VIKTIMAT E PASIONIT VETASGJËSUES

Situata aktuale në veriun e Republikës së Kosovës është ajo që është. Dihet fajtori, dihet dhe i fajësuari pa faj, sepse politikat e të fortëve ngatërrojnë nganjëherë rolet e palëve në mosmarrëveshjet që mund të prodhojnë konflikte të rënda, tagrin e të cilave e paguan përherë më i dobti. Këtë e dëshmon e shkuara, të paktën që nga Traktati i Shën Stefanit dhe Kongresi i Berlinit, kur trojet shqiptare u copëtuan dhe iu falën fqinjëve që rritën territoret dhe numrin e shtetasve në kurriz tonin.

Megjithatë, ato që na i bënë dhe na i bëjnë të tjerët përbëjnë gjysmën e fatkeqësive. Gjysmën tjetër të dhembjeve ia shkaktuam dhe ia shkaktojmë vetvetes, për shkak të mentalitetit fisnor e krahinor, për shkak të përçarjeve idiote dhe paaftësisë për t’u bërë një, në momentet kur na rrezikohet qenia. Në mos besofshi, ndiqni debatet televizive të papagajve gjithollogë, që në vend se t’i zbusin, i përskeqin pasojat e politikave inatçore të kapedanëve të politikës, duke bartur kacagjelimet te popullata e thjeshtë, që u beson urtarëve të rremë. Si të kuptohet ndryshe kjo që po ndodh aktualisht në dy shtetet shqiptare, veçmas pas kidnapimit të tre policëve brenda kufijve të Kosovës?  Në ç’vende tjera luhet me kaq zjarr vallja e armikut, që synon zhbërjen tonë nëpërmjet medieve të verdha dhe disa analistëve bythshitur, të cilët shfrytëzojnë demokracinë sallamadi për të thelluar hullitë ndarëse midis nesh. Shkasin e përçarjeve që mund t’na shndërrojnë në qivur, të tillët e gjetën së fundmi te mosmbajtja e takimit të qeveritarëve të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, që u desh të realizohet para pak ditësh në Gjakovë. Kaq iu desh çafkave grindavece që me dekada llomotisin kotësitë e botës me të cilat ushqejnë urrejtjen mes vëllezërve të një gjuhe, fare e gjaku, duke vrarë shpresën e të rinjëve, që prej vitesh shpërngulen përgjithmonshëm gjithandej ku kanë mundësi. Analizoni pak më hollësisht propagandat në dukje të rastësishme të analistëve dhe ekspertëve të shpifur, që janë idiotëzuar në kufijtë e të paimagjinueshmes nga mendjet e esëllta. Kështu, gjersa një palë idiotësh, pikërisht në rrethanat e vështira për mbarë kombin, hedh idenë që shqiptarët e Kosovës të mos shkojnë për pushime në bregdetin shqiptar, por ta zëvendësojnë atë me bregdetin kroat, pala tjetër merr, si atë sendin, mikrofonin në dorë dhe u shtron kalimtarëve të rastit udhëve të Tiranës pyetjen që ka në thelb përçmimin dhe  përçarjen: A e kuptojnë shqiptarët gjuhën që flasin kosovarët!?

Në kurthin e kësaj skeme të lexueshme bien edhe fytyra publike, të cilët pikërisht tani kur Serbia i poshtërron shqiptarët brenda tokave të tyre, shpërfaqin ndjenjat e gëzimit për interesimin e madh të serbëve për të kaluar pushimet në bregdetin shqiptar dhe për të blerë sa të munden prona të paluajtshme në Sarandë, Durrës, Vlorë e Dhërmi, që shiten me @mime shumë më të lira se pronat dhe vilat luksoze në Kroaci e në Mal të Zi. .

Pa keqkuptim: askush me dy pare mend në kokë nuk mund të jetë kundër ardhjes së serbëve për pushime në Shqipëri, sepse një gjë e tillë shkon në favor të ngritjes ekonomike të vendit, por, kur jeniçerit nga e Kosova i hapen dyert e medieve për të kërkuar publikisht bojkotimin e bregdetit shqiptar nga gjysma e Shqiptarisë, kurse, në të njëjtën kohë jeniçerit nga Shqipëria i hapen dyert e medieve për t’u ngazëllyer publikisht për ardhjen masive të pushuesve serbë në bregdetin shqiptar, diçka nuk është në rregull. Është kështu, sepse vakitë e këtilla mbjellin farën e urrejtjes dhe mosdurueshmërisë ndërmjet nesh, ushqejnë bindjen se jemi të vetëmjaftueshëm dhe nuk kemi nevojë për njëri-tjetrin, aq më pak për miq e aleatë të fuqishëm, pa të cilët do t’na kishte harruar me kohë historia.

Se nuk mjafton vetvetja për të mbijetuar në këtë botë pise, e kanë ditur prej kohësh ata që nuk janë tkurrur gjithanshëm dhe turpshëm si ne. Mendësia në fjalë duhet ta ketë shtyrë poetin Ali Podrimja që të shkruajë poezinë ETYD PËR SHQIPËRINË, vargjet e së cilës më shumë se kohës së tij i shkojnë kohës sonë:

Xhuxhe je
Xhuxhe je moj
Pa mua

Dhe kurrkushi jam moj
Jam kurrkushi
Pa ty

Po kaq dhimbshëm tingëllojnë dhe vargjet e poetit hebre Bertolt Brehtit, që duken si të shkruara enkas për pasionin tonë vetasgjësues:

Dhe viçat pas daulles

e hedhin çapin

lëkurën për daullen

vetë e japin.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.