisë private me qira për vetëm 1,600 euro në muaj.
“Një çmim qesharak krahasuar me vlerën reale të këtyre mjeteve. Edhe më skandaloze është klauzola e koncesionit: komuna merr vetëm 1% të faturimit mujor. Në terma të thjeshtë, kjo do të thotë se nëse qytetarët e Tetovës paguajnë 1,000,000 euro fatura, vetëm 10,000 euro shkojnë në arkën e komunës, ndërsa 990,000 euro përfundojnë në xhepat e koncesionerit privat”, tha Rexhepi.
Ai ndër të tjera theksoi se si rezultat i kësaj kontrate sot mbi 10.000 familje tetovare janë në procedura përmbarimi.
“Çdo familje është ngarkuar mesatarisht me mbi 30 euro për shpenzime të avokatëve dhe noterëve, që do të thotë se mbi 300.000 euro po zhvaten nga buxheti i çdo familjeje”, tha Rexhepi.
Edhe pse të kontaktuar nga Portalb.mk, nga Komuna e Tetovës deri në publikimin e këtij shkrimi nuk u deklaruan për këtë çështje.
Kujtojmë se në fillim në muajit shtator 2025, bizneset dhe shoqatat joqeveritare në Tetovë pranuan njoftim se nëse nuk nënshkruajnë kontratë për menaxhimin e mbeturinave me ndërmarrjen Saubermacher në afat prej 5 ditëve do të gjobiten nga 9 deri në 98 mijë euro. Kjo nxiti revoltë dhe reagime të ashpra nga qytetarët, bizneset dhe shoqatat joqeveritare. Ndërkaq nga Saubermacher dhe Komuna e Tetovës u arsyetuan.
Kujtojmë që Komuna e Tetovës me 10 nëntor 2023 nënshkroi marrëveshje për partneritet publiko-privat me kompaninë sllovene të grupacionit “Saubermacher” menaxhimin e mbeturinave në Tetovë.
Si rezultat i kësaj, u ndryshua edhe metodologjia e pagesës. Nga atëherë disa qytetarë u dërguan te noteri për mosshlyerje të faturave, ndërkohë që vetë qytetarët ankoheshin se nuk kishin pranuar fare fatura.
Në ndërkohë në Gjykatën e Tetovës ka dhjetëra lëndë në këtë drejtim.